Municionet e pashpërthyera ushtarake ende kërcënojnë jetë

Në 20 vitet e fundit 151 persona kanë humbur jetën dhe 851 të tjerë janë plagosur nga mbetjet shpërthyese, luftarake, në një kohë kur rreziku në disa zona është ende i pranishëm.

Shqipëria, një vend i cili në 75 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë luftë në territorin e saj, sot është përsëri larg të qenit e sigurt nga mbetjet eksplozive, ushtarake.

Një investigim i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore zbulon se ky rrezik gjendet në det dhe në tokë, ku granata dore, predha, bomba dhe mina qëndrojnë ende të pashpërthyera, duke sjellë një kërcënim serioz, veçanërisht për jetën e banorëve që jetojnë afër këtyre zonave.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata problematike është e trashëguar nga shpërthimet e depove të armatim-municionit në të gjithë vendin gjatë trazirave civile në vitin 1997, mbetjet e pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore, si dhe mbetjet eksplozive në ish-rajonet dhe poligonet e asgjësimit të municioneve.

Një nga zonat, e cilat sot konsiderohet nga më problematiket, është ajo e Jubë-Sukthit në Durrës, e cila ka shërbyer si një zonë trajnimi për ushtrinë shqiptare për vite me radhë, kryesisht për qitje tokësore dhe detare, por edhe për shpërthime të municioneve.

Në zonën, e cila në perëndim kufizohet nga deti Adriatik dhe në lindje nga tokat bujqësore të fshatrave Rinia, Bisht-Kamëz dhe Jubë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjendet ende një sipërfaqe prej 938,779 m2 e papastruar nga mbetjet shpërthyese.

Një zonë tjetër e rrezikshme është edhe ajo afër fshatit Sinanaj në Tepelenë.

Në maj të vitit 2006 demontimi i municioneve në një depo aty solli një aksident të rëndë, ku humbi jetën një tetar i ushtrisë shqiptare dhe u plagosën tre rreshterë. Ky shpërthim solli dhe kontaminimin e një sipërfaqeje toke prej 200,000 m2 në këtë zonë, e cila vijon ende të jetë e papastruar.

Por,marsi i vitit 2008 solli në vend njëtragjedi të madhe si pasojë e mungesës së trajnimit dhe kushteve të sigurisë në shpërthimin e municioneve.

Në Gërdec 26 njerëz humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi gjatë procesit të demontimit.

Municionet e paplasura i kanë sjellë në 20 vitet e fundit një bilanc lufte Shqipërisë, ku, si pasojë e shpërthimit të tyre, 151 ushtarakë dhe civilë kanë humbur jetën dhe 851 të tjerë janë plagosur.

Rreziku në Jubë-Sukth

Puna për pastrimin e sipërfaqeve ushtarake nga municionet shpërthyese për disa nga zonat më të vështira nisi me intensitet në vitin 2012 me ndihmën dhe nën drejtimin e organizatës norvegjeze NPA (Norwegian People’s Aid), mbështetur me fonde të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Momente nga puna e kompanisë Norvegjeze të pastrimit në hotspotin Jube- Sukth Durrës.

Si pasojë e këtij bashkëpunimi, në shumë nga depot dhe tunelet ushtarake demontimi i municioneve të rrezikshme ka përfunduar. Sipas ministrisë, numri i zonave të rrezikshme me municione të paplasura aktualisht është reduktuar në 2 nga 19 të identifikuara në fillim të vitit 2011.

Një nga këto dy zona, ku puna ende nuk ka përfunduar, është sipërfaqja e hapur e Jubë-Sukthit.

Harta e zonës

NPA tha për Qendrën se ata kanë përfunduar fazën e parë të pastrimit të zonës dhe se do ta ndihmojnë ushtrinë shqiptare që brenda vitit 2019 të fitojë kapacitet dhe ekspertizë për pastrimin e saj të plotë.

“Grupet e punës së NPA-së kanë gjetur dhe asgjësuar 16,000 lloje të ndryshme elementesh ushtarake, që nga kapsollat, predhat dhe mortajat. Po kështu, gjatë procesit të pastrimit u gjenden dhe bomba të mëdha ajrore, disa prej tyre dy metra nëntokë dhe po kështu edhe mina antitank”, – thanë përfaqësuesit e kësaj organizate.

