Institucionet tolerojnë në heshtje dypunësimin e forcave të sigurisë

Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës, ku dypunësimi është i ndaluar me ligj, deklarojnë se gjatë pesë viteve të fundit nuk kanë evidentuar asnjë të tillë, ndërsa realiteti tregon të kundërtën.

Të fortë fizikisht, të stërvitur mirë, me armë që mund t`i mbajnë me vete në çdo kohë, me një pagë, e cila nuk iu mundëson shpenzime të shumta dhe me një ofertë gjithnjë te pragu i derës, forcat shqiptare të sigurisë shpesh dypunësohen në kundërshtim me ligjin.

Ky fenomen, i cili ka qenë i pranishëm prej dekadash në institucione si Polica e Shtetit, është ulur me kalimin e viteve, por një investigim i Qendrës shqiptare për Gazetari Cilësore tregon se ai është ende prezent, me një potencial të madh për të cenuar integritetin dhe efektshmërinë e forcave të sigurisë në vend.

Punët e dyta më të shpeshta janë ato si punonjës sigurie në klubet e natës ose si truproja të biznesmenëve dhe personave të tjerë të rëndësishëm. Nuk janë të pakta rastet, kur dypunësimi bëhet edhe pranë grupeve kriminale në vend, të cilat kërkojnë siguri dhe mbrojtje nga grupet rivale.

Më të parapëlqyerit janë punonjësit e sigurisë së reparteve speciale të ndërhyrjes dhe forcave Komando, për shkak të përgatitjes së tyre të lartë fizike dhe faktit se në punën shtetërore janë të përfshirë vetëm në raste emergjencash.

Dypunësimi ndalohet me ligj në Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës, në një kohë kur burimet thanë për Qendrën se rreth 20 për qind e efektivëve të këtyre institucioneve janë të dypunësuar.

Në Forcat e Armatosura shqiptare, ku dypunësimi lejohet, vitet e fundit është vërejtur prirja për abuzim me këtë fenomen, kur efektivë të ushtrisë shqiptare besohet se janë përshirë edhe në ngjarje kriminale si pasojë e “punës së dytë”.

Në të gjitha rastet dypunësimi i forcave të sigurisë konsiderohet nga ekspertët si i rrezikshëm, pasi i shtyn efektivët e sigurisë që të përfshihen në aktivitete kriminale dhe sjell performancë të ulët të institucioneve në sigurimin e qytetarëve.

Por, pavarësisht rreziqeve që ky fenomen mbart, institucionet e sigurisë duket se nuk kanë asnjë plan konkret për ndalimin e tij.

Investigimi zbulon se gjatë pesë viteve të fundit asnjë nga institucionet e sigurisë në vend nuk ka identifikuar efektivë të dypunësuar, duke lënë të kuptohet se fenomeni tolerohet në heshtje.
Lufta ndaj këtij fenomeni do të kërkonte rritjen e nivelit të pagave dhe infrastrukturës mbështetëse për këtë kategori.

Rreziku i kriminalizimit

Në këndet e njoftimeve të komisariateve të Policisë në Tiranë qëndron dukshëm një urdhër me porosi të ministrit të Brendshëm me 19 pika, i përditësuar në tetor të vitit shkuar, kur ish-gjenerali i ushtrisë shqiptare, Sandër Lleshi, u zgjodh ministër i Brendshëm.

Urdhri ka si qëllim t’iu kujtojë efektivëve të policisë disa nga detyrat e tyre funksionale.

“Të identifikohen punonjësit bodyguard që shërbejnë në lokale (ushtarakë, të Gardës, punonjës policie, RENEA, FNSH etj.”, – theksohet mes të tjerash në pikën 16 të tij.

Policia e Shtetit zyrtarisht nuk e lejon dypunësimin e efektivëve që shërbejnë në të dhe përjashtim bëhet vetëm në rastet e mësimdhënies.

“Dypunësimi për punonjësit e Policisë së Shtetit është i përcaktuar në procedura standarde për dypunësimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, ku përcaktohet se: Punonjësit të Policisë i lejohet të dypunësohet vetëm në fushën e mësimdhënies”, – thekson ky institucion për Qendrën.

