Dështimi i Tiranës në ndarjen e mbetjeve fundosi riciklimin dhe krijoi dëm ekonomik

Iljaz Mehmeti, një biznesmen në Tiranë, gjatë vitit 2017 humbi biznesin e tij të riciklimit, duke i vendosur kyçin një impianti modern dhe ekologjik që konsiderohej ndër më të avancuarit në Ballkan.

Prej vitesh ai eksportonte në Itali lëndë të parë për industrinë e tekstileve dhe atë të ambalazhimit.

Për pasojë, rreth 30 vetë humbën punën, në një kohë kur të ardhurat iu ndërprenë edhe 2,000 grumbulluesve të mbetjeve të riciklueshme, të cilët ishin furnizuesit e biznesit të tij me lëndë të parë.

“Nuk e harroj fillimin e vitit 2017, kur policët bashkiakë erdhën dhe bënë reprezalje në një nga pikat e mia të grumbullimit të mbetjeve. Aty kuptova që vullneti për ta mbajtur gjallë këtë biznes në Shqipëri ishte zero”, – tha ai.

Masat e Policisë Bashkiake në Tiranë kundër grumbulluesve të materialeve të riciklueshme dhe grosistëve që i përdornin ato si lëndë të parë nisën në fillimin e vitit 2016, në emër të revolucionarizimit të grumbullimit të mbetjeve.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, teksa nënshkroi në janar të atij viti një marrëveshje me Bashkinë e Veronës për krijimin e një kompanie për grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve, theksoi se tashmë kryeqyteti do t`i ndante mbetjet e tij që në burim.

Nisma u konsiderua e rëndësishme, në një kohë kur ndarja e mbetjeve që në kosh ndihmon riciklimin – një proces i konsideruar jetik për reduktimin e mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit. Gjithashtu, ky proces pritej t`i jepte qytetit hije europiane dhe të gjeneronte të ardhura dhe punësim.

Pak muaj më vonë u krijua Eco Tirana, kompania e përbashkët e Bashkisë së Tiranës dhe një kompanie publike të Bashkisë së Veronës. Kjo kompani përveç pastrimit të kryeqytetit gjithashtu ishte përgjegjëse edhe për ndarjen e mbetjeve në burim dhe grumbullimin e tyre të diferencuar.

Paralelisht, kryebashkiaku Erion Veliaj intensifikoi luftën kundër grumbulluesve individualë të mbetjeve, nga gjoba administrative deri te ndjekja penale si vjedhës të mbetjeve. Sipas tij, burim për ricikluesit do të ishin vetëm mbetjet e grumbulluara nga ndarja që në burim.

Ai prezantoi në Tiranë koshat e parë, të cilët siguronin hapësira të diferencuara për mbetjet, duke nisur edhe një tur ndërgjegjësimi për nxënësit dhe duke premtuar se 144 mijë prej tyre do të merrnin leksione për vlerat e riciklimit.

Postime në rrjetin social Instagram nga kryetari i Bashkisë Veliaj në Dhjetor 2016 dhe nga kompania Eco Albania

Investigimi i Qendrës për Gazetari Cilësore tregon se, për të paktën dy vite, Eco Tirana ka përfituar nga Bashkia e Tiranës më shumë se 500 mijë euro për shërbimin e grumbullimit të mbetjeve të diferencuara në burim, por pa e ofruar realisht këtë shërbim në terren.

Entuziazmi në dukje nuk u shua as nga fakti se në të njëjtën kohë qeveria Rama i hapi rrugë zyrtarisht ndërtimit të një inceneratori në Tiranë që do të digjte një sasi prej 550 deri në 800 tonë mbetje në një ditë-pavarësisht se nismat e shpallura tingëllonin kundërshtuese.

