Partitë nuk tregojnë paratë!

Partitë politike, flasin për gjithçka me përjashtim të financave të tyre!

Kushtetuta, ligji për partitë politike, kodi zgjedhor kërkojnë transparencën financiare të partive politike. Transparenca financiare e partive politike i ngjan legjendave. Shumë flitet për to, por pak shihen.,

Pak kush e di që paguajmë të gjithë për partitë politike.  Partitë politike, në pushtet apo opozitë, në Parlament apo jashtë saj, të sapokrijuara apo me 30 vjet përvojë paguhen nga buxheti shtetit.
Por ajo që nuk dihet është mënyra se si i shpenzojnë paratë partitë politike. Nuk janë vetëm paratë e buxhetit, partitë marrin fonde nga anëtarësia dhe kanë të drejtë të krijojën burime të ardhurash sipas ligjit.

Albanian Center for Quality Journalism, i dërgoi një kërkesë për informacion 3 partive kryesore në vend, Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Demokratike e Shqipërisë si dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, për të mësuar sa anëtarë ka secila nga këto parti në Shqipëri dhe cila është kuota mujore që anëtarët paguajnë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë një përgjigje.

Kontributi i anëtarësisë nuk njihet, po ashtu nuk njihen as të ardhurat që krijohen nga aktivitete ekonomike që mund të kryejnë partitë.

Ndiq paratë është një një këshillë e famshme për të gjithë ata që duan të zbulojnë korrupsionin. Në fakt kërshëria për të mësuar për financimet e tre partive më të madhe politike në vend niset nga një detyrim kushtetues që kanë 127 partitë politike që veprojnë në Shqipëri.  (në zgjedhjet e fundit, numri partive që garojnë luhatat nga 60-70 parti)

Neni 9 i Kushtetutës thotë se “burimet financiare të partive politike dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike”.

Por ky nen, që nga 29 nëntori i vitit 1998, ditë që ka hyrë në fuqi Kushtetuta, nuk ka gjetur zbatim.

Nëse hedh një sy në faqet zyrtare të 3 partive politike parlamentare, PS, PD, dhe LSI, për PD dhe PS nuk ka asnjë informacion për buxhetin dhe financat, ndërsa tek faqja zyrtare e LSI, kjo e fundit ka një kategori në lidhje me buxhetin, por informacioni i fundit që është, ka të bëjë me buxhetin e tre viteve më parë, të  vitit 2017.

Në ligjin “Për partitë politike” përcaktohet se “barrën e përgjegjësisë” për të monitoruar burimin e financimit të partive politike si dhe shpenzimet e tyre e ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili kryen auditet financiare të subjekteve politike.

Nga ana tjetër, partitë politike duhet të dorëzojnë pranë KQZ raportet e tyre financiare, duke përfshirë edhe raportet financiare të fushatave zgjedhore një herë në vit.

Ligji përcakton edhe mënyrën se si partitë politike duhet të financohen nga buxheti i shtetit, kuotat e anëtarësimeve dhe fondet jo publike.

KQZ- audituesi formal i fushatave zgjedhore

Partitë politike kanë detyrim ligjor të deklarojnë burimet e tyre financiare dhe shpenzimet gjatë fushatës pranë Komisonit Qendror të Zgjedhjeve, gjithashtu ato dorëzojnë edhe raportet financiare gjatë fushatave zgjedhore pranë këtij institucioni.

Dokumentat tregojnë se për fushatën zgjedhore të vitit 2017, Partia Socialiste e Shqipërisë ka pasur një total të ardhurash prej 93,882,849 lekësh nga të cilat 28,044,942 lekë vijnë nga fondet publike, 9,213,274 lekë nga persona fizikë dhe 56,634,633 janë deklaruar të ardhura që i krijon vetë subjekti.

Ndërsa Partia Demokratike e Shqipërisë për fushatën zgjedhore të vitit 2017, ka pasur një total të ardhurash prej 88,045,551 lekë dhe ka deklaruar se këto janë të ardhura të siguruara vetëm nga fondet publike.

LSI, partia e tretë për nga madhësia ka deklaruar një total të ardhurash prej 75,283,960 lekë, nga të cilat 23,499,960 lekë vijnë nga fondet publike, 13,967,727 nga persona fizikë, 24,325, 626 nga persona juridikë dhe 13,490,647 lekë të krijuara.

Në asnjë nga rastet e deklarimit nuk jepen detaje apo identifikim i personave fizikë të cilët kanë dhuruar para për partitë politike.

