FIND Albania: Fuqizimi i Gazetarëve Hulumtues në Luftimin e Korrupsionit dhe Abuzimit të Pushtetit


Sfondi

Pas shembjes së sistemit komunist, pati dhe një zgjerim të lirisë së fjalës dhe lirisë së shprehjes; u inkurajua decentralizimi i mediave dhe promovimi i zërave të pavarur, me shumë ligje që kaluan në kundërpeshë të censurën e cila zgjati më shumë se gjysmë shekulli dhe një kontrolli total mbi jetën private dhe publike. Ndërsa kanë ndodhur përmirësime të dukshme si në fushën gjyqësore, politike ashtu edhe në atë shoqërore brenda Shqipërisë, peisazhi mediatik dhe pozicioni i gazetarëve në shoqëri mbetet i brishtë.

Raporti i Freedom House në 2017, “Kombet në Transit”, thekson se media shqiptare është e cënueshme për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë ekonomike dhe nivelit të lartë të kushteve informale të punës për shumë gazetarë. Në 2018, për të dytin vit radhazi, Freedom House ngriti të njëjtin problem, duke shtuar më shumë probleme strukturore që përfshinin vetëcensurimin si dhe marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë midis politikës, biznesit dhe medias. Në vitin 2017, shumë gazetarë vazhduan të punonin pa një kontratë pune, ndërsa një shumicë dërrmuese e tyre nuk marrin pagat e tyre në kohë dhe përballen me rrezikun e pushimit nga puna. Kjo situatë nxiti më tej autocensurën mes gazetarëve. Kjo situatë u theksua më tej nga një hulumtim i kryer nga Balkans Investigative Research Network, në bashkëpunim me Reporterët pa Kufij, i cili përfundoi që përqendrimi i pronësisë së medias dhe mungesa e pluralizmit në terren kontribuojnë shumë në censurimin dhe vetëcensurën mes gazetarëve.

Situata e rëndë ku profesionistëve të medias u mungon një platformë e lirë dhe e pavarur ku të botojnë punimet e tyre pa frikë nga pasojat u vërejt gjithashtu nga misioni ndërkombëtar i lirisë së shprehjes në Shqipëri, i përbërë nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), NENI 19 , Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias e Evropës Juglindore (SEEMO). Në raportin e tij paraprak, ky mision i gjetjes së fakteve theksoi se Shqipëria nuk po i përmbahet detyrimeve të saj për të garantuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit siç kërkohet nga ligji shqiptar dhe instrumentet ndërkombëtare, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gazetaria cilësore është gur themeli për një sektor profesional dhe të pavarur të medias. Është një domosdoshmëri për raportimin e përditshëm të lajmeve në mënyrë që t’i ofrojë publikut një analizë të besueshme dhe objektive të fenomeneve më komplekse në shoqëri – për shembull vendimet e autoriteteve, korrupsioni, krimi i organizuar si dhe problematikat kryesore të jetës së përditshme. Praktikimi i gazetarisë hulumtuese kërkon, përveç aftësive themelore të raportimit cilësor të lajmeve, aftësi të përparuara hulumtuese dhe teknika dhe njohuri të veçanta.

Disiplina të reja të tilla si Raportimi me Asistencë Kompjuterike (gazetari e të dhënave), big data etj. janë bërë pjesë e gazetarisë moderne, dhe risi në këtë fushë shtohen me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë dhe mediave të reja, dhe shpërthimin përkatës të të dhënave dhe informacionit në dispozicion. Përveç një niveli të lartë të aftësive profesionale, gazetaria cilësore kërkon kohë, burime njerëzore dhe burime financiare, të cilat rrallë u sigurohen profesionistëve shqiptarë nga punëdhënësit e tyre. Kur reporteri ditor i lajmeve mund të prodhojë disa histori në ditë, një gazetari hulumtues mund t’i duhen muaj për të studjuar një temë specifike dhe për të kontrolluar faktet dhe aspektet ligjore.