Momente nga puna e kompanisë Norvegjeze të pastrimit në hotspotin Jube- Sukth Durrës.

Puna për përfundimin e pastrimit të plotë të kësaj zone pritet të zgjasë, në një kohë kur toka e kontaminuar aty është sfiduese dhe nuk mund të punohet gjatë kohës së shirave.

Nga ana tjetër, kjo zonë përreth ish-poligonit të qitjes ka nisur të popullohet me shpejtësi për shkak të afërsisë së saj me detin dhe po kështu me kryeqytetin.

Redion Qirjazi, drejtuesi i Programit për Siguri pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM (edhe oficer në rezervë dhe që ka planizuar dhe zhvilluar disa stërvitje në Jubë), tha për Qendrën se kjo zonë është konsideruar gjithmonë si tepër e rëndësishme për stërvitjet ushtarake dhe për këtë arsye afër saj nuk ka pasur zona të banuara.

“Gjatë viteve të komunizmit kjo zonë ishte konceptuar si një bazë me poligon dhe një pjesë e madhe e shtëpive që tani ndodhen përreth saj nuk ekzistonin. Lëvizja e popullsisë, e kontrolluar ose jo, ka bërë që shumë shtëpi të vendosen në afërsi të zonës stërvitore, madje disa biznese,siç janë restorantet e peshkatarëve, të depërtojnë në brendësi të saj”, – theksoi ai.

Por,përveç joshjes për të nxjerrë fitime nga produktet e detit në këtë zonë, skrapi i municioneve ushtarake që gjendet nën ujë është bërë gjithashtu një tundim tejet i rrezikshëm.

Arben Braha, drejtor i Zyrës për Koordinimine Minave dhe Municioneve (AMMCO), tha për Qendrën se grumbulluesit e metaleve të municioneve për skrap shpesh mbledhin pjesë metalike në ujë për t’i shitur.

“Ky aktivitet përbën një rrezik për ta, prandaj ne kemi zhvilluar aktivitete sensibilizimi për banorët që jetojnë në afërsi të këtyre zonave duke iu bërë me dije rrezikun e mundshëm”, – theksoi ai.

Eva Veble e NPA-së (Norwegian People’s Aid), thotë se vazhdimisht takohen me banorë të zonës dhe i këshillojnë të mos prekin municione të pashpërthyera, të mos lëvizin materiale të shënjuara dhe të mos futen në zonë. Organizata ka vendosur sinjalistikë paralajmëruese në hyrje të zonës.

“Por, në mënyrë të përsëritur kjo sinjalistikë hiqet”, – shprehet ajo.

Edhe për banorët që jetojnë përreth zonës nuk është e lehtë të jetojnë me rrezikun e municioneve të pashpërthyera pranë tyre.

Daniela, 12 vjeç, shtëpia e së cilës ndodhet shumë pranë zonës së asgjësimit, thotë se nuk del asnjëherë shëtitje rreth asaj zone, pasi prindërit e kanë lajmëruar se është e rrezikshme.

Ministria e Mbrojtjes ka si qëllim pastrimin e plotë të zonës dhe dorëzimin e saj tek autoritetet vendore me qëllim përdorimin e saj për turizëm.

Por kjo nuk është një ide që mbështetet nga të gjithë.

Sipas Redion Qirjazit të IDM-së, përsa kohë një vend ka një ushtri, atëherë ai duhet të ketë zona të mëdha stërvitore që të shërbejnë ekskluzivisht si të tilla.

“Në çdo vend të botës këto zona ruhen për t`i shërbyer interesave të sigurisë kombëtare. Fatkeqësisht, qeveritë e shumta shqiptare e kanë nënvlerësuar këtë qëllim, duke reduktuar gjithmonë e më shumë zonat ushtarake dhe duke lejuar afrimin e zonave urbanepranë tyre.

Kjo sjell dhe reduktimin e aktiviteteve ushtarake”, – tha Qirjazi.

Në një kohë kur diskutimi mbi hapësirat ushtarake në vend është strategjik, nevoja për siguri nga municionet e së shkuarës mbetet emergjente.

 

*Në foton e parë në fillim të shkrimit, ekspertë të ushtrisë duke mbledhur municione të pashpërthyera nga zonat e rrezikshme (Arkiv)