Blog

Bashkia Librazhd si shembull për mungesën e një kuadri rregullator të plotë dhe shkeljes së ligjit pa ndëshkim

Bashkia Librazhd si shembull për mungesën e një kuadri rregullator të plotë dhe shkeljes së ligjit pa ndëshkim

Fotot me një investim publik në Bashkinë e Librazhdit gjenden në adresën e facebook të deputetit të mazhorancës, Taluant Balla, një dukuri tejet e përhapur dhe dominante gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve Parlamentare të 25 prillit 2021, për shumë kandidatë në qarqeve të ndryshme të Shqipërisë.

Kjo situatë ka ardhur si pasojë e boshllëqeve të shumta ligjore në kuadrin rregullator të fushatës zgjedhore, si për sa i përket përdorimit të aseteve publike për fushatë, diçka rreptësisht e ndaluar nga Kodi Zgjedhor, por e lejuar në mënyrë të tërthortë nga Komisioni Rregullator i KQZ, dhe mungesës së plotë të rregullimit të fushatës politike në mediat online, si ato të karakterit publik, po dhe ato të karakterit social (vetjak).

Në qytetin e Librazhdit, pavarësisht ndalimeve dhe kufizimeve të ndryshme ligjore në fuqi dhe për shkak të boshllëqeve në kuadrin rregullator, Kryetari i Bashkisë Librazhd Kastriot Gurra dhe deputeti Taulant Balla kanë shpërndarë pothuajse çdo javë në faqet e tyre zyrtare foto nga punimet e kryera në infrastrukturë nga Bashkia Librazhd dhe takimet e kryera në komunitet. Kompania AlbaStar që kryen punimet nga granti KfW Gjermane, ka punësuar pothuajse të gjithë fuqinë punëtore të të rinjve në Librazhd.  

Kuadri rregullator i paplotë ka lejuar një fushatë të pakontrolluar

Në muajin dhjetor 2020, Komisioni Rregullator i KQZ-së, me vendimin Nr. 9, datë 24.12.2020, ka ndaluar promovimin e aktiviteteve publike për të cilat janë vënë në dispozicion fonde vetëm rishtazi (4 muajt përpara ditës së zgjedhjeve) apo për të cilat janë bërë lëvizje të paparashikuara në buxhet, duke përjashtuar nga detyrimi aktivitetet dhe investimet afatgjata, që në fakt janë shumica e investimeve publike në rang vendi. Rrallëherë tashmë shihet fillimi i “investimeve elektorale” dhe prerja e shiritave elektoral në investime në infrastrukturë, energjitikë, investime sociale apo ekonomike.  Ky vendim i Komisionit Rregullator, më tej, duke pasur parasysh dhe situatën në të cilën ndodhet Shqipëria dhe rajoni më gjerë, ka përjashtuar nga përfshirja në aktivitetet e ndaluara informimin dhe promovimin e investimeve që kanë ardhur si pasojë e përpjekjeve për rindërtim post tërmetit të Nëntorit 2019 dhe pandemisë globale të shkaktuar nga COVID-19, ose të paktën kështu është lexuar ky lejim na ana e subjekteve politike në fushatë, të cilat kanë gjetur mënyrën më të mirë për të përfituar nga pandemia për fushatë elektorale, shpeshherë duke demonizuar dhe kundërshtarët politikë përmes figurave publike në poste të larta në administratën e shëndetësisë.

 

Vendimi i Komisionit Rregullator parashikon që “…Përjashtimisht, në rastet e vendosjes së masave të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore apo epidemisë/pandemisë, nuk zbatohen përcaktimet e pikes 1.1 të ketij neni (aktivitetet e ndaluara), për akte apo veprimtari të cilat synojnë marrjen e masave për përballimin e pasojave të këtyre fatkeqesive natyrore apo epidemisë/pandemisë,…”, një parashikim i cili në asnjë rast nuk lejon informimin apo promovimin mbi arritjet e fushatave të ndërmarra në kuadër të rindërtimit post tërmet apo promovimin e fushatës së vaksinimit kundër COVID-19, por vetëm njoftimin apo lajmërimin e publikut për masat që do të ndërmerren në kuadër të këtyre të fundit.

