Reforma zgjedhore: Shoqëria Civile në pritje të fatit të propozimeve

Katër organizata të shoqërisë civile, pesë muaj më parë, në Tetor 2019 iu drejtuan me një letër partive politike, me propozime për ndryshime në kodin zgjedhor. Përfaqësuesit e shoqërisë civile gjykojnë se reforma zgjedhore duhet të prekë edhe ligjin për partitë, financimin e fushatave si dhe vetë rolin e forcave politike në menaxhimin e zgjedhjeve.Organizatat kërkojnë të jenë kontributor aktivë të këtij produkti, gatimi i të cilit i duhet lënë në dorë ekspertëve.

“Proçesi i debatit mbi reformën në sistemin zgjedhor dhe legjislacionin plotësues (ligji mbi partitë politike, financimi elektoral dhe administrimi zgjedhor) të realizohet kryesisht mbi bazë ekspertize (përmes ekspertëve të pavarur shqiptarë e ndërkombëtarë dhe ekspertëve të partive politike). Vendimmarrja politike të jetë vijim i produktit të ekspertizës dhe jo e kundërta”, nënvizohet në letrën e OSHC-ve.

Sistemi proporcional miks i aplikuar në Republikën e Shqipërisë gjatë viteve 90: Sistemi miks i aplikuar më 1992 në Shqipëri, me 100 zona në mazhoritar dhe formulë kompensuese me 40 mandate në proporcional kombëtar me prag elektoral 2.5 përqind”, vazhdon letra.

OSHC-të shprehen me vetëdije se asnjë sistem në vetvete nuk është garanci për zgjedhje me standarte të larta. Ata apelojnë për një ligj të ri bashkëkohor për partitë politike, një ligj të ri mbi financimin elektoral, si dhe heqjen e monopolit të partive mbi procesin e administrimit zgjedhor.

Afrim Krasniqi, drejtuesi i një prej organizatave lidere në letër, Institutit Për Studime Politike tha për Qendrën Për Gazetari Cilësore/BIRN se ligji i partive politike i vitit 2010, është tërësisht jo funksional dhe jashtë realitetit.

“Një ligj i ri do të mundësonte detyrimin e partive për të qenë më demokratike nga brenda (siç kërkohet edhe nga neni 9 i Kushtetutës), më funksionale me struktura e vendimmarrje, më e ndarë nga shteti dhe jo kaq të mbipushtetshme sa janë sot”.

Administrimi i zgjedhjeve në Shqipëri është bërë gjithmonë përmes partive politike. Që nga reforma elektorale e 2003, ka mbizotëruar pariteti politik pozitë/opozitë në gjithë piramidën zgjedhore (Komision Qendror i Zgjedhjeve, Komisionet e Administrimit Zonal dhe Komisionet e Qendrave të Votimit) shoqëria civile mendon se ka ardhur koha që të hiqet dorë nga monopoli i dy partive.

Sistemi proporcional i propozuar nga OSHC-të:
“Sistemi proporcional me lista të hapura shumë emërore të partive (ku zgjedhjet e votuesve përcaktojnë rendin në listë), me një zonë zgjedhore (kombëtar), me prag elektoral 2.5 përqind për partitë dhe 4 % për koalicionet.”

“Ne mendojmë, – thotë Krasniqi,  se ka ardhur koha që  përgjegjësia të kalojë tek grupe të ndryshme sociale, siç janë studentët e drejtësisë, punonjësit e bankave apo mësuesit e komunitetet e shoqërisë civile lokale. Një bazë e fortë kundër përdorimit të burimeve shtetërore në fushata elektorale dhe rekordeve kriminale të kandidatëve do të sillte ndarjen e qartë të axhendave të fushatës nga axhenda shtetërore, minimizim të shpenzimeve, rritje të cilësisë së parlamentit dhe detyrimin e partive për të krijuar elita konkurruese”.

Panajot Sako i nismës Thurje thotë se më shumë se për depolitizim të strukturës zgjedhore bëhet fjalë për (de)militarizim.

