Blog

HEC-et në Shushicë që “thajnë” fshatrat

HEC-et në Shushicë që “thajnë” fshatrat

A keni dëgjuar ndonjëherë për Bratajn? Po për fshatin Gjormë, Kotë, Drashovic? Me siguri shumë prej jush që po lexoni këtë artikull, jo. Mungesa e infrastrukturës në këto tre dekada, ka bërë që këto zona të Labërisë të jenë një mister, në pritje për t’u zbuluar nga turistë shqiptarë e të huaj. Këto fshatra që shtrihen buzë rrugës së lumit të Vlorës, kanë shumë të përbashkëta. Duke nisur nga kënga e kënduar kudo me iso, “Sabah e darkat në lumë”, deri tek frika e ndërtimit të katër HEC-eve mbi Shushicë, që banorët e konsiderojnë si “lumi që lidh fshatrat”.

Krenar Likskëndaj

Këtu nuk ke më banorë të fshatit, të rinjtë kanë ikur të gjithë, po e morën lumin e e futën nëpër tuba, edhe prindërit tanë do ikin. Ne në fshat lumin kemi, se malin na e morën”, shprehet Krenar Likskëndaj, banor i fshatit Brataj i cili nuk nguron të rendisë edhe pasojat që i vijnë banorëve të fshatrave që preken nëse këto HEC-e ndërtohen. “Ne me bujqësi merremi, po u tha lumi, me çfarë do e vadisnim jonxhën, misrin ose bagëtia ku do pijë ujë? Është çdo gjë e vdekur”, thotë i riu i cili ndërpritet nga një i moshuar pak më tutje që me ironi thotë: “bagëtisë do i japim ujë me gaz ore, po ne vet çdo pijmë e hamë”.

E kur e pyet Krenarin se çfarë rëndësie ka lumi për jetën e fshatit, të shikon drejt në sy pothuajse i habitur ku pas një heshtje të shkurtër, pa ta ndarë shikimin të përgjigjet: “Ne me atë lumë rrojmë, mbahemi, lumi është gjëja jonë bazë, me çfarë të mbahemi tjetër këtu? Bukën që hamë, duam të mbjellim misër, një dynym apo dy, po iku lumi me çfarë do ta vadisim?! Ne misrin e mbjellim për bukë, ua hedhim bagëtive. Lumi është baza e gjithë jetës tonë, iku ai, s’ka më as bagëti, as bujqësi as asgjë”, shprehet ai duke mos lënë pas as ironinë: “Sjell shumë gjëra negative nëse bëhen ato HEC-e, këtu më mirë të na marrin si fshat e të na çojnë andej nga Afrika, njësoj do jetë, si dihet, ndoshta përshtatemi edhe aty.”

Vetëm pak metra më larg, një tjetër i moshuar, pa e ngritur shikimin nga cigarja që po dridhte thotë duke qeshur: “Dëgjo xhaxhain, edhe këtë rrugën e lumit që na e bënë, e paskan pas me plan, na bënë rrugë të na marrin lumin”.

Çfarë parashikonin katër HEC-et e padëshiruara?

Në Prill të 2017, Ministria e Energjetikës dhe Industrisë firmosi koncesionin për ndërtimin e “Kaskadës së Hidrocentraleve mbi lumin Shushicë”. Kompania fituese do të ishte një bashkim i përkohshëm i shoqërive “GR Albania” sh.p.k, “Trema Engineering 2” sh.p.k dhe “Alb- Star” sh.p.k. Këto kompani në projektin e tyre kishin parashikuar të ndërtonin kaskadën e hidrocentraleve midis kuotave 200 metra mbi nivelin e detit dhe 58 metra mbi nivelin e detit, ku kohëzgjatja e kontratës ishte 35 vite dhe përfshihej e gjithë gjatësia e lumit prej fshatit Brataj deri në Drashovicë. Më një vlerë investimi prej 17.9 Milionë euro dhe punime që do të zgjasnin 36 muaj, fuqia e instaluar mbi këtë kaskadë do të ishte 14900 kilovat.