Këto boshllëqe ligjore, apo keqinterpretime të kuadrit rregullator, janë shumfishuar më tej dhe me mungesën totale të rregullimit të fushatës politike në mediat online apo ato sociale, diçka që i ka dhënë subjekteve politike dorë të lirë në promovimin e artitjeve të tyre, apo promovimit të fushatës elektorale online, pa asnjë ndalim apo kufizim ligjor.

Përtej kësaj, duke marë si zanafillë një ankimim të një subjekti politik kundrejt postimeve në mediat sociale të Kryebashkiakut të Tiranës të aktiviteteve të perceptuara si politike, pranë KQZ, Komisioni i Ankesave dhe i Sanksioneve ka dalë me një vendim në të cilin vlerëson përdorimin e mediave sociale në promovimin e aktiviteteve zgjedhore gjatë fushatës elektorale. Në këtë vendim, KAS ka arsyetuar se “Postimi në mediat sociale i fotove, videove apo komenteve rreth veprimtarive, nuk i bën veprimtaritë që të cilësohen automatikisht publike në këndvështrim të përkufizimit të pikës 1 të nenit 92 të Kodit Zgjedhor. Në një shumicë rastesh postimet ndjekin qëllime të ndryshme nga qëllimi për informim që kërkon pika 1 e nenit 92 të Kodit…”, më tej duke vijuar se “Në një shumicë rastesh postimet synojnë të promovojnë mbajtësin e llogarisë, apo çështje që janë të rëndësishme për të, të shfaqin qëndrime apo opinione, të ngrenë probleme a të sensibilizojnë, të nxisin diskutime apo të debatojnë…”, duke përjashtuar kështu postimet në media sociale nga ndalimet e përgjithshme ligjore për shkak dhe të karakterit personal të këtyre mediave, por duke i lënë shteg KAS të vlerësojë nëse këto postime kanë për qëllim informimin e publikut për arsye zgjedhore, apo janë thjesht opinione personale.

Kjo vendimmarrje nga ana e KAS, por dhe mungesa e kuadrit ligjor për monitorimin apo limitimin e aktiviteteve propagandistike dhe politike në formatin online, kanë lejuar aktorët e ndryshëm në këto zgjedhje të zhvillojnë fushatën e tyre zgjedhore përmes mediave sociale të pakontrolluar dhe pa shqetësimin e rregullatorit, edhe përpara fillit zyrtar të fushatës zgjedhore.

Fushata zgjedhore me ndërtimin e ujësjellësave dhe sistemimin e kanalizimeve në Librazhd dhe Prrenjas

Me një vëzhgim të faqeve respektive të deputetit socialist Taulant Balla apo Bashkisë Librazhd në Facebook, por dhe në takimet që kanë kryer në këtë qytet, pothuajse çdo ditë, deputeti socialist, i shoqëruar shpeshherë dhe nga Kryetari i Bashkisë, është parë dhe në kantierët e kompanisë AlbStar.

Deputeti dhe kandidati Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë Librazhd duke inspektuar punimet dhe përdorur për fushatë ujësjellësin e ri

“Qyteti Librazhdit nuk ka pasur ndërhyrje në ujësjellës që në vitin 1960” – tha Z. Balla në një takim ku merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama, duke shtuar se “nuk ka ujësjellës tjetër në Shqipëri me këto përmasa. Punët tona të mira duan votën tuaj pë të vazhduar. Në mandatin tjetër do bëjmë edhe më shumë.”

Kaosi në qarkullim vazhdon prej muajsh, shirat bllokojnë qarkullimin e banorëve dhe makinave në kryqëzimin kryesor të hyrjes në qendrën kryesore të qytetit, për shkak të inerteve. Problematikë pas reshjeve të shiut shfaqen në kryqëzimin pranë zyrës së pensioneve, rrugës së policisë. Kjo rrugë që shërben edhe si unazë për qarkullimin e mjeteve.