“Sot, komisionet zgjedhore trajtohen si fushë-beteja dhe partitë i konsiderojnë antarët që dërgojnë aty, si ushtarë që shkojnë në luftë. Dhe kjo e ka shndëruar edhe efektivisht administrimin në qelizë të zgjedhjeve, në një betejë, ku vota e qytetarit është plaçka që merr fituesi apo humbësi i betejës. KQV-të që shndërrohen në arena boksi, sherrnaje dhe plaçkitjeje. Grupe numërimi që me një sms të kryetarit të partisë bllokojnë procesin edhe për javë të tëra dhe qytetarët mbeten në dorë të tekës së njërit apo tjetrit kryetar partie për të marrë vesh fatin e zgjedhjeve të tyre. Kjo çmenduri duhet të marrë fund!” shtoi Sako.

A do të merren parasysh propozimet e shoqërisë civile?

“Në fazat e para të debatit duket sikur ka një kujdes dhe vëmendje ndaj propozimeve të grupeve të interesit. Përshtypja e parë është se propozimet po dëgjohen dhe po mbahen shënim. Por sapo kalon faza e parë…dhe kur nis shkrimi konkret i ndryshimeve, nuk kemi patur më ftesa”, – thotë Afrim Krasniqi nga ISP.

“E njëjta situatë është edhe tani. Pas krijimit të Këshillit Politik midis mazhorancës e opozitës nuk kemi pasur më ftesa dhe as mundësi komunikimi me grupin që po merret me reformën zgjedhore”. Kemi adresuar disa sugjerime të reja shtesë, por në përgjithësi në 90% të rasteve si në të kaluarën edhe tani, nuk kemi pasur përgjigje nga Komisionet për reformën.

Vendimmarrësit nuk janë krejt indiferentë. Në morinë e propozimeve ata përzgjedhin çfarë u pëlqen. “Ndihemi mirë, – thotë Krasniqi,  që insistimin tonë të 3-4 viteve të fundit për një ligj të ri të partive politike tashmë palët e kanë pranuar dhe publikisht kanë deklaruar nevojën e një ligji të ri. E njëjta situatë është edhe sa i përket plotësimit të legjislacionit mbi referendumet apo forcimin e komponentëve të transparencës financiare elektorale. “Megjithatë, si edhe në të kaluarën edhe tani, sa herë partitë pranojnë një ide të shoqërisë civile, ato e bëjnë këtë shumë vonë dhe kujdesen që ta prezantojnë si ide të veten, pra të mos lejojnë që aktorë të tjerë si shoqëria civile, të fuqizohen si zë dhe të pranohen si palë në reforma të tilla’’ tha Krasniqi nga ISP.

Shoqëria civile në unison me rekomandimet e OSBE – ODHIR.

Përfundimi i zgjedhjeve në Shqipëri shoqërohet  me rekomandimet e OSBE – ODHIR. Rekomandimet nuk janë të pakta dhe lista vjen duke u shtuar. Aktualisht janë 34 rekomandime që priten të adresohen. Organizatat e Shoqërisë Civile janë pothuaj në unison me këto rekomandime.

“Kërkesat tona nuk kanë ndonjë ndryshim thelbësor nga ato të ODIHR–it, përkundrazi konvergojmë në një emërues  të  përbashkët në realizimin e proçeseve zgjedhore me standarte dhe sa më pak të kontestuara e gjithëpranuara nga klasa politike në vend” tha për BIRN/ACQJ, Gerta Meta nga Shoqata për Kulturë Demokratike (SHKD).

SHKD, në të gjitha deklaratat e saj publike nënvizon faktin se Reforma zgjedhore ka dështuar me vullnetin e palëve dhe vazhdon të mbetet peng i mungesës  së qëllimshme të vullnetit  politik sidomos të dy partive të mëdha PS dhe PD.