Kategorikisht i ndaluar dypunësimi është edhe për punonjësit e Gardës së Republikës, një strukturë kjo e posaçme në varësi të Ministrisë së Brendshme që ka si mision ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe rezidencave të tyre.

Por, pavarësisht kësaj, ish-drejtues të Policisë së Shtetit dhe oficerë aktualë të këtij institucioni bëjnë të ditur se fenomeni i dypunësimit është ende i pranishëm dhe tolerohet në heshtje nga eprorët për shkak të pagave të ulëta.

Ndërkaq, Policia e Shtetit theksoi për Qendrën për Gazetari Cilësore se, prej “vitit 2014 e deri sot nuk ka pasur asnjë punonjës të proceduar për dypunësim”.

Po kështu, Garda e Republikës deklaron se, pavarësisht se organizon vazhdimisht kontrolle për shkeljet ligjore duke përfshirë dhe dypunësimin, “gjatë viteve 2014-2018 nuk ka patur raste të evidentuara nga ana jonë për punonjës konkretë të Gardës se Republikës që janë të dypunësuar.”
Nga ana tjetër, Forcat e Armatosura shqiptare deklarojnë se legjislacioni, nën të cilin ato veprojnë, nuk e ndalon dypunësimin, për sa kohë ushtaraku i përgjigjet institucionit brenda apo jashtë orareve të punës. I vetmi kufizim për këtë dypunësim është mos-shkelja e ligjit për Konfliktin e Interesit, një ligj ky me një fushë të gjerë veprimi dhe cilësime të përgjithshme.

Foto ilustruese, Antonio Çakshiri/ACQJ

Ushtria e Shqipërisë nuk shpjegon nëse ka një rregullore të brendshme, e cila parashtron kufizimet për punën e dytë, por theksohet se, “për periudhën janar 2014-tetor 2018 nuk ka patur procedime ndaj oficerëve për shkelje të kuadrit ligjor për dypunësimin”.

Pavarësisht kësaj, më 4 tetor të vitit të kaluar efektivi xhenio i forcave speciale Komando të Forcave të Armatosura, Mevjol Billo, në një lokal të zonës së ish-Bllokut në Tiranë ekzekutoi një person dhe plagosi dy të tjerë.

Sipas mediave në vend, Billo u përfshi në incident për shkak të punës së tij si truprojë i këngëtares Elvana Gjata dhe partnerit të saj, Ervin Mata.

Nikollë Ndoci, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, me 20 vite përvojë në institucion dhe pesë të tjera si pjesë e Gardës së Republikës, thekson se në një vend me kriminalitetit të lartë si Shqipëria oferta për të pasur punë të dyta shpesh “i vendos këta efektivë në pozita të bashkëpunëtorëve në krim”

Shërbimi i tyre, prania e tyre dhe përfitimi i pagesës nga individë të botës së krimit dhe konflikteve i bën këta efektivë po aq të inkriminuar sa dhe “bosët” e tyre që i paguajnë”, – theksoi ai.

Eksperti i kriminalistikës, profesor Luan Veliqoti, thekson të njëjtën ide, duke e konsideruar punën e dytë shpesh si futjen në një rreth vicioz që i kriminalizon forcat e sigurisë.

“Punëmarrësi mund të jetë një person me precedentë penalë dhe mund të kërkojë favore ndaj të punësuarit dhe ky i fundit detyrohet t`i plotësojë ato, në mënyrë që të arrijë të mbajë punën”, – tha ai.

Sipas Veliqotit, një tjetër efekt negativ që vjen nga puna e dytë është edhe humbja e interesit për punën bazë në shërbim të sigurisë së qytetarëve.

“Efekt tjetër negativ sjell edhe në performancë. Një punë e dytë ndikon në performancën e punonjësve, prandaj dhe ndalohet me ligj në rastin e efektivëve të sigurisë”, – thekson ai.

Nikollë Ndoci, i cili është edhe përfaqësues i shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim, gjithashtu thekson se dypunësimi i bën këta efektivë pothuajse të paaftë të kryejnë shërbimin për të cilin paguhen nga shteti.

