Air Albania, premtimi për çmime low cost ka mbetur në letër

Air Albania u prezantua nga qeveria shqiptare si premtim për çmime më të ulëta për konsumatorët, por 10 muaj pas fluturimit të parë kompania nuk mund të quhet low cost dhe as ka ndikuar konkurrencën në treg për të ulur çmimet e larta të biletave.
Si kryeministri , ashtu edhe ministrja e Infrastrukturës premtuan fundin e çmimeve “të kripura” të linjave ajrore dhe “cilësinë e një kompanie ekselence”
“Air Albania është kompani shqiptare që është krijuar për të pasur çmime më të lira, low cost, por duke ofruar cilësinë e një kompanie ekselence”,- tha ministrja, Belinda Balluku, më 30 shtator 2019.

Por, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli (mars 2020), Air Albania nuk ka operuar asnjë ditë të vetme si kompani low cost.

Kompani që operon si low cost në territorin shqiptar mund të konsiderohet Wizz Air, e cila i nisi fluturimet nga Tirana më 19 dhjetor 2019. Me këtë linjë mund të rezervosh bileta me çmim edhe prej 15 eurosh për në Milano (Bergamo), në një drejtim, p.sh., në datën 22 prill apo 25 euro disa ditë më pas.

Nga vëzhgimi i realizuar, një biletë në destinacionet e Air Albania-s shpeshherë e gjejmë të katërtën apo të pestën në renditjen e çmimeve.
Biletat variojnë mesatarisht nga 85 euro (9,500 lekë), në klasin Economy Promo dhe në ditë festash çmimet shkojnë edhe 420 euro (50 000 lekë), për një udhëtim në Romë.

Për një fluturim vajtje-ardhje për në Milano, Itali, me Air Albania një biletë na kushton gati 12,000 lekë më shumë sesa çmimi më i lirë dhe ndodhet në pozicionin e pestë në radhitjen e çmimeve.
Këto çmime, jo vetëm që nuk i përkasin një kompanie low cost, por as nuk rrisin konkurrencën me linjat e tjera ajrore për të ulur çmimet e biletave.

Për një fluturim për në Romë me Air Albania një biletë kushton përsëri më shtrenjtë.
Në këtë rast udhëtarët paguajnë 8,000 lekë më shumë sesa oferta më e lirë dhe bileta ndodhet në pozicionin e tretë apo të katërt në radhitje.

Destinacioni i radhës, Stambolli, ku Air Albania është në partneritet me Turkish Airlines.

Këtu nuk mund të rezervojmë me emrin Air Albania, por me Turkish Airlines.

Por, edhe pse në partneritet me shtetin turk dhe Turkish Airlines, qytetarëve shqiptarë iu duhet të paguajnë sërish 10.000 lekë më shtrenjtë për një biletë në Stamboll.

E njëjta situatë edhe në linjën Tiranë-Bolonja, si në biletat vajtje-ardhje, edhe në biletat vetëm vajtje. Edhe për këtë destinacion shqiptarët paguajnë më shtrenjtë, nëse duan të udhëtojnë me Air Albania dhe të rralla janë datat, ku nga Air Albania mund të gjesh një biletë të paktën më lirë sesa konkurrentet e saj.


Hyrja në treg e dy kompanive të mëdha, Wizz Air dhe EasyJet, duket të jetë ajo çka ka sjellë uljen e çmimeve
të biletave ajrore.

Wizz Air ofron fluturime për 10 destinacione (Vjenë, Budapest, Londër, Bolonja, Munih, Milano, Piza, Bergamo, Venecia, Verona). Ndërsa EasyJet nga 1 maji i vitit 2020 do të ofrojë tri fluturime në javë me destinacion Londrën.
Çmimi i biletave për Air Albania, edhe pas deklarimit për shtimin e avionit të ri “Naimi”, mbetet i pandryshuar.

Air Albania, debate që nga dita e lindjes

Air Albania u themelua zyrtarisht më 16 maj 2018 dhe fluturimin e parë e realizoi më 19 prill 2019. U krijua nga një bashkëpunim midis qeverisë shqiptare dhe asaj turke nën një partneritet publik-privat. Turkish Airlines, një partner themelues, zotëron 49.12% të Air Albania-s.
50.88% i mbetur tregtohet publikisht, aktualisht ndahet midis Albcontrol-it, një korporatë në pronësi të qeverisë shqiptare, afërsisht me 10% të aksioneve dhe MDN Investment, një kompani me pronësi private në Shqipëri, afërsisht me 41% të aksioneve.
Sot, Air Albania zotëron 2 avionë, Migjeni dhe Lasgushi, dhe fluturon në 5 destinacione.
Më 29 mars 2020 është premtuar se do të nisë fluturimet edhe avioni i tretë, Naimi, që do udhëtojë për në Verona, Bergamo dhe Piza.