Sot, kur kanë kaluar dy vjet nga premtimi për ndarjen e mbetjeve në burim, në Tiranë nuk ka gjurmë realizimi. Koshat gati të amortizuar të mbetjeve të diferencuara janë i vetmi kujtim i mbetur nga ambicia e kryebashkiakut.

Nga ana tjetër, biznesi i riciklimit në vend vlerësohet në një situatë shumë të vështirë, ku si zgjidhje e vetme mbetet importimi i lëndës së parë për të ricikluar apo përdorimi i mbetjeve të riciklueshme që gjenerohen nga ndarja në landfill. Këta të fundit konsiderohen të kontaminuar dhe pothuajse të papërdorshëm.

Teksa disa kanë gjetur si zgjidhje mbylljen apo pezullimin e aktivitetit të riciklimit, me shpresë se situata do të ndryshojë, të tjerë e kanë transferuar biznesin e tyre jashtë Tiranës, aty ku ende grumbulluesit e mbetjeve të riciklueshme nuk përndiqen nga pushteti vendor.

Ndërkaq, aftësia e vendit për të ricikluar është zvogëluar ndjeshëm krahasuar edhe me të shkuarën.

Sipas Institutit të Statistikave, përgjatë vitit 2017 vetëm 17,4% e mbetjeve u ricikluan, në një kohë kur në vitin 2013 niveli ishte 24%.

Mesatarja e mbetjeve të ricikluara në vendet e Europës shkon nga 45% deri në 50%, me synimin e shkuarjes drejt filozofisë së mbetjes zero, ku gjithçka riciklohet dhe zero mbetje dërgohet në landfill për t`u dekompozuar apo në incenerator për t`u djegur.

Një dështim i paralajmëruar

Bashkia e Tiranës thekson se, si pasojë e fushatës për ndarjen e mbetjeve në burim ajo vendosi në qytet 383 kontenierë dhe 82 pika për mbledhjen e baterive të vogla.

Situata në terren tregon se pothuajse në asnjë nga këta kontenierë qytetarët nuk hedhin mbetjet në mënyrë të diferencuar.

Por, pavarësisht kësaj, Bashkia e Tiranës thekson se procesi i ndarjes në burim ka nisur në dhjetor të vitit 2016 dhe lë të kuptohet se ai vijon normalisht dhe tashmë është fokusuar te marrja e mbetjeve të qytetarëve nga shtëpitë e tyre.

“Eco Tirana, e cila operon në Zonën e Kuqe (unaza e mesme), ka realizuar grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, si dhe ka aktivizuar procesin e grumbullimit të mbetjeve “derë më derë”.
Ky shërbim është një element mjaft i rëndësishëm në minimizimin e mbetjeve që në burim”, – theksohet në një përgjigje të bashkisë për nismën.

Por, kjo nisëm sa sjellë dhe një pasojë ekonomike mbi qytetarët e Tiranës. Sipas kontartës të shtatorit 2016 midis Bashkisë së Tiranës dhe “Eco Tirana”, me afat 25 vjeçar, përtej pagesës prej 2.5 milion euro në vit për shërbimet e pastrimit të qytetit, është parashikuar dhe shtesa prej 10% në momentin kur ka nisur grumbullimi i diferencuar i mbetjeve urbane.

Si pasojë e kësaj klauzole, deri më sot, Bashkia i ka paguar kompanisë më shumë se 500 mije euro – për vitet 2017 dhe 2018 – për diferncimin e mbetjeve urbane, në një kohë kur në qytet nuk ka gjurmë të këtij procesi.

Vullnet Haka, përfaqësuesi i shoqatës së Ricikluesve, theksoi se, në momentin kur Bashkia e Tiranës shpalli këtë strategji të re, interesi i ricikluesve kishte qenë i lartë.

“Si riciklues ne kërkuam të bëheshim pjesë e shoqërisë aksionare Eco Tirana dhe të jepnim kontributin dhe eksperiencën tonë në pjesën e grumbullimit të mbetjeve që vinin nga koshat e posaçëm. Kjo kërkesë u hodh poshtë dhe me ne nuk u nda asnjë informacion mbi mënyrën sesi ky proces do të kryhej”, – tha ai.