Por edhe pse impakti i drejtpërdrejtë ishte vetëm në një zonë të caktuar, HEC-et do të ndikonin në një hapësirë shumë më të madhe.

Lumi Shushicë

Mes dokumenteve që ACQJ zotëron për ndërtimin e këtyre HEC-ve është edhe preventivi i punimeve, i datës 20/12/2016. Në dokumentat e HEC Drashovicë, duket qartë devijimi që pritej të kishte uji i lumit nëpërmjet kanaleve dhe më pas edhe futjes së ujit në tuba. Fillimisht për këtë ndërtimi e këtij HEC-i, ishte parashikuar një kanal devijimi me një gjatësi prej 200 metrash dhe më pas tubacioni i turbinave do të kishte një gjatësi prej 2990 metra përpara se uji te hynte për të vendosur në lëvizje turbinat dhe më pas të rikthehej në lumë. Pra, praktikisht në këtë zonë do të kishte një zhvendosje të një sasie shumë të madhe uji për 3190 metra, afërsisht 3.2 kilometra.

Zhvendosje e ujit nëpërmjet kanalizimeve parashikohej edhe në HEC-in e Kotës, ku përveç kanalit prej 200 metra, parashikohej një zhvendosje me tubacion e ujit për një gjatësi prej 2550 metrash, me një diametër prej 2.9 metrash. I ngjashëm është parashikimi edhe për HEC-in e Gjormit, ku përveç kanalit prej 200 metra, është parashikuar një deviacion me një gjatësi prej 3180 metra, me një diametër prej 2.8 metrash. E ndërsa në Brataj, kanali i devijimit prej 200 metra së bashku me deviacionin e tubave të turbinës prej 850 metra me një diametër prej 2.2 metra, parashikohej të kishte një devijim total prej 1050 metra nga shtrati natyral.

Kliko linkun për të parë PDF ( Shtojcat Hidrocentraleve mbi lumin Shushicë )

Çudia e Ministrisë së Mjedisit: Banorët s’kanë shqetësim

Më 3 shtator të vitit 2018 Ministria e Mjedisit do të miratonte deklaratën mjedisore për HEC Shushica, e cila mban numrin e protokollit 7162. Deklarata jep informacion për realizimin e konsultimit me publikun,  ku informohet se morën pjesë përfaqësues nga komuniteti i zonës, përfaqësues nga pushteti vendor si dhe nga drejtoria Rajonale e Mjedisit dhe përfaqësues nga studio mjedisore. Asnjë rresht për kundërshtimin e komunitetit.

Pjesë nga deklarata mjedisore

Nuk pati ndonjë shqetësim nga komuniteti për zhvillimin e këtij aktiviteti. Në takim është prezantuar projekti, janë dëgjuar sugjerimet e pjesëmarrësve, të cilat do të merren parasysh nga ana e investitorëve, gjatë kohës së shfrytëzimit. Nga ana e investitorëve iu sigurua të pranishmëve që do të merren të gjitha masat për eliminimin e ndikimeve negative në mjedis, duke mos cenuar jetën e banorëve”, thuhet në deklaratën mjedisore.

Sotir Zahoaliaj

Ajo që  bën përshtypje, është fakti që më 20 gusht, banorët e Bratajt, kanë zhvilluar një protestë kundër ndërtimit të HEC-eve, gjë kjo e pasqyruar edhe nëpër media të ndryshme. Qindra familje të Bratit jetojnë me bujqësi dhe blegtori, pa ujin e lumit fshati s’ka më jetë. Tokat mbahen me ujin e lumit. Ura shekullore e Bratit monument i mbrojtur, del jashtë funksionit”, do të shpreheshin banorët për mediat, më pak se 15 ditë para miratimit të kësaj leje .

