Si ligjet i lejojnë partitë të fshehin informacione thelbësore gjatë fushatave zgjedhore

Në zgjedhjet e vitit të shkuar në Shqipëri, një kompani e vendosur në qytetin veriperëndimor të Lezhës dhuroi karburant me vlerë 501,000 lekë (rreth 4,600 $) për një parti të vogël politike, të quajtur Bashkimi Demokristian Shqiptar.

Një audit zyrtar i qeverisë për financat e partisë pretendoi se donacioni i firmës së quajtur Linda 80 sh.p.k., ishte i ligjshëm. Auditi nuk përmendi nëse firma kishte dhunuar apo jo ligjet shqiptare për konfliktin e interesit politik.

Por, një shqyrtim i të dhënave të kompanisë tregoi se Linda 80 mund të ketë përfituar financiarisht nga qeveria shqiptare dhe politikat e saj: kompania ishte përfshirë në afro 30 kontrata qeveritare në një total që e tejkalon vlerën e 9 milionë lekëve (83,340 $), që nga viti 2015, në një kohë që shumë nga këto kontrata janë bërë gjatë fushatës zgjedhore.

Linda 80 është një nga dy donatorët që duket se kanë pasur konflikt interesi me donacionet e tyre për partitë politike në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar.

Asnjë nga rastet nuk u identifikua nga ndonjë audit i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), apo u hetua ndonjëherë publikisht nga qeveria.

Një investigim dymujor i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore dhe Qendrës së New England-it për Raportim Investigues, të vendosur në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se rasti i Linda 80 është një simptomë e ligjeve të dobëta financiare, shqiptare për fushatat zgjedhore.

Ai tregon dhe mungesën e mbikëqyrjes institucionale, duke dështuar të bëjë transparencë për ata që iu dhurojnë partive politike, konfliktin e mundshëm të interesit dhe se si partitë i shpenzojnë paratë e fushatës jashtë vendit.

Konfliktet e interesit, në radar

Ligji shqiptar i fushatave elektorale ndalon donacionet për partitë politike, nëse donatori i ka pará borxh qeverisë, punon në media apo ka qenë i përfshirë në kontrata qeveritare me vlerë mbi 10 milionë lekë gjatë dy viteve të fundit.

Donacionet nga Linda 80 (kontratat e së cilës nuk arrinin në totalin e 10 milionë lekëve), si dhe nga një investitor, bizneset e të cilit kanë borxhe në taksa të papaguara, ngritën pikëpyetje mbi fuqinë e parave në zgjedhjet elektorale shqiptare dhe në nivelin e mbikëqyrjes të institucioneve.

“Partitë politike refuzojnë të raportojnë financat e tyre në një model të mirë dhe transparent, – tha Aranita Brahaj, drejtoresha ekzekutive e Institutit Shqiptar të Shkencës, duke shtuar se, – institucionet që mbikëqyrin fushatën zgjedhore teorikisht janë të pavarura, por në praktikë janë të përbëra nga partitë politike.”

Aranita Brahaj, drejtoresha ekzekutive e Institutit Shqiptar të Shkencës. Foto: Lorin Kadiu

Brahaj, organizata e së cilës synon të rrisë transparencën qeveritare, fillimisht identifikoi dy raste të konfliktit të mundshëm të interesit.

Pretendimet e saj u verifikuan nga të dhënat publike përmes investigimit të Qendrës.

Një përfaqësues për Linda 80 tha se kompania nuk kishte dhënë kontribut, pavarësisht se ishte renditur në listën e donatorëve të partisë.

Në një tjetër rast, biznesmeni Edmond Stojku i dhuroi 100,000 lekë (926$), Lëvizjes Socialiste për Integrim, një parti relativisht e madhe, e cila fitoi në zgjedhje 19 vende në parlament.

Ky donacion u deklarua nga partia në të dhënat e saj financiare.

Por, sipas të dhënave të qeverisë, një kompani, ku Stojku është një aksionar i vogël, ka taksa të papaguara.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Qendra Kombëtare e Biznesit, shoqëria aksionare Royal Farma, ku Stojku zotëron 5% të aksioneve, është listuar ndër subjektet me “detyrime hipotekare apo probleme në siguri”, për shkak të taksave të papaguara që nga viti 2014. Lista, e përditësuar në mars të vitit 2018, nuk saktëson se sa pará ka borxh Royal Farma.

Aksionet e Stojkut në kompani mund të cilësohen si borxh i tij ndaj qeverisë, tha Brahaj, duke nënkuptuar se donacioni mundet të jetë, por mundet edhe të mos jetë, i ligjshëm.

I kontaktuar për të komentuar çështjen, Stojku mohoi të kishte aksione në kompani, edhe pse të dhënat tregojnë se ai ka pasur një pjesë të Royal Farma-s.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se nuk ishte në dijeni të këtyre dy rasteve.