Sipas Hakës, muajt në vijim treguan se nisma ishte propagandistike dhe sipërfaqësore dhe nuk kishte asnjë strategji të mirëmenduar sesi realisht do të kryhej.

“Bashkia dhe Eco Tirana bënë gjithçka që procesi i grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve të ishte cikël i mbyllur dhe jo-transparent”, – u shpreh ai.

Leonard Olli, anëtar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, theksoi se dështimi erdhi për shkak të situatës monopol në të cilën vepron kompania Eco Tirana për grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve në kryeqytet.

“Në thelb, bashkia si ortake është një dhe e vetme me kompaninë dhe nuk ka asnjë mekanizëm administrativ apo ligjor që të kontrollojë zbatimin e kushteve të kontratës.

Në gjykimin tonë ka qenë dhe mbetet vetëm një mega-aferë korruptive, e cila krijoi një situatë monopol në fushën e mbetjeve të riciklueshme”, – tha ai.

Kosha mbeturinash, mes tyre edhe kosha për mbeturina të riciklueshme të mbledhura në një zonë në Rrugën 5 Maji në Tiranë. Foto ACQJ

Ened Mato, një ekspert mjedisor dhe kryetar i shoqatës Ecovolis, ka qenë një ndër flamurtarët e diferencimit të mbetjeve në burim.

Në vitin 2012 ai ndërmori një tur në të gjithë Tiranën, nga Ali Demi deri në Kombinat, por edhe në shkolla dhe në kopshte, për t’iu treguar qytetarëve se diferencimi në burim ndihmon riciklimin që është i domosdoshëm për mbrojtjen e mjedisit.

Ai mendon se nisma për ndarjen në burim mori fund, në momentin kur qeveria nisi planet për ndërtimin e një inceneratori në Tiranë.

“Ka 2-3 vite që është shkurajuar ndarja në burim, me idenë që këto do të digjen të gjitha bashkë (në incenerator). Këtu ngelën të hutuara shumë organizata që ishin pro riciklimit”, – tha ai.

Riciklimi, hapa pas

Riciklimi konsiderohet si mënyra më e mirë për menaxhimin e mbetjeve urbane, pasi redukton sasinë e tyre në mjedis dhe nga ana tjetër ul kërkesën për lëndë të parë natyrore.

Sipas ekspertit të mjedisit, Lavdosh Ferruni, dështimi i strategjisë së bashkisë me mbetjet konsiderohet, jo vetëm hap i madh pas për Tiranën ekologjike, por mbart edhe një kosto ekonomike për qytetin ku jetojnë 800,000 banorë.

“Sot, një ton plastikë kushton 300 euro, pas riciklimit dhe nëse përpunohet edhe më shumë, vlera shkon deri në 800 euro. Imagjinoni sa tonë plastikë dhe lëndë të tjera të riciklueshme gjenerohen në Tiranë”, – tha Ferruni.

Sipas Institutit të Statistikës, gjatë vitit 2017 në Shqipëri u menaxhuan 1,2 milionë tonë mbetje, në një kohë kur gjenerimi mesatar për banor ishte 386 kg, shifër e cila ka një trend rritës gjatë viteve të fundit.

Ferruni theksoi se është qesharake që banorët e Tiranës të paguajnë për koncesionin e inceneratorit që pritet të ngrihet për të eliminuar mbetjet e padiferencuara, në një kohë kur potenciali ekonomik i riciklimit, nga i cili qyteti fiton, është ndalur.

Fakti që incenerimi është një kosto e shtuar për qytetarët shqiptarë, theksohet dhe nga ekspertët e qendrës EDEN (Qendra për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim), të cilët janë duke përpunuar një raport analitik në kuadër të projektit për stimulimin e pjesëmarrjes qytetare në çështjet mjedisore, mbështetur nga LëvizAlbania.

“Incenerimi me rikuperim energjie është një formë për rikuperimin e mbetjeve, por që për kushtet e Shqipërisë është një opsion shumë i shtrenjtë, me i shtrenjti i mundshëm, i cili do të kërkonte rritjen e tarifave familjare deri në 80 Euro/familje në vit, ku aktualisht është mesatarisht në të gjithë Shqipërinë 12 Euro/familje/vit”, – theksojnë ekspertët e qendrës EDEN.

Po kështu, ata besojnë se incenerimi i mbetjeve nuk është përparësi në Tiranë, për arsye jo vetëm ekonomike, por edhe mjedisore.

Sipas tyre, djegia e mbetjeve në incenerator krijon ndotje si pasojë e tymit toksik dhe kancerogjen që çlirohet në ajër, duke shtuar këtu edhe problematikën që krijon hiri i tyre.

Nga ana tjetër, reduktimi i riciklimit pritet të jetë një pengesë reale për sa i përket anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, i cili kërkon nga vendet anëtare që të arrijnë një kuotë prej 60% riciklimi të mbetjeve të tyre brenda vitit 2030.

Sipas biznesmenit Iljaz Mehmeti, e vetmja zgjidhje që iu ofrohet sot ricikluesve në Tiranë janë materialet, të cilat diferencohen në landfill përmes kontratave me kompaninë Eco Tirana.

Landfilli në Sharrë. Foto Antonio Çakshiri

“Për mua ai material ishte i papërdorshëm dhe i toksikuar. Nisur nga kjo, vendosa më mirë ta mbyllja biznesin sesa të komprometoja produktin që eksportoja”, – theksoi ai.

Vullnet Haka i shoqatës së Ricikluesve shtoi se Bashkia e Tiranës ia kishte dalë mbanë me sukses të eliminonte edhe një rrjet të mirorganizuar dhe të trajnuar të grumbulluesve individualë të mbetjeve.

“Ne kishim investuar në ngritjen e këtij rrjeti, i cili vetëpunësonte kryesisht njerëzit që vinin nga shtresat e margjinalizuara. Sot nuk e di se çfarë bëhet me ta”, – theksoi ai.

Sipas Leonard Ollit, përllogariten rreth 1,200 familje në Tiranë, të cilat kanë humbur burimin e të ardhurave që vinte nga grumbullimi i mbetjeve të riciklueshme.

“Kjo situatë ka krijuar dhe një dramë të rëndë sociale… Shumica i përkiste komunitetit rom, të vetëpunësuar si mbledhës individualë. Fati i tyre nuk përfshihej aspak në planin apo veprimtarinë e kësaj kompanie”, – tha ai.

Një nga elementët që i shqetëson më shumë ekspertët e mjedisit dhe ricikluesit është koha e gjatë që kërkohet për të bërë të mundur rrënjosjen e kulturës së ndarjes së mbetjeve që në burim.

“Qytetarët u entuziazmuan dhe nisën të bashkëpunonin për ndarjen e mbetjeve dhe braktisja e nismës solli zhgënjim. Sot, nëse ajo do të shpallej përsëri, do të shihej me shumë dyshim dhe kjo është e vërtet e dhimbshme”, – tha Haka.

*Në foton kryesore në fillim të shkrimit, disa kazanë për mbetjet e riciklueshme në zonën pranë stadiumit “Arena Kombëtare” ku mbetjet janë hedhur të gjitha bashkë pa u ndarë nga qytetarët. Foto: ACQJ

**Shënim
Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Tiranalytics: Një vlerësim i shpenzimeve publike të qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës” që mbështetet nga LevizAlbania. Opinionet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht opinionet dhe qëndrimet e donatorit.

  Ndiq në Twitter: Fatjona Mejdini