Blog

A mundet AKU të garantojë ushqimin e shqiptarëve?

A mundet AKU të garantojë ushqimin e shqiptarëve?

Shpeshherë, përpara se të blejmë, teksa kontrollojmë produktet që përzgjedhim nëpër dyqane apo supermarkete ushqimore, pyesim veten: Sa të sigurta janë ushqimet që konsumojmë?

A i ka kontrolluar kush më parë? Nëse po, kush nga mbron nga ushqimet e skaduara, ato me kimikate të dëmshme apo të tjera problematika, me të cilat jo pak herë janë përballur konsumatorët shqiptarë në gjithë këto vite?

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është institucioni i vetëm në Shqipëri, i cili shtrihet në të gjithë vendin nëpërmjet 12 drejtorive vendore dhe ka si qëllim të vetëm garantimin e sigurisë ushqimore të shqiptarëve.

“Krijimi i këtij institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore në Shqipëri është i domosdoshëm për të përmbushur kërkesat ligjore, ekonomike, por edhe ato sociale.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është autoriteti kompetent me funksione inspektuese për menaxhimin në nivel kombëtar të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit, mbrojtjes së bimëve dhe shëndetit të kafshëve”. Këto thuhen në faqen zyrtare online të AKU-t, por, a mundet ky institucion të kontrollojë vërtet dhe të garantojë sigurinë ushqimore të 2.8 milionë shqiptarëve?

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të garantojë që çdo produkt i prodhuar në Shqipëri, qoftë bujqësor, blegtoral, nga peshkimi apo edhe i përpunuar, të jetë brenda standardeve të vendosura. 

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore nëpërmjet një kërkese për informacion iu drejtua Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të mësuar se si e kryen AKU funksionin e tij për sigurinë ushqimore në Shqipëri, organikën e tij, por gjithashtu edhe për numrin e laboratorëve funksionalë të këtij institucioni.

Sipas përgjigjes zyrtare të këtij institucioni, AKU rezulton se ka në organikën e tij një total prej 418 punonjësish, nga të cilët: 99 administratë dhe drejtori/at (A&D), dhe pjesa tjetër është në sektorët e inspektimit sipas specifikave të institucionit, në ato të inspektimeve dhe kontrolleve në kufi, si dhe në laboratorin ku kryen analizat. 

Po ashtu, në përgjigjen zyrtare AKU shprehet edhe në lidhje me analizat e kryera prej tij gjatë tre viteve të fundit (pa llogaritur vitin 2020); janë kryer rreth 75 mijë analiza të ndryshme laboratorike. 

Përgjatë vitit 2017 janë kryer 27327 analiza laboratorike, si dhe janë marrë 12242 mostra, nga të cilat: 5998 në kuadër të kontrollit zyrtar dhe 6244 autokontrolli; përgjatë vitit 2018 janë kryer 30631 analiza laboratorike, si dhe janë marrë 15537 mostra, nga të cilat: 9678 në kuadër të kontrollit zyrtar dhe 5859 autokontrolli; përgjatë vitit 2019 janë kryer 17512 analiza laboratorike, si dhe janë marrë 8126 mostra, nga të cilat: 5808 në kuadër të kontrollit zyrtar dhe 2318 autokontrolli; si dhe përgjatë periudhës janar-shkurt 2020 janë kryer 2002 analiza laboratorike, si dhe janë marrë 919 mostra, nga të cilat: 900 në kuadër të kontrollit zyrtar dhe 19 autokontrolli.

Sa më sipër janë terma teknikë, shifra dhe numra që vështirë se shpjegojnë, nëse AKU e ka në kontroll situatën në pikat e importimit, magazinimit, tregjet dhe shitoret e ushqimeve në Shqipëri. Ne iu drejtuam sërish AKU-t duke kërkuar pak më shumë sqarime. I pyetur se cilat janë konkretisht analizat që ky institucion kryen për të garantuar sigurinë ushqimore të shqiptarëve, në përgjigjen zyrtare AKU thotë: “Kryhen më shpesh analiza në lidhje me treguesit cilësorë të produkteve ushqimore shtazore dhe joshtazore, tregues të etiketimit dhe disa tregues analitikë të sigurisë ushqimore, si dhe analiza në lidhje me kriteret e sigurisë së produkteve ushqimore dhe ato të proceseve të higjienës”.

Për të kuptuar më shumë, ne iu drejtuam edhe një ish-ministri të Bujqësisë, Edmond Panaritit, i cili e ka patur në varësi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Interesimit tonë, se a arrin AKU të kontrollojë dhe të japë siguri për ushqimin e shqiptarëve, zoti Panariti iu përgjigj kësaj pyetjeje me një tjetër pyetje: “Si mund të kontrollosh një ushqim, të cilin nuk e analizon?, – duke shtuar se, – kontrolli laboratorik nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, si dhe nga laboratorët rajonalë është dëmtuar rëndë. Detyrat dhe funksionet e këtyre qendrave, të parashikuara në ligjin e ushqimit, i kanë kaluar privatëve. Gjurmimi i ndotësve në zinxhirin ushqimor dhe vlerësimi mbi bazën e analizës së rrezikut është shumë i mangët.