“Nuk është e lehtë të monitorosh dhe të zbulosh se çfarë po përpiqen të bëjnë partitë politike, – tha kryetari Klement Zguri në një intervistë. – Partitë politike kanë tendencën të tejkalojnë vijën e kuqe duke u përpjekur të shkelin ligjin, për arsyen e thjeshtë të përfitimit në mënyrë të pandershme dhe të paligjshme gjatë procesit”.

Klement Zguri, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Foto: Lorin Kadiu

Asnjëra nga dy partitë, Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar apo LSI, nuk i është përgjigjur kërkesave të Qendrës për koment.

Zguri tha se komisioni që ai drejton mbikëqyr zgjedhjet dhe financat e partive, por fuqia e tij për të hetuar më tej ose për të ngritur akuza bëhet përmes Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë. Megjithatë, ky proces shpeshherë nuk funksionon, tha Zguri.

Komisioni nuk ka marrëdhënie të ngushta me prokurorët shqiptarë, të cilët gjithashtu mund të bëjnë investigimet e tyre mbi financat e zgjedhjeve. Ai tha se prokurorët nuk e informojnë KQZ-në në mënyrë të mjaftueshme.

“Për hir të së vërtetës, jo vetëm në vitin 2017, por edhe në zgjedhjet e kaluara, nuk kemi gjetur një gjuhë të përbashkët dhe bashkëpunuese me prokurorinë e vendit, – tha ai. – Ata shpesh abuzojnë dhe humbin interesin, kur zgjedhjet përfundojnë. Ndërhyrjet e ndryshme dhe interesat e ndryshme bëjnë që këto çështje të mbyllen dhe të arkivohen”.

“Situata, – tha komisionari i zgjedhjeve, – është e pajustifikueshme, sepse në një situatë të tillë mosndëshkimi i shkeljeve të ligjit krijon tendencën e përsëritjes së shkeljeve në procese të tjera dhe në një mënyrë prish imazhin e vendit, të zgjedhjeve dhe të demokracisë sonë”.

Mungesa e ligjeve 

Aftësia e komisionit të zgjedhjeve për të monitoruar nga afër donacionet politike pengohet më tej nga ligjet aktuale shqiptare të zgjedhjeve, veçanërisht kërkesa që partitë të bëjnë publikë vetëm emrat e donatorëve që kontribuojnë me 100,000 lekë ose më shumë – ekuivalenti i 1 mijë dollarëve.

Linda 80 dhe Stojku ishin vetëm dy nga 66 subjekte (64 individë dhe 2 biznese), të cilët iu dhuruan partive politike më shumë se 100,000 lekë në zgjedhjet e vitit të shkuar, sipas raporteve të fushatës zgjedhore.

Si përfundim, raportet financiare të bëra publike nga partitë janë plot me qindra rreshta me donacione – që në total bëjnë miliona lekë – të identifikuar vetëm si “person fizik”, shumë prej të cilave janë pará të paguara cash.

Ekspertët thonë se partitë mbajnë të dhënat e të gjithë atyre që bëjnë dhurime, por nuk kanë dëshirë ta bëjnë publik këtë informacion.

“Ajo çfarë partitë deklarojnë, është shumë pak, – tha Brahaj. – Partitë kanë pak interes që të deklarojnë… financat, për shkak se, sa më shumë të deklarojnë, aq më shumë bëhen subjekt kontrolli. Kjo ka krijuar kulturën e shpenzimit, por jo të deklarimit”.

Në Shtetet e Bashkuara kandidatët duhet të japin emrin, adresën, punësimin dhe ndonjëherë edhe punëdhënësin për gati të gjitha donacionet e drejtpërdrejta që bëjnë.

“Nuk mund të fshehësh se kush je, – tha Pam Wilmot, një eksperte mbi ligjet amerikane të financave për fushatat zgjedhore për sistemin amerikan. – Zbatimi mund të marrë një kohë të gjatë, por ata (në Amerikë), kanë gjobitur dhe janë përpjekur të mbyllin aktivitetin e grupeve që janë rrekur të fshehin identitetin e tyre”.

Wilmot, drejtoresha ekzekutive e Kauzës së Përbashkët të Masaçusetsit – një grup avokatësh politikë – tha se informacioni mbi dhurimet ndihmon votuesit të kuptojnë se kush po përpiqet të influencojë zgjedhjet apo të marrë favore.

Pam Wilmot, drejtoresha ekzekutive e Kauzës së Përbashkët të Masaçusetsit. Foto: Lorin Kadiu

“Ti mund të gjurmosh, nëse një kompani po hedh me të vërtetë pará në një garë…

Ti mund të shohësh çfarë po bëjnë punonjësit e kësaj kompanie”, – tha ajo.