Të gjitha analizat tregojnë se gazetaria cilësore dhe e besueshme është e dobët në Ballkanin Perëndimor, dhe mungon në mediat kryesore. Arsyet janë të ndryshme, të gjitha të nxjerra nga sa më sipër: Burime të dobëta njerëzore dhe financiare në mediat kryesore dhe ndikim i tërthortë, ose i drejtpërdrejtë, i jashtëm, duke parandaluar botimin e artikujve kritikë për interesin e pronarëve dhe / ose njerëzve me pushtet, ndërkohë që profesionalizmi dhe vullneti për të ndjekur tema të forta goditëse ekziston, por frika nga pasojat e mundshme është një faktor kufizues.


Rreth Projektit

“FIND Albania: Fuqizimi i Gazetarëve Hetues në Luftimin e Korrupsionit dhe Abuzimit të Pushtetit” është një iniciativë e mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, dhe e zbatuar bashkërisht nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra FOL, në një periudhë kohore prej 18 muaj, me synimin e mbështetjes së peizazhit mediatik dhe profesionistëve të pavarur në këtë fushë, për të zgjeruar pikëpamjet e tyre dhe për të paraqitur një kontekst pluralist që rrit transparencën dhe llogaridhënien, si dhe nxjerr në pah korrupsionin.

Iniciativa planifikon të zbatojë 3 aktivitete thelbësore në të gjitha rajonet e Shqipërisë: (1) ngritja e një Platforme të Gazetarisë Hulumtuese e titulluar (Databaza e Lajmeve Hulumtuese), (2) vënia në dispozicion e Granteve për Gazetarët Individual, dhe (3) vënia në dispozicion e Granteve të Vogla dhe të Mesme për organizatat mediatike jo fitimruprëse dhe stacionet televizive.


Platforma e Gazetarisë Investigative (Databaza e Lajmeve Hulumtuese)

Platforma në internet do të shërbejë si një hapësirë ​​alternative informacioni për shoqërinë shqiptare, që prodhon përmbajtje të pavarur dhe profesionale. Të gjitha historitë hulumtuese dhe informacionet e tjera të lidhura me projektin do të ndahen në këtë faqe. Kjo e fundit do të përdoret gjithashtu si një mjet për shumëzimin e mesazhit.

Platforma do të ketë një hapësirë ​​të dedikuar për secilën formë të prodhimit, nga artikujt hulumtues të formës së gjatë, tek ato që integrojnë komponentë multimedialë si grafikë, tabela me histori, video montazhe, një hapësirë ​​e dedikuar për prodhime video si dhe programe televizive që do të transmetohen njëkohësisht gjithashtu dhe në platformat e përfituesve të mbështetjes financiare.

Një element tjetër që do të përfshihet në platformë, i ri për mjedisin mediatik shqiptar është shërbimi i formatit Web-Gis, i cili do të sigurojë hartëzimin e artikujve në kontekstin lokal. Përtej kategorizimit të artikujve në kategori të ndryshme si ekonomi, sociale, dosje, krim, korrupsion, etj., Lexuesit / shikuesit do të kenë mundësinë e hyrjes në një hartë të integruar në faqen e internetit, e cila do të tregojë historitë dhe prodhimet e tjera botuar në një nivel rajonal përmes nënmenuve specifike.


Grantet e Vogla për Gazetarët

Fokusi i kësaj iniciative është mbështetja e gazetarëve të pavarur, për të kryer hulumtime të cilat do të vendosin përgjegjshmërinë shtetërore dhe temat e lidhura me korrupsionin në agjendën e medias, si dhe për të rritur mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e publikut rreth këtyre çështjeve.


Loti 1 – Grantet për Gazetarë Individual

Përmes këtij Loti, skema parashikon mbështetje për deri 30 gazetarë / histori në shumën prej $1,300,00  (Bruto), e cila do t’u paguhet gazetarëve në momentin e dorëzimit të artikullit dhe miratimit përfundimtar nga Oficeri i Përputhshmërisë për botim në Platformë. Këto grante të vogla do t’u sigurojnë gazetarëve mundësinë e mbulimit të honorarit të tyre dhe të gjitha shpenzimet e mundshme të kryera për prodhimin e historisë së tyre, si udhëtimi,  akomodimi, tarifat e ekspertëve etj.