Një studim i realizuar nga Fondacioni Westminister për Demokraci dhe nga Instituti Shqiptar për Sipërmarrjen për shpenzimet e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, tregon qartë se shpenzimet për fushatat zgjedhore janë shumë më të larta sesa deklarohen.

Raporti rekomandon që duhet të ndryshohet ligji aktual që mbikqyr funksionimin e partive politike.
“ Ligji aktual nuk ka fuqi mjaftueshëm që t`i detyrojë partitë politike të deklarojnë shpenzimet dhe të ardhurat gjatë fushatave zgjedhore. Partitë politike në Shqipëri janë organizata publike por sillen sikur të jenë private, gjë që e bën të vështirë supervizimin e tyrë nëpërmjet mekanizmave kushtetues”, theksohet në raport.

Alfrim Krasniqi, i cili drejton Institutin e Studimeve Politike thotë se partitë politike nuk janë transparente në deklarimet e burimeve të financimit.

“Ligji është i pazbatueshëm, sidomos nga partitë e mëdha dhe problematika tjetër është se ekpertët që përcaktohen nga KQZ për të kontrrolluar financat e partive politike, paguhen nga vetë partitë, kështu që nuk kanë as mundësinë dhe as mekanizmat për të bërë një kontroll real”

Partitë politike përdorin fondet publike për aktivitetin e tyre të përditshëm dhe për fushatat zgjedhore, por ata nuk i nënshtrohen kontrollit nga Kontrollli i Lartë i Shtetit (KLSH).

KLSH thotë se ka një problem teknik që e pengon. Fondet e buxhetit të shtetit nuk figurojnë si zë më vete.

KLSH ka për detyrë të kontrollojë përdorimin e fondeve që iu janë dhënë nga buxheti shtetit partive politike dhe shoqatave.

Nga ana e vet KLSH druhet se gjetjet dhe rekomandimet e audituesve të saj do të intepretoheshin nga partitë politike si sulm politik duke cënuar “kredibilitetin si institucion i pavarur kushtetues”.

KLSH, gjithashtu i ka “duart e lidhura” nga vendimi Nr. 33, datë 09.05. 2001, i Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë se partitë politike “në aspektin kushtetues dhe ligjor nuk mund të njëhësohen me institucionet shtetëror…” dhe fjalia fatale është… “partitë politike mbeten jashtë grupimit të subjekteve juridike për ‘tu kontrolluar për veprimtarinë e tyre ekonomike dhe financiare.

Në mungesë të audituesve të KLSH, mbetet që vetë partitë politike të bëjnë transparent financimet e tyre.

“Asnjë parti politike nuk bën transparencën financiare dhe shkelësit kryesore të ligjit janë partitë e mëdha politike. Merrni rastin e fundit, patëm një kongres tre ditor dhe një miting në Tiranë, me shpenzime luksi në teknologji, në dekor, në salla, në pritje, në të ftuar, etj, dhe nuk ka ende asnjë të dhënë publike se kush paguan për to. Kur kjo ndodh në ditët kur komisioni i reformës është i mbledhur dhe nën presion të vendosë për reformën e transparencës financiare, imagjinoni se cfarë ndodh në periudha të fushatave elektorale”, thekson Krasniqi.

Edhe në raportin e fundit të OSBE – ODHIR për zgjedhjet lokale theksohet se një ndër rekomandimet e paadresuara është transparenca në financimin e fushatave të partive politike.

Për zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017 raporti thekson mungesën e transparencës.

“Rregullave që pasuan që kishin të bënin me fushatën u mungoi konsistenca dhe qartësia, dhe ato nuk siguruan transparencë të mirëfilltë të financimit të fushatës përpara ditës së zgjedhjeve.” – nënvizon raporti OSBE- ODHIR.

Rregullat për financimin e fushatës kanë ardhur duke u bërë më të rrepta, por zbatimi i tyre mbetet më shumë formal.

Sipas Kodit Zgjedhor, çdo parti duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar simodel me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në nenin 89 të këtij Kodi dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet nga KQZ-ja dhe është e detyrueshme për t’u nënshkruar në çdo rast dhurimi.

Në letër ky është një detyrim që synon transparencë maksimale. Por edhe ky detyrim i detajuar deri më tani ka mbetur në kufijtë e formalitetit.

Ashtu sikundër ka mbetur në letër edhe detyrimi kushtetues që burimet e financimit të partive dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike.

Ka më shumë se 22 vjet që ky detyrim kushtetues ka mbetur në letër!

 Foto në fillim të shkrimit: LSA

more recommended stories