Problemin e mungesës së laboratorëve të analizave të AKU-t e ngre edhe Ersida Teliti, Drejtoreshë Ekzekutive e qendrës Konsumatori shqiptar.

Problematika me AKU-n nuk qëndron te numri i personelit, por te mungesa e laboratorëve, duke bërë si sistem të vetëm reference ISUV-in, ndërkohë që vetë AKU nuk arrin që të bëjë analiza”, – shprehet ajo.

Ish-ministri i Bujqësisë shprehet se AKU sot nuk kryen kontrolle të ushqimit, por kryen kontrolle të dokumentacionit të origjinës, etiketave, afateve të parashikuara në to, kushteve të ruajtjes, transportit dhe tregtimit.

“AKU nuk kryen kontroll të ushqimit, sepse nuk kryen analiza të ndotjes apo të falsifikimit të tij të mundshëm, prandaj kemi qenë dhe mbetemi të zbuluar si konsumatorë. Në këtë pikëpamje AKU mund të ishte fare mirë një seksion i Policisë së Shtetit apo të asaj Tatimore, por jo autoritet më vete”, – thotë ish-ministri, i cili shton se AKU i është shmangur misionit dhe funksionit të tij, parashikuar në ligjin e ushqimit, për të qenë autoritet shkencor dhe administrues i rreziqeve të zinxhirit ushqimor.

Ndërkohë, të pyetur nëpërmjet një kërkese për informacion se sa është sasia ushqimore që AKU kontrollon, ky institucion shprehet: “AKU ushtron aktivitetin duke kryer kontrolle zyrtare në të gjithë Operatorët e Biznesit Ushqimor (OBU), të cilët ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë dhe jo duke kontrolluar sasi produktesh ushqimore. Gjatë kontrolleve të kryera, trupat inspektuese të AKU-t për subjekte, të cilat nuk ushtrojnë aktivitetin e tyre konform legjislacionit në fuqi, marrin masat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi, referuar shkeljeve të konstatuara.

Siguria ushqimore, sfida e përhershme shqiptare

Siguria Ushqimore është një ndër kriteret e rëndësishme për Shqipërinë që të ketë vendin e saj në familjen europiane dhe çdo vit në progres-raportet e BE-së për Shqipërinë siguria ushqimore zë një vend të rëndësishëm.

“Siguria ushqimore është një nga sfidat kryesore, në fakt është një nga problematikat dhe pikat kyçe të progres-raporteve të Shqipërisë në procesin e integrimit të saj në BE. Gjatë progres-raporteve ndër vite është vënë re se ka patur përmirësime, por megjithatë vijon të jetë në qendër të problematikave për sa i përket mbrojtjes së konsumatorit”, – thotë Ersida Teliti. 

Kjo verifikohet edhe në progres-raportin e BE-së për Shqipërinë në vitin 2019.

“Nuk është bërë progres në vlerësimin e riskut. Kontrollet zyrtare janë intensifikuar dhe janë aplikuar masat përkatëse, përfshirë paralajmërimet, gjobat, sekuestrimi dhe asgjësimi i ushqimit jo të konsumueshëm, dhe pezullimi i veprimtarisë. Sidoqoftë, stafi i kontrollit nuk është i trajnuar në mënyrë të përshtatshme për vlerësimin dhe zbatimin e analizave të rrezikut dhe pikës së kontrollit kritik”, – thuhet në progres-raportin e fundit, i cili përshkruan edhe sigurinë ushqimore në disa sektorë specifikë.

Raportet e BE-së tregojnë më së miri se Shqipëria ka probleme me sigurinë ushqimore, por shembulli që tregon sa larg BE-së jemi është i thjeshtë, mjafton të krahasosh një inspektor të AKU-t dhe një inspektor kudo në vendet e Bashkimit Europian.

“Nëse ju do të takonit një inspektor të AKU-t sot, në xhepin e tij do të gjeni vetëm proces-verbale konstatimi dhe fletë-gjobe për biznesin që kontrollon.

Nëse ju do të takonit një inspektor ushqimi të BE-së, tek ai do të gjeni një valixhe me instrumente për marrjen e mostrave, me kite analizash të shpejta për ndotësit, falsifikuesit ushqimorë, të cilat ai i kryen në vend dhe në prani të përfaqësuesve të biznesit. Rezultatet i ndan me biznesin dhe njëkohësisht njofton autoritetet qendrore, lë detyra dhe afate korrektimi, por ai nuk mban fletë-gjobash dhe nuk është aty për këtë punë. Masat i merr tjetërkush, në varësi të rezultatit të certifikuar të kontrollit”, – thotë zoti Panariti, duke bërë edhe krahasimin mes inspektorëve shqiptarë, të cilët janë nën varësinë e një institucioni, i cili duhet të arrijë standarde të caktuara për të ndihmuar vendin të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, por, çfarë është më e rëndësishme, për të garantuar shëndetin e qytetarëve të vendit të tij përmes garantimit të sigurisë së ushqimit.

Shpërndaje