Zonja Feride, banore e lagjes numër 1 në Librazhd, tregon se nuk fle dot nga zhurmat.  “Punimet fillojnë që në orën 7 të mengjesit, punëtorë që bërtasin, pluhuri që na futet brenda dhe në kohë shirash është dheu baltë e kuqje”. Shahini gjithashtu banor i kësaj lagjes shton “Fushata ka përshpejtuar punimet, dyshoj në cilësinë e tyre, gurët dhe pllakat që u vunë më përpara shumica janë thyer dhe kanë humbur kompaktin e tyre”. Ndërsa shumë banorë të tjerë shprehin indinjatë për mungesën e ujit dhe kohën e papërshtatshme dhe ritmin e punimeve. Kaosi i krijuar për shkak të fushatës dhe investimeve të nxituara shihet dhe tek publikimet e kandidatëve në zgjedhje kundrejt realitetit në terren dhe dëmet e vërejtura në infrastrukturën aktuale janë të larta.

Screenshot i marr nga profili në Facebook i deputetit Taulant Balla
Foto e parkut të promovuar si i përfunduar; Arlis Alikaj/ Albania Center for Quality Journalism

Mbështetja dhe promovimi i projekteve publike është vlerësuar nga juristët e Komitetit Shqiptar të Helsinkit në kategorinë e veprimtarive të ndaluara t’u promovuar dhe bie në kundërshtim me nenin 3, pika 1, gërmat a) dhe ç) të vendimit nr. 9/2020 të Komisionit Rregullator. Pas njohjes me disa denoncime të qytetarëve të përcjellë nëpërmjet koordinatorëve lokalë, KShH ju drejtua me anë të një letre zyrtare Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për verifikimin dhe marrjen e masave mbi këto denoncime.

Verifikimi i mëtejshëm i fakteve apo indicjeve të referuara në këto denoncime është në vlerësimin tonë, kompetencë e KQZ-së e cila sipas rastit, nëse ka shkelje të legjislacionit zgjedhor aplikon sanksione administrative në përputhje me nenin 172 të Kodit Zgjedhor”, thotë Komiteti Shqiptar i Helsinkit i cili me asistencën e koordinatorëve lokalë po monitoron në mënyrë proaktive procesin parazgjedhor.

Përdorimi i nënpunësve dhe burimeve pulike në fushatë

Për të shmangur përdorimin e burimeve publike në fushatë, Kodi Zgjedhor u amendua me konsensus të gjerë në marrëveshjen e 5 qershorit 2020.

Lefterie Luzi, eksperte zgjedhore dhe ish kryetare e Komisionit Qenror të Zgjedhjeve, vlerëson forcimin e penaliteteve dhe mundësisë që edhe publiku tashmë mund të bëjë vetë denoncime.

Shtimi i nenit 123/3 te KZ për pjesëmarrjen e publikut ne denocimin e fakteve, kjo shtuar faktin e saktesimit te procedurave te cilat duhet te ndjeke publiku apo ruajtjes se anonimatit sigurisht ndihmon procesin dhe rrit integritetin, pasi gjithëpërfshirja ne kete proces dhe sidomos zgjedhesin i cili eshte pjese eketij procesi do ta ndihmonte procesin ne kahe pozitive. Detyrimi i Kqz për të mbajtur e ruajtur në statistika të rregullta të gjitha hetimet penale për çështjet zgjedhore është risi e ndryshimeve në këtë kod (neni 167/1). Këto elementë të cilat legjislatori i ka parashikuar për të rritur ndjeshëm integritetin e zgjedhjeve dhe për ti dhënë besueshmëri proçesit të zgjedhjeve,” përfundoi Luzi.

Megjithatë, Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar KQZ-në dhe fushatën elektorale për sa i përket implementimit të normave të reja ligjore në këtë fushë. Nga të dhënat monitoruese dhe raportimet kritike të medias dhe të palëve politike në zgjedhje rezulton se një numër i madh i punonjësve me status civil dhe të administratës publike janë përfshirë në fushatë elektorale brenda orarit zyrtar të punës. Ata përfshihen në aktivitete politike, në propagandën elektorale dhe në debatet politike të ditës, kryesisht në mediat sociale.