Ligji në Shqipëri, për shkak se nuk kërkon informacion specifik mbi donatorët, zvogëlon mundësinë e publikut dhe të medias për të identifikuar konfliktin e interesit te qindra donatorë, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë, thotë Brahaj.

“Mungesa e transparencës në procesin shqiptar ngre një shqetësim serioz, në parim, mbi nivelin në të cilin kandidatët dhe partitë mund të kenë detyrime ndaj interesave të paligjshme private”, – tha Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në një raport mbi zgjedhjet.

Për sa i përket auditit të parë, të zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vitin e kaluar, Koalicioni, një organizatë lokale që përqendrohet në çështjet e fushatave zgjedhore, tha në raportin e tij se auditi ishte “tërësisht i paefektshëm në garantimin e transparencës dhe në forcimin e zbatimit të dispozitave ligjore”, për shkak të mungesës së strukturës ligjore dhe “mungesës së adresimit të problemeve të konsiderueshme në sistem”.

Vonesat institucionale

Një tjetër e metë në ligjin për financat e fushatave zgjedhore, thonë ekspertët, është se partitë nuk kanë detyrimin për të regjistruar të ardhurat dhe shpenzimet e tyre deri në katër muaj pas përfundimit të zgjedhjeve.

“Nuk ka pasur evoluim për sa i përket transparencës së partive”, – tha Afrim Krasniqi, analist politik dhe drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike në Shqipëri.

Si përfundim, besimi publik në procesin politik është gërryer, thotë Krasniqi dhe ekspertë të tjerë.

“Ky është një dështim i madh, – tha ai. – Si rregull, ligjet tona kthehen në kompromis politik”.

Afrim Krasniqi, analist politik dhe drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike në Shqipëri. Foto: Antonio Çakshiri

Ai tha se raportimi i financave kaq vonë në proces është i pakuptimtë, pasi qartësisht nuk i jep publikut informacionin të cilin ata duhet ta dinë, përpara se të votojnë.

Në vende më të zhvilluara, si Shtetet e Bashkuara, kërkesat mbi raportimin financiar të fushatave zgjedhore janë më strikte; kandidatëve për zyrat shtetërore iu kërkohet të paraqesin çdo dy javë një listë me informacione mbi donatorët, tha Wilmot.

“Ka një rrjedhë të vazhdueshme informacioni mbi atë që ndodh, – tha Wilmot. – Është kontroll dhe balancë… Ndihmon për të mbajtur gjithçka në sipërfaqe”.

Zbulimi i donacioneve gjatë fushatës elektorale mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë te votuesit. Publiku mund të marrë në konsideratë subjektet apo personat që po mbështesin secilën parti dhe mediat mund të raportojnë konfliktet e mundshme të interesit te këto donacione, shpjegoi Wilmot.

Disa organizata të pavarura që vëzhguan procesin e fushatës zgjedhore shqiptare mbërritën në konkluzione të ngjashme.

“Transparenca e donacioneve të fushatës zgjedhore mbetet e kufizuar për shkak të mungesës së kërkesave për zbulimin e informacionit gjatë fushatës zgjedhore”, – shkroi për Shqipërinë në raportin e vëzhgimit të zgjedhjeve Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, e vendosur në Vjenë.

Ndryshime për të ardhmen

Grupe të ndryshme, përfshirë Institutin Shqiptar të Shkencës, AIS, kanë kërkuar ndryshime në sistem dhe i kanë drejtuar sugjerime një komisioni të posaçëm parlamentar mbi reformën zgjedhore.

AIS ka sugjeruar që të gjithë donatorët e fushatave zgjedhore të bëhen publikë dhe që diçka e tillë duhet të bëhet përpara zgjedhjeve.

Gjithashtu, ka sugjeruar që partive duhet t’u kërkohet të japin informacion më të detajuar mbi mënyrën si i shpenzojnë paratë e fushatës zgjedhore.

“Deri tani, – tha Brahaj, – këto rekomandime janë injoruar”.

Ajo thekson faktin se anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore janë politikanë.

Dy vite më parë, AIS kërkoi nga tri partitë më të mëdha politike që shpenzimet e fushatave të tyre zgjedhore dhe dhurimet t’i bënin publike në kohë reale gjatë fushatës zgjedhore.

Çështja shkoi në gjykatë dhe tani është në Gjykatën e Lartë në Shqipëri.

Brahaj tha se ajo ende po pret një përgjigje.

Të gjitha konvertimet USD-ALL janë bazuar në kurset e këmbimit të muajit qershor 2018.

*Fotografia në fillim të artikullit, Edi Rama gjatë fushatës elektorale 2017. Foto: kryeministria.al

 Ndiq në Twitter: J.D. Capelouto | Elsa Çerpja | Lorin Kadiu