Historitë që do të prodhohen do të zgjidhen nga një Bord Editorial i përbërë nga përfaqësues nga të tre Qendrat e Konsorciumit, si dhe një përfaqësues i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Thirrja për propozime do të jetë e hapur gjatë gjithë periudhës së zbatimit të projektit, me mbledhjen e Bordit Editorial në bazë mujore për vlerësimin e propozimeve dhe miratimin e historive të mundshme, që do të kontraktohen dhe publikohen në platformë. Kriteret e pranueshmërisë për të gjithë aplikantët e mundshëm, si dhe elementët e detyrueshëm për përbërjen e artikujve do të miratohen nga Bordi Editorial dhe do të bëhen të disponueshëm në faqen e njoftimeve të Platformës, në mënyrë të përhershme, për të gjitha palët e interesuara.|


Loti 2 – Grantet për Gazetarë Individualë për Artikuj të Cilët Përfshijnë Elemente të Multimedias

Përmes këtij Loti, skema parashikon mbështetje për deri 25 gazetarë / histori në shumën prej $1,500.00 (Bruto), e cila do t’u paguhet gazetarëve në momentin e dorëzimit të artikullit dhe miratimit përfundimtar nga Oficeri i Përputhshmërisë për botim në Platformë. Këto grante të vogla do t’u sigurojnë gazetarëve mundësinë e mbulimit të honorarit të tyre dhe të të gjitha shpenzimeve të mundshme të kryera për prodhimin e historisë së tyre si udhëtimi, akomodimi, tarifat e ekspertëve, etj., si dhe tarifat e mundshme për montimin e videove shoqëruese të artikullit dhe kostot e prodhimit multimedial.

Ashtu si me grantet e Lotit 1, historitë që do të prodhohen do të zgjidhen nga një Bord Editorial i përbërë nga përfaqësues nga të tre Qendrat e Konsorciumit, si dhe një përfaqësues i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Thirrja për propozime do të jetë e hapur gjatë gjithë periudhës së zbatimit të projektit, me mbledhjen e Bordit Editorial në bazë mujore për vlerësimin e propozimeve dhe miratimin e historive të mundshme, që do të kontraktohen dhe publikohen në Platformë. Kriteret e pranueshmërisë për të gjithë aplikantët e mundshëm, si dhe elementët e detyrueshëm për përbërjen e artikujve do të miratohen nga Bordi Editorial dhe do të bëhen të disponueshëm në faqen e njoftimeve të Platformës, në mënyrë të përhershme, për të gjitha palët e interesuara. Përveç elementeve të detyrueshëm për artikujt hulumtues të parashikuar në Lotin 1, aplikantët për këtë Lot do të jenë të detyruar të përfshijnë në historitë e tyre elemente multimediale, të tilla si video të shkurtra, intervista, grafikë interaktivë etj.

Në raste të veçanta, në varësi të zhvillimeve të rëndësishme në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit, Bordi do të publikojë thirrje tematike për propozime me çështje aktuale, të lidhura ngushtë me situate specifike në momentin e hapjes së thirrjes.


Loti 3 – Grantet e Vogla për Bashkëpunime (Grupe të Gazetarëve)

Përmes këtij Loti, skema parashikon mbështetje për deri në 10 grupe gazetarësh në shumën deri në $5,000,00 (Bruto), e cila do t’u paguhet gazetarëve në momentin e paraqitjes së artikullit dhe miratimit përfundimtar nga Oficeri i Përputhshmërisë për publikim në Platformë. Kjo formë e financimit do t’u sigurojë gazetarëve mundësinë e mbulimit të temave më të ndjeshme ose më të gjera, të cilat kërkojnë shpeshherë një bashkëpunim më të gjerë, dhe në raste specifike, ndërkufitar.

Përmes kësaj skeme, gazetarët do të jenë në gjendje të mbulojnë jo vetëm honorarin e tyre, por edhe shpenzime të mundshme më të larta për shkak të natyrës së temës, siç janë udhëtimi dhe akomodimi, tarifat e ekspertëve në rajone të shumta etj. Për këtë formë të financimit, nga aplikantët do të kërkohet që të dorëzojnë një formular të thjeshtuar projekt-buxheti për të justifikuar shpenzimet e parashikuara, bazuar në termat e referencës që do të publikohen në platformë. Sidoqoftë, ky arsyetim i shpenzimeve nuk do të kërkojë raportim të mëtejshëm tek ekipi zbatues i projektit ose Bordi Editorial.


Grantet për OSHC-të mediatike dhe Rrjetet Televizive

Mundësia e mbështetjes financiare të organizatave të medias dhe kanaleve televizive synon të promovojë zërin e shoqërisë civile përmes forcimit të organizatave joqeveritare të cilat kanë në fokus median, por gjithashtu për të arritur një audiencë më të gjerë përmes hulumtimeve profesionale, përmes këtyre të fundit dhe rrjeteve televizive shqiptare.

Ky element i skemës së mbështetjes financiare synon prodhimin dhe publikimin e një prodhimi më cilësor përmes përfshirjes së rrjeteve televizive (Lot 5), por edhe ngritjen e kapaciteteve të OSHC-ve mediatike (Lot 4) dhe promovimin e bashkëpunimit të këtyre organizata me aktorë të tjerë të shoqërisë civile, të cilët kanë njohuri të specializuara mbi temat që do të prodhohen përmes aktiviteteve të parashikuara për t’u zbatuar dhe temave që do të prodhohen.


Loti 4 – Grantet e Vogla dhe të Mesme për OSHC-të e Medias

Përmes këtij loti, skema parashikon mbështetje financiare për deri në pesë (5) OSHC me në fokus median, në shumën prej $13,000.00 deri në $15,000.00, për mbulimin e shpenzimeve për zbatimin e aktiviteteve të parashikuara. Përmes kësaj skeme, OSHC-të do të jenë në gjendje të mbulojnë një numër më të madh të shpenzimeve sesa gazetarët individualë dhe të sigurojnë njohuri dhe ekspertizë të veçantë në procesin e prodhimit.

Për qëllime të ndarjes së këtyre granteve, Grupi i Punës do të publikojë një thirrje për propozime për çdo OSHC të interesuar me kritere të paracaktuara të përzgjedhjes dhe elemente rezultati, të aprovuar nga Bordi Editorial. Koha e caktuar për zbatimin e aktiviteteve për përfituesit e financimit do të jetë nga 10 deri në 11 muaj nga koha e lidhjes së kontratës së financimit. Ashtu si dhe për gazetarët individualë dhe grupet e gazetarëve, të gjitha prodhimet e paraqitura nga këto OSHC do t’i përmbahen me rigorozitet politikës editoriale të Platformës dhe udhëzimeve të paketës vizuale të projektit.


Loti 5 – Grantet e Mesme të Vogla për Rrjetet Televizive

Përmes këtij Loti, skema parashikon mbështetje për 2 rrjete televizive në shumat prej $20,000.00, për mbulimin e shpenzimeve të prodhimit për programet hulumtuese të cilat do të transmetohen pranë këtyre të fundit. Përmes këtij elementi të skemës, iniciativa synon të rrisë interesin e mediave vizive kombëtare në krijimin e programeve analitike dhe hulumtuese që do të kërkojnë të hedhin dritë dhe të kenë një vështrim më të thelluar në çështje që janë tejet të rëndësishme për sa i përket interesit publik, por që aktualisht nuk u kushtohet rëndësia e duhur nga media audiovizuale.

Kushtet financiare të marëveshjes së financimit kërkon që të gjithë aplikantët të sigurojnë një mbështetje bashkëfinancuese prej 20%, përtej mbështetjes financiare të ofruar nga projekti.

Për qëllime të ndarjes së këtyre granteve, Grupi i Punës do të publikojë një thirrje për propozime për çdo rrjet televiziv të interesuar me kritere të paracaktuara të përzgjedhjes, të aprovuar nga Bordi Editorial. Koha e caktuar për zbatimin e aktiviteteve për përfituesit e mbështetjes financiare do të jetë nga 10 deri në 11 muaj nga koha e lidhjes së kontratës.

Ashtu si me gazetarët individualë dhe grupet e gazetarëve, të gjitha prodhimet e paraqitura nga këta përfitues do t’i përmbahen në mënyrë rigoroze politikës editoriale të Platformës dhe udhëzimeve të paketës vizuale të projektit.