“ISP del me rekomandimin se DAP duhej të kishte miratuar një udhëzues për sjelljen e administratës publike dhe të nëpunësve civilë gjatë fushatës elektorale dhe KQZ-ja duhej të kishte kërkuar nga institucionet shtetërore dhe publike një sistem monitorimi, verifikimi dhe reagimi në zbatim të kritereve që kërkon një proces zgjedhor me standarde. Ligji 152/2013 përcakton kufizimet për ushtrimin e të drejtave politike për nëpunësit civil.”

Kodi Zgjedhor dhe legjislacioni mbi administratën publike përcaktojnë gjithashtu kufizime për sjelljen e nëpunësve dhe administratës gjatë fushatave elektorale dhe aktiviteteve politike. DAP është institucioni përgjegjës për zbatimin e legjislacionit mbi nëpunësit publike, thuhet më tej në letrën e tyre.

Një ndër aspektet kresore ndër të cilat pushteti vendor ka shkelur parashikimet e Kodit Zgjedhor për përdorimin e burimeve publike dhe Udhëzimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve mbi përdorimin e materialeve propagandistike gjatë fushatës zgjedhore është dhe mospërcaktimi i saktë i vendeve publike në të cilat subjektet politike mund të vendosin materialet e tyre propagandistike dhe edukuese për zgjedhësit, duke përfshirë këtu Bashkinë Tiranë e cila për këto zgjedhje për Kuvend, në shkelje të plotë të ligjit dhe udhëzimeve të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nuk i bëri të mundur asnjë subjekti politik hapsirë të dedikuar për materialet e tyre propagandistike, si dhe një numër bashkishë të tjera të cilat kanë lejuar përdorimin e hapsirave publike pjesë e trashëgimisë kulturore si dhe ndërtesa të adminsitratës publike si në rastin e Bashkisë Librazhd për publikimin e këtyre materialeve propagandistike.

Më 14 Prill, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve konstatoi se Bashkia Librazhd dhe kryetari i saj, Kastriot Gurra kanë shkelur nenin 78 dhe 91 të Kodit Zgjedhor dhe nenin 3 të Udhëzimit Nr. 6/2021 “Për përdorimin e materialeve propagandistike e edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”. Bashkia në fjalë ka vendosur një poster të Partisë Socialiste në murin e godinës, ndërkohë që sipas Kodit Zgjedhor, afishimi i materialeve propagandistike në kohë zgjedhjesh duhet të bëhet në një largësi prej deri 5 metrash nga zyra zgjedhore e subjekteve politike. Denocimi u krye nga dega Demokratike Librazhd. Pavarësisht se KQZ urdhëroi që kryetari i Bashkisë Librazhd të heqë menjëherë posterin elektoral të Partisë Socialiste nga fasada e bashkisë, zyrtarët e kësaj bashkie ende nuk kanë kryer veprimet e duhura në zbatim të ligjit. Gazetari i ACQJ vërtetoi se më datë 21/04/2021 posteri ishte ende në fasadën e godinës së Bashkisë Librazhd dhe vendimi i KQZ nuk qe respektuar.

Foto e Bashkisë Librazhd, data 21/04/2021, Arlis Alikaj

Bashkia nuk iu përgjigj kërkesës tonë për koment në lidhje me vendimin e Komisionerit Shtetëror për rastin në fjalë dhe mosrespektimin e tij. Numri i denoncimeve publike në media të ndryshme dhe ato sociale për mosrespektim të normave për propagandën elektorale janë të shumta, por fatkeqsisht, vendimet e dhëna për të rregulluar situatën, nga ana e KQZ është vetëm 1, ai kundrejt Bashkisë Librazhd, vendim i cili dhe ai përfundimisht u shpërfill.

Shpërndaje