Pagat e ulta favorizojnë dypunësimin

Sipas vendimit të qeverisë së vitit 2017, paga bruto bazë e një ushtaraku nis nga 33,600 Lekë dhe shkon deri në 49,650 Lekë. Pavarësisht gradës, edhe në rastet kur ushtaraku ka mbi 10 vite angazhim paga nuk e kalon kufirin e 59,800 Lekë. Shtesat për vështirësi në punë gjithashtu janë të një kufiri të ulët.

Ekspertët e sigurisë përgjigjen njëzëri se një nga arsyet që i shtyn efeketivët e institucioneve të Sigurisë drejt dypunësimit janë pagat e ulta për një punë të vështirë.

Policia e Shtetit ka një nivel pagash bruto që nis nga 50,000 Lekë për inspektorët dhe kulmon në 125,000 Lekë për drejtuesit madhor. Shtesa për gradat kap nivelin më të lartë për drejtuesit e reparteve speciale si RENEA prej 40,000 Lekë-sh dhe një mesatare prej rreth 12,000 Lekë-sh për funksionet e tjera të veçanta.

Reparti special RENEA, foto ilustruese Antonio Çakshiri/ACQJ

Efektivat e njësisë së posaçme të Gardës së Republikës kanë një nivel pagash bruto që nis nga 40,500 Lekë dhe shkon deri në 115,000 për drejtuesit madhor. Shtesat për gradat kanë një mesatare prej 17,500 Lekë-sh.

“Paga jonë shkon diku te 54,000 mijë lekë neto, e pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet për të bërë një jetë normale, përpos orareve të tejzgjatura dhe rrezikut që ka kjo punë”, – thekson oficeri i Policisë në Tiranë.

Sipas tij, situata bëhet më e vështirë, kur efektivët e forcave të sigurisë kanë për të paguar qira banimi.

Eksperti i kriminalistikës, profesor Luan Veliqoti, thekson për Qendrën se Shqipëria është një nga vendet e pakta në botë ku pagat e ulëta të punonjësve të sigurisë nuk kompensohen me shërbime të tjera në ndihmë të kësaj kategorie.

“Ajo që ata bëjnë është punë me rrezik dhe kudo në botë pagesat janë dinjitoze dhe plus tyre punonjësit e sigurisë përfitojnë bonuse të tjera.

Në Turqi, p.sh., ku pagat e policisë janë më të ulëta se në vendet e Perëndimit, shteti siguron për këtë kategori shërbime spitalore falas, pushime, shtëpi etj.”, – theksoi ai.

Aktualisht, forcave të Policisë në vend nuk iu paguhen as orët shtesë të shërbimit, një problem i cili ka qenë prej vitesh i pranishëm në Policinë e Shtetit. Një urdhër i muajit shkurt, i lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, thekson se, si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm, orët shtesë të efektivëve të policisë gjatë vitit 2018 nuk do të paguhen, por do të shpërblehen vetëm me ditë pushimi.

Me protestat e vazhdueshme partiake në vend, zgjedhjet lokale dhe fluksin që krijon stina e verës ky vendim pritet të dekurajojë edhe më shumë forcat e sigurisë në vend.

Gjithsesi, Nikollë Ndoci, përfaqësues i shoqatës se Punonjësve të Policisë në Lirim, thekson se dypunësimi i forcave të sigurisë nuk mund të përligjet në asnjë rast, si pasojë e rreziqeve të shumta që ai mbart.

Sipas Ndocit, arsyeja e vërtetë pse ky fenomen vijon është fakti se asnjëherë ndaj tij nuk ka pasur një luftë serioze.

“Ata përdorin forcën fizike, pushtetin e armës që mbajnë me leje, funksionin shtetëror ku shërbejnë dhe faktin që askush nuk i ka penguar apo pengon të dypunësohen”, – theksoi ai.

Sipas tij, fenomeni i dypunësimit në strukturat e sigurisë ka qenë dhe vijon të kryhet në dijeninë e plotë të eprorëve, përveç ndonjë rasti sporadik.

 

*Në foton në fillim të shkrimit, efektivë policie të forcave Shqiponja

 Ndiq në Twitter: Fjori Sinoruka