Por, që nga dita e themelimit dhe deri në shkurt të vitit 2020 shumë pak fakte dhe informacione konkrete janë bërë publike për projektin e linjës ajrore Air Albania dhe kërkesat për informacion publik shpërfillen nga institucionet.

Nga qeveria nuk është shpjeguar asnjëherë se çfarë gare është zhvilluar dhe mbi çfarë kriteresh është zgjedhur kompania MDN Investment, e cila është pa përvojë të drejtpërdrejtë në fushën e fluturimeve ajrore. Në ekstraktin e QKR-së shohim që MDN Investment si kompani është regjistruar më 7 maj 2018, vetëm 9 ditë përpara themelimit të Air Albania.
Nga ana tjetër, edhe Albcontrol është agjenci shtetërore dhe jo ndërmarrje në kuptimin komercial, pasi funksionon mbi parimin e caktimit të tarifës së mbikalimeve ajrore në bazë të principit të mbulimit të kostove. Kjo nënkupton që Albcontrol investon në teknologji e në anën operacionale për të mbuluar detyrimin e sigurimit të shoqërimit të avionëve që mbikalojnë hapësirën tonë ajrore dhe këtë kosto e përcjell me anë të tarifave te linjat që e përdorin këtë hapësirë.
Ligji nuk parashikon që Albcontrol të bëjë investime fitimprurëse apo me humbje.

Me krijimin e Air Albania-s Shqipëria hapi debat në lidhje me respektimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që kishte nënshkruar gjatë procesit të pranimit në Bashkimin Europian: https://europeanwesternbalkans.com/2019/04/09/ec-evaluate-possible-violation-eu-albania-saa/ Komisionari për Zgjerimin, Johannes Hahn, deklaroi më 9 prill 2019 se e kishte ngritur disa herë këtë shqetësim në të gjitha takimet me zyrtarët shqiptarë.
“Komisioni është në dijeni të ankesave në lidhje me shkeljen e mundshme të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), BE-Shqipëri, në lidhje me ndërtimin e aeroportit në Vlorë dhe krijimin e linjës ajrore Air Albania. Sipas MSA-së, dhënia e kontratave publike në bazë të reciprocitetit, veçanërisht në kontekstin e Organizatës Botërore të Tregtisë, është një objektiv kyç. Komisioni e ka theksuar rregullisht këtë fakt në diskutimet e veta me autoritetet shqiptare”, – thuhet në deklaratën e Komisionit Europian.
Hahn theksoi se Komisioni Europian do të nisë një hetim gjatë muajve të ardhshëm mbi Air Albania-n.
“Një vlerësim më i gjerë dhe më i thellë i kuadrit të prokurimit publik dhe konkurrencës/ndihmës shtetërore në Shqipëri tashmë është planifikuar përmes angazhimeve të ndryshme teknike në muajt e ardhshëm”, – thuhet në deklaratë.
“Neni 74, pika 1 e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit parashikon se “palët konsiderojnë si një objektiv të dëshirueshëm liberalizimin e kontratave publike në bazë të parimit të mosdiskriminimit dhe reciprocitetit. Në këtë kontekst, ligji special i miratuar, i cili përzgjedh një kompani pa hapur asnjë tender, ngriti shqetësime lidhur me respektimin e parimit të sipërpërmendur të mosdiskriminimit dhe të parimeve të tjera të prokurimit publik të BE-së, si trajtimi i barabartë, diskriminimi dhe konkurrenca.”
Mosrespektimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ka qenë një ndër arsyet pse Holanda ishte skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Pavarësisht debateve që shoqëruan “lindjen” e Air Albania-s, fakt mbetet që konsumatorët vijojnë të paguajnë bileta të shtrenjta.
Biletat e udhëtimit me avion nga aeroporti ndërkombëtar, Nënë Tereza, janë nga më të shtrenjtat në rajon dhe në kontrast të dukshëm me fluturimet nga aeroportet e vendeve fqinjë si Prishtina, Podgorica, Shkupi apo Ohri.
Air Albania, përveç rikthimit të emrit Albania në aviacion, nuk ka përmbushur zotimin për çmime më të ulëta për shqiptarët.

Foto kryesore në fillim, marrë nga Albania News

more recommended stories