RRETH PROJEKTIT

Iniciativa “Tiranalytics: Një vlerësim i shpenzimeve publike të qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës” është një projekt i implementuar nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore me mbështetjen e LevizAlbania.

Është bërë tashmë praktikë, e pranuar në heshtje, fillimi i projekteve urbanistike si infrastruktura rrugore dhe shërbimet ku, kryerja e fazës fillestare të investimit me ndërhyrjen në infrastrukturën ekzistuese për ti dhënë rrugë ndërtimit të përmirësimeve dhe infrastrukturës së re, duke e shkatërruar atë ekzistente pasohet nga një pezullim i punimeve për një kohë të papërcaktuar dhe lënie në harresë për një kohë të gjatë të këtyre investimeve. Shpeshherë, përfundimi i këtyre projekteve kryhet përtej çdo afati të parashikuar në propozimin fillestar dhe lajmërimeve të postuara në faqen e Bashkisë Tiranë dhe tabelat njoftuese pranë investimit, me data përfundimi të cilat jo në pak raste përkojnë me aktivitetet e fushatave elektorale për zgjedhjet lokale.

Përtej kësaj, dhe detyrimi ligjor i bërjes publike i të dhënave të një projekti, në një numër të lartë rastesh është ose i mangët ose nuk ekziston në tërësi. Shpeshhere, siç është ritheksuar në vazhdimësi, informacionet e bëra publike në faqen online të Bashkisë Tiranë, qendrojnë në të për një kohë tejet të shkurtër, duke mos dhënë mundësi aksesi palëve të interesuara. Kjo krijon mundësinë reale të abuzimeve me këto investime.

Në disa raste të shqyrtuara nga Qendra për Gazetari Cilësore, në kuadër të aktivitetit të gazetarëve të saj, është vërejtur një mungesë e theksuar e shumë elementeve strukturor thelbësor të këtyre investimeve, të cilat janë paraqitur në planet apo maketet fillestare të publikuara nga Bashkia Tiranë, por që nga shqyrtimi i produktit përfundimtar, kanë munguar ose kanë qenë të një cilësie apo sasie më të ulët.

 

Qëllimi kryesor i këtij projekti është rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve të Tiranës mbi metodën dhe mënyrën e zhvillimit të investimeve publike nga Bashkia Tiranë.

 

Ky projekt ka si objektiva kryesore:

  • Realizimin e një raporti hulumtues për 10 investime në infrastrukturën urbanistike publike të kryera nga autoriteti kontraktues Bashkia Tiranë, me impakt të madh në cilësinë e jetesës së qytetarëve të kësaj njësie vendore, për harkun kohor 2011-2018; dhe

 

  • Realizimi i 10 artikujve të thelluar të gazetarisë hulumtuese dhe analitike mbi këto investime, dhe çështje të tjera të infrastrukturës së qytetit të Tiranës, ku do të përfshihen të gjithë hallkat e konceptimit, planifikimit, miratimit dhe implementimit të projekteve të zhvillimit të saj.

 

I gjithë dokumentacioni dhe informacioni i mbledhur, i shqyrtuar dhe i prodhuar nga Qendra për Gazetari Cilësore, do të vihet në dispozicion të publikut, i aksesueshëm nga të gjithë palët e interesuara dhe banorët e Bashkisë Tiranë.

Për sa i përket kushteve të përdorimit të materialeve të prejardhura nga ky prjekt, ju lutemi ti referoheni Kushteve të Përdorimit të përgjithshme të përcaktuara në faqen e Qendrës për Gazetari Cilësore, seksioni Rreth Nesh.