Ndryshimet janë peng i mungesës së vullnetit politik për të dakordësuar një sistem zgjedhor që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme ku vota e sovranit të lexohet e kalkulohet sipas zgjedhjes që bën realisht sovrani dhe jo të deformohet nga militiantët politik, thotë Meta. Për drejtuesen e SHKD është me rëndësi që të respektohen te gjithë penalitetet e përcaktuara për gjithë ata persona që shkelin ligjin zgjedhor.

Vota emigrantëve, premtim i pambajtur

Por vëmendja dhe koha më e madhe për debatet për reformën zgjedhore lidhet me dy çështje që nuk janë në listën e gjatë të rekomandimeve të OSBE- ODHIR-it, njëra është vota e emigrantëve dhe tjetra, përdorimi i teknologjisë në zgjedhje.

Afrim Krasniqi nga ISP thekson se çështja e votës së emigrantëve duhet të marrë një zgjidhje serioze. Ai kujton se qeveria shqiptare e nëshkroi  marrëveshjen me IOM më 2004 dhe premtoi jetësimin e votës së tyre më 2009.

“Kanë kaluar 10 vjet dhe nuk ka ndodhur asgjë. Palët e përdorin votën e emigrantëve për qëllime elektorale dhe pas saj e harrojnë, pasi nuk kanë interes më për ta. Nuk mund të kesh prioritet emigrantët dhe nga ana tjetër me politika të gabuara të rrisësh çdo vit shifrat e emigrantëve të rinj që largohen nga vendi”.

Shqipëria nuk ka ende një regjistër të emigrantëve dhe as një mekanizëm përfaqësimi të tyre. “Prej vitit 2009 dhe sidomos më 2011, 2015 dhe 2017, palë politike sollën emigrantë me avionë e autobusë nga jashtë vendit për të siguruar vota dhe pas zgjedhjeve i braktikën realisht votat e tyre,”tha Krasinqi.

Gerta Meta nga SHKD nënvizon se “përfshirja e votës së emigrantëve dhe përfaqësimi i tyre në parlament do të  rriste besimin e  qytetarëve te vota e tyre si dhe do të minimizonte abuzimin e manipulimin me votën e emigrantëve duke mos lejuar  përdorimin e votës  së tyre nga persona të tjerë, duke rritur artificialisht numrin e votuesve në ditën e zgjedhjeve”. 

A është sistemi zgjedhor nën presionin e 51,724 firmave

“Ndryshimi i sistemit zgjedhor është një prej objektivave kryesorë të nismës #Thurje. Aksioni njëvjeçar i nismës u finalizua me firmat e mbi 51,724 qytetarëve në moshë votimi dhe një projektligj të dorëzuar te Komisioni Reformës Zgjedhore.Në projektligj kërkohet sistem zgjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura, numërim elektronik i votave, votim i emigrantëve dhe zgjerimin e kopetencave të KQZ-së për të administruar zgjedhjet. Ne gjykojmë që vendi ka nevojë jetike për një injeksion me dozë të lartë të demokracisë pjesëmarrese,”thotë Panajot Sako i nismës Thurje.

“ …Qytetari të ketë në dorë më tepër, sesa thjesht një apel rreshtor një herë në katër vjet!”.

Sako mendon se presioni i mbi 50 mijë firmave të votuesve do të jetë i mjaftueshëm për të bindur partitë e mëdha që kanë një propozim që nuk mund të injorohet.

Propozimet e organizatave të shoqërisë civile për reformën zgjedhore janë në tryezën e Këshillit Politik, një mekanizëm ad hoc që tani balancon edhe përfaqësinë e opozitës parlamentare dhe asaj jo parlamentare. Ndryshimi i sistemit, depolitizimi i strukturës zgjedhore, financimi i partive dhe fushatave zgjedhore, vota emigrantëve janë propozime kryesore të shoqërisë civile.  Për këto propozime do të vendosin partitë politike. A do të heqin dorë nga monopoli i administrimit të zgjedhjeve dhe a do të jenë më transparente për financimin e fushatave? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të testohen në javët në vijim, që është edhe afati i vendosur për të patur një reformë zgjedhore konsensuale.

 

more recommended stories