Sotir Zahoaliaj, sot 70 vjeç, është një nga zërat më të fortë kundër ndërtimit të këtyre HEC-ve. Ai pretendon se ka patur tentativa për të manipuluar qëndrimin e banorëve të zonës gjatë dëgjesave publike. “Herën e parë erdhën ata të projektit, erdhën nga Ministria dhe erdhën edhe një grup gazetarësh francez. Herën e parë ne i dëbuam, po ndërhynë dhe na thanë të paktën na dëgjoni. Dhe si njerëz të civilizuar do i dëgjonim. Kur erdhën në herën e dytë erdhën të gjithë, edhe përfaqësues, lajmëruan popullin e të gjitha. Në fillim morën pjesëmarrjen, firmosëm edhe ne për pjesëmarrjen. Në pyetjet që bënë të gjithë qenë kundër, përveç njërit që mendonte që do ta bënin me digë. Por kur e mori vesh që do të futej lumi në tubë, doli kundër edhe ai”, tregon 70-vjeçari, i cili shton se është njohur edhe me materialin që është bërë nga këto dy takime dhe janë dy të ndryshme. “Në një raport thotë morën pjesë këta dhe firmat dhe në një raport tjetër komuniteti nuk është kundër, por nuk kanë shkruar direkt firmat tona. Pas kësaj filluam bëmë protesta, disa protesta madje”, shton ai.

Protesta e banorëve kundër ndërtimit të HEC-eve

Banorët e zonës nuk janë ndalur vetëm te protesta, por janë angazhuar edhe në rrugë ligjore për kundërshtimin e këtyre HEC-eve.

Pas kësaj ne angazhuam edhe dy avokatë, ku mblodhëm kartat ID dhe dhamë firmat, ndërkohë doli edhe vendimi i ministres që pezullohet ndërtimi i HEC-eve deri në një kohë të dytë”, thotë ai, por duke u treguar mosbesues se ndërtimi i këtyre HEC-eve do të ketë një pezullim të përhershëm: “fakti është që pezullimi nuk tregon që nuk do bëhet. Pas kësaj firma ka dashur të marri këtë koncesion, i ka mbaruar leja mjedisore që ka dhënë Ministria e Mjedisit për shkak të afateve ligjore, kërkon ta ripërsëris”, përfundon ai.

Ndërtimin e këtyre HEC-eve e kundërshton edhe Bashkia e Selenicës.

Mendoj se nuk është në interes të fshatit ndërtimi i tyre duke marrë ujin, sidomos gjatë periudhës së verës e kthen lumin në shkretëtirë. Pavarësisht se mund të ketë interesa për punësim ose jo, shkojnë kundër interesave të fshatit “, tha për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore Irfan Dervishaj, nënkryetari i Bashkisë Selenicë. “Në dijeninë time është kthyer përgjigje zyrtare negative për ndërtimin e këtyre HEC-eve nga Bashkia Selenicë. Ne jemi në mbështetje të banorëve pasi nuk preket vetëm një fshat, por disa fshatra, duke shkaktuar dëme shumë të mëdha”, theksoi Dervishaj.

Lumenjtë janë damarët kryesor të gjallimit të jetës. Është shumë e saktë që jeta e tyre është e lidhur me lumin. Në atë zonë nëse do të ndërtohen HEC-et, do të devijohet lumi për kilometra të tërë duke shkuar në tuba e kanale për ta çuar ujin në turbinat përkatëse”, thotë Lavdosh Feruni, ekspert mjedisor, për të cilin, një fragmentizim i lumit nëpërmjet marrjes së ujit me kanale e tuba, çon në asgjësimin në tërësi të lumit.

