Blog

Iu dhanë dekorata për tërmetin, por nuk u japin rrogën. