Adopto një kopsht përballë “adoptimit” të standardeve

Nga një hulumtim i Qendrës shqiptare për Gazetari Cilësore për 24 kopshtet e rikonstruktuara në kuadër të nismës së Bashkisë së Tiranës, Adopto një kopsht, rezulton se një pjesë e tyre nuk përmbushin standardet bazë infrastrukturore që lidhen me lëvizjen e fëmijëve dhe mbrojtjen e jetës së tyre.

Mungesa e rampave për karrocat e fëmijëve dhe të atyre me aftësi të kufizuara, kushtet për mbrojtjen nga zjarri apo monitorimi me kamera sigurie mbeten sfida për kopshtet.

Në 8 prej kopshteve të nismës u konstatuan probleme higjieno-sanitare dhe mbipopullimi është një nga problemet që ngrenë prindërit dhe shoqatat që kanë në fokus shëndetin dhe mirërritjen e tyre.

Nisma Adopto një kopsht u ndërmor nga Bashkia e Tiranës gjatë verës së vitit 2016, në përfundim të së cilës kryebashkiaku Erion Veliaj tha se u transformuan një pjesë e kopshteve dhe tashmë fëmijët do të mësonin në infrastrukturë moderne.

Rindërtimi apo rikonstruksioni i kopshteve u realizua kryesisht me financimin e bizneseve private që iu përgjigjën thirrjes së bashkisë. Punimet u kryen në vitin 2016, por ato nuk kanë plotësuar kriteret bazë të ndërtimit apo ndërhyrjeve në institucionet e veçanta, si kopshtet, kohë në të cilën ishte përpiluar drafti për “Miratimin e standardeve të projektimit të kopshteve” që u miratua më pas më 1 mars 2017.

Barrierat nga mungesa e rampave dhe rreziku nga zjarri

Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve (QEZHEF), institucion në varësinë e Bashkisë së Tiranës, merret me administrimin e çerdheve dhe kopshteve në territorin e bashkisë.

Qendra shqiptare për Gazetari Cilësore i kërkoi QEZHEF një autorizim për të zhvilluar një vëzhgim (anketim) në disa prej kopshteve të nismës lidhur me kushtet infrastrukturore, por kërkesa u refuzua me argumentin se, “inspektimi i institucioneve parashkollore është kompetencë vetëm e strukturave përkatëse”.

Qendra për Gazetari përpunoi të dhënat zyrtare, të marra nga QEZHEF, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe një studim mbi kushtet në kopshtet e Tiranës, të realizuar nga shoqata Together for Life mbështetur nga Lëviz Albania.

Në 24 kopshtet e rindërtuara apo rikonstruktuara, lidhur me aksesin e fëmijëve, rezulton se (infrastrukturën/rampën) për karrocat e fëmijëve e kanë 25% e kopshteve të nismës.

Ndërsa rreth 30% e tyre kanë ambiente të jashtme dhe të brendshme të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara, sipas përgjigjes zyrtare të QEZHEF.

“Kopshtet dhe çerdhet normalisht duhet të jenë të aksesueshme, pasi, duke parë moshën e fëmijëve në këto institucione, nga 0-6 vjeç, pothuajse të gjithë fëmijët janë në karroca fëmijësh. Besoj se ashensorë nuk kanë brenda godinave, por mund të bëhen edhe rregullime brenda ambienteve të kopshtit, kur kemi raste të fëmijëve me aftësi të kufizuara, pasi mund të caktohen në një klasë në katin e parë”, – tha një punonjës social, i cili kërkoi të mos identifikohet me emër.

Në muajin gusht të vitit të kaluar dy çerdhe në Tiranë u përfshinë nga zjarri.

Për zjarrin e rënë në çerdhen numër 14 në zonën e Ali Demit shkak ishte shpërthimi i bombolës së gazit. Policia dyshoi për zjarrvënie të qëllimshme. Ndërsa për zjarrin në çerdhen numër 16 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, u dyshua për zjarr aksidental nga shkëndija në një pajisje.

Një tjetër zjarr më herët (kopshti numër 45, më 5 janar 2016), u shoqërua me evakuimin e rreth 150 fëmijëve. Për fat, nuk pati pasoja në njerëz.

Sot, kopshti numër 45 është rikonstruktuar në kuadër të nismës.

Nga të dhënat e marra nga QEZHEF për 24 kopshtet e nismës Adopto një kopsht rezulton se, “sirena alarmi për lajmërimin e ndonjë zjarri të mundshëm kanë gjysma e kopshteve” dhe “drita emergjence” ka gjysma e kopshteve të nismës, ndërsa “detektor tymi për zjarrin” ka pak më shumë se gjysma e këtyre kopshteve (54.17%).

Një pjesë e kopshteve, 29.17%, i kanë dritaret të mbyllura me kangjella.

“Derë për daljen emergjente” kanë vetëm 6% e kopshteve. Me “sinjalistikë për daljen e emergjencës” janë të pajisura rreth 33% e kopshteve.

Lidhur me “gjeneratorin për të siguruar gjithmonë ndriçimin alternativ, dyert që hapen në drejtimin brenda-jashtë dhe tabela shpjeguese për ngjyrat që parandalojnë rrezikun”, QEZHEF nuk dha informacion duke shpjeguar se “nuk është i detyrueshëm/i parashikuar në ligj për t`u përmbushur”.

Shërbimi Zjarrfikës Tiranë, në varësinë e Bashkisë, është përgjegjës për lëshimin e aktit teknik.

Ky akt jepet para vënies në shfrytëzim të objekteve vetëm pas plotësimit të rregullave.

Ky institucion na informon se stafete të gjitha kopshteve të nismës janë trajnuar për raste zjarri.

“Në të gjitha këto institucione ka pajisje të mbrojtjes nga zjarri dhe sinjalistika që tregojnë daljen e emergjencës. Këto institucione janë pajisur me aktin teknik, në momentin kur është marrë leja e shfrytëzimit, në periudhën pas përfundimit të punimeve”, – thotë Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Bashkia Tiranë, pas një kërkese për të drejtë informimi nga Qendra për Gazetari.

Në rastet e identifikuara në vitin 2017 nga monitorimi i shoqatës Together for Life, të mbështetur financiarisht nga LëvizAlbania, rezultoi se 8 kopshte të rikonstruktuara sipas nismës Adopto një Kopsht nuk kanë sistem ndriçimi emergjence; 24 kopshte të nismës nuk kanë gjeneratorë për të siguruar gjithmonë ndriçimin alternativ; 18 prej tyre nuk kanë sistem ndriçimi për evakuim; 21 kopshte nuk kanë kontraste kromatike në dysheme për të treguar drejtimin e evakuimit dhe 19 nuk kanë sinjalistikë që të të udhëheqë drejt daljeve të emergjencës në rast zjarri.

 

Megjithëse QEZHEF thekson faktin se të gjitha kopshtet janë të pajisura me fikse zjarri, mbetet e paqartë se si Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit i ka pajisur me aktin teknik të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, në kushtet kur mungon pjesa më e madhe e elementëve që përcakton ligji.

Mbipopullimi cenon mirërritjen

Përtej mungesave të një pjese të elementëve bazë në infrastrukturën e kopshteve të rikonstruktuara në kuadër të nismës Adopto një kopsht, prindërit dhe shoqatat e fushës ngrenë problemin e mbipopullimit dhe plotësimit të mjeteve të nevojshme të kopshteve.

Një prind që dërgon fëmijën sot në një kopsht të Tiranës, paguan për ushqimin 160 lekë në ditë ose 3520 lekë në muaj, duke përfshirë fjetjen dhe ngrënien. Por ka edhe “kosto të fshehura”.

Në fillim të vitit paguhet për “paketën e mjeteve didaktike” që mund të kushtojë rreth 3000-4000 lekë. Çdo muaj blihet “paketa higjienike” që përfshin letra, sapun të lëngshëm etj., dhe që kushton rreth 200 lekë. Po ashtu, në fillim të vitit për rojën e natës paguhet tarifa 1000 lekë.

Duke përllogaritur shifrat që Bashkia e Tiranës na vendosi në dispozicion, rezulton se nga 24 kopshtet e nismës vetëm 17% prej tyre kanë kamera sigurie.

“Ulja e dendësisë së fëmijëve nëpër grupe, ulja e raportit fëmijë/edukator për të qenë sa më pranë raportit që përdorin vendet fqinje dhe ato të rajonit, janë nevoja emergjente”,- thotë E. Bardhi, drejtuesja e shoqatës Together for Life.

Ina Kasimati është kryetare e prindërve në grupin e fëmijëve ku ka djalin esaj, në një kopsht jo të nismës.

“Në grupin e tim biri në fillim pati 40 fëmijë të regjistruar. Ata u vendosën në katin e parë (në kundërshtim me rregullat e emergjencës), dhe në dhomën me hapësirën më të vogël në kopsht, me 28 shtretër”, – thotë ajo për Qendrën për Gazetari Cilësore.

“Mosplotësimi i këtyre kushteve krijon vështirësi në procesin e mirërritjes apo edukimit të fëmijëve. Nëse ka mbipopullim të grupeve dhe më pak staf, gjithmonë do ketë fëmijë që nuk do jenë në vëmendjen e edukatoreve”, – thotë Eglantina Bardhi.

Që në muajin shkurt 2018, 20 prindër të fëmijëve në çerdhet dhe kopshtete Tiranës janë ankuar tek Avokati i Popullit për menynë e çerdheve dhe kopshteve, e cila nuk është e bazuar mbi një plan mujor, por mbi atë javor. Sipas Kasimatit, problem paraqet përdorimi 3 herë në javë i tërshërës që mund të shkaktojë probleme shëndetësore te fëmijët dhe, sipas saj, rasti është ende në shqyrtim nga Avokati i Popullit.

Infrastruktura ul kushtet higjieno-sanitare

24 kopshtet e nismës Adopto një kopsht paraqesin edhe probleme që lidhen me pastërtinë dhe higjienën, si pasojë e mungesave ose përkeqësimit të infrastrukturës. Megjithëse të rikonstruktuar rishtazi, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor gjatë inspektimeve në periudhën maj-qershor 2018, ka evidentuar probleme që lidhen me kushtet higjieno-sanitare.

Nga 24 kopshtet e nismës Adopto një kopsht, 16 prej tyre “janë kopshte, të cilat plotësojnë kërkesat ligjore dhe ofrojnë kushte të mira higjieno-sanitare”, – përgjigjet Inspektorati.

Ndërsa në 8 prej tyre evidentohen mungesa në infrastrukturë.

Kopshti numër 24 nuk kishte ndarje midis tualeteve të fëmijëve, ndërsa frigoriferi dhe aspiratori nuk janë profesionalë.

Në kopshtin numër 25/1, Duarartët, mungonte soba, frigoriferi, banaku i gatimit dhe larësja e rrobave, ndërsa kopshti numër 6 nuk ishte i lyer dhe kishte pllaka të dëmtuara në dyshemenë e kuzhinës.

Në kopshtin numër 8 Inspektorati Shëndetësor konstaton se ka mungesë të rrjetës në dyert e kuzhinës, në dhomat e gjumit dhe në katin e parë ka prezencë lagështire.

Inspektorati Shëndetësor në kopshtin numër 39 konstatoi mungesën e aspiratorit në kuzhinë, mungesën e rafteve dhe skarat e kullimit të enëve në kuzhinë, rubineti, dhe probleme me larësen e rrobave.

Te kopshti 101 Dalmatët (nr. 19), kishte një sallë dhe tualet, ndërsa në katin e dytë u evidentua prania e lagështirës; ndërsa në kopshtin numër 20 u konstatua mungesë e rrjetave të telit në dritaren e kuzhinës.

Në kopshtin Xixëllonjat (nr. 64), kishte probleme me suvanë e tavanit në korridorin e katit të parë, mungesë dezinfektimi dhe lyerje të pjesshme të ambienteve të kopshtit, konstaton më tej Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.

Bashkia pas konstatimeve në kopshtet e rikonstruktuara rishtazi, duket se ka marrë masa për përmirësimin e problemeve.

“Është kryer ri-inspektimi në periudhën shtator-tetor, ku është evidentuar realizimi i të gjitha detyrave të lëna dhe si rrjedhojë nuk është marrë asnjë masë administrative”, – shkruan Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në përgjigjen e tij.

Por, të njëjtin reagim duket se Bashkia nuk e ka pasur ndaj rekomandimeve që kanë dalë pas monitorimit të shoqatës Together for Life, ku kërkohej specifikisht shtimi i hapësirave fizike për fëmijët dhe rritja e kontrollit të brendshëm.

“Nga komunikimi i fundit përmes një shkrese zyrtare në janar të vitit 2019, na ka rezultuar që gjatë vitit 2018 nga ana e Bashkisë së Tiranës është investuar vetëm për mirëmbajtjen e kopshteve, por jo investime konkrete”, – tha drejtoresha Eglantina Bardhi për Qendrën për Gazetari Cilësore.

Nisma Adopto një kopsht solli përmirësime në kushtet e kopshteve në kryeqytet.

Sfida mbetet që përmirësimet dhe investimet duhen matur, jo me gjendjen që ka qenë, por me standardet e kohës.

(Foto në fillim të shkrimit, credit: Gazeta Shqip)

*Redaktor: Lutfi Dervishi

**Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Tiranalytics: Një vlerësim i shpenzimeve publike të qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës” që mbështetet nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane pwr Zhvillim dhe Bashkëpunim. Opinionet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht opinionet dhe qëndrimet e donatorit.

 

 Ndiq në Twitter:  Geri Emiri