Lavdosh Feruni

Ky fragmentim bën që të mos ketë më atë dinamizmin e vet, biodiversitetin e vet lumi. Peshku dihet që lëvizin në të gjithë gjatësinë e lumit në kohë të ndryshme të vitit,  por kjo nuk do të ndodhi më për arsye se lumi nuk ka më vijueshmëri. Duke u cenuar bioversiteti ajo që ndodh është asgjësimi i jetës në segmente të caktuara në lum që do të thotë asgjësimi i jetës normale në këtë ekosistem”, shton Feruni, duke mos ngurruar që të vendosi në dukje edhe pasojat e drejtpërdrejta për banorët.

Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe te banorët duke i privuar ata nga të gjitha asetet që i jep lumi. Aty mund të peshkohet, mund të zhvillohet turizëm, vështirësohet mbajtja e bagëtive etj. Pra të gjitha këto asgjësohen”, thotë ai, duke treguar se këtij komuniteti i privohet e drejta për të zhvilluar turizmin pasi prania e lumit bën që të ketë akses më shumë nga turistët.

“Takohemi te lumi”, turizmi si shpresë për të ardhmen

Në një prej lokaleve të fshatit ndodhet edhe Ardion Muçaj, lindur e rritur në Brataj, por që tashmë si thotë edhe ai “Jam shkëputur nga fshati veç me banim, por jo me zemër”.  Edhe pse nuk jeton më në fshat, fundjavave i riu e gjen kohën për t’u kthyer. “Kam shumë kujtime të bukura, si për malin ashtu edhe për lumin. Këtu jam rrit, kujtimet më të bukura të fëmijërisë janë pikërisht te ai lumi ty”, thotë ai duke treguar me dorë lumin e Shushicës, i cili rrjedh jo më shumë se 100 metra larg qendrës së fshatit. Por nostalgjia për kohët e vegjëlisë nuk është arsyeja e vetme pse Ardion Muçaj e viziton Bratajn shpesh, sidomos gjatë muajve të verës.

Ardion Mucaj

Tani kthehen në verë njerëzit me pushime, ata që janë në emigracion, por edhe ata që janë larguar për në qytete, gumëzhin fshati, po nëse heqin lumin për çfarë të vinë? Këtu po hoqën lumin, humbasin shumë gjëra të tjera, humbet ura qindravjeçare, çfarë bukurie ka ura pa lumë?”, thotë ai, duke treguar se lumi është edhe një vend takim gjatë verës, ku banorët e fshatit të kthyer nga emigracioni dhe qytetet e tjera, takojnë njëri-tjetrin. Për të riun vlonjat, ndërtimi i HEC-eve mbi Shushicë, është një gabim që duhet të ndalet dhe të mos mendohet për të shkuar para me këtë projekt. Ideja e tij, si e shumë banorëve të tjerë të zonës së Labërisë, është që e gjithë zona të investojë për zhvillimin e turizmit.

Lumi Shushicë

“Para dy vitesh që nuk ishte bërë rruga i mblidhnim shokët me gazep si i themi ne. Ndërsa tani vinë turistë me autobusa. Javën e shkuar ishin tre autobusa, vetëm për të parë atë lumë”, thotë, duke shtuar se në një të ardhme të afërt ai e sheh turizmit të zhvilluar jo vetëm në Brataj, por në të gjithë zonën e Labërisë. “Unë kam qenë në shumë vende turistike nëpër botë, por në fshat të kesh katër male e në këmbët e fshatit edhe lumit, është mrekulli. Tani të fusin ekskavatorin aty, e ta fusin ujin në tuba, ata marrin lumin e ne na merr lumi”, përfundon i riu.

E ndërsa banorët e zonës ëndërrojnë dhe shpresojnë një të ardhme turistike për zonën, sa është e pranishme kjo shpresë, po aq është edhe frika, se resursi kryesor i zonës që tërheq turistët mund të mos ekzistojë për një kohë të gjatë për shkak të planeve për ndërtimin e HEC-eve në të.

 

 

*Ky artikull u realizua me mbështetjen e LevizAlbania. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e LevizAlbania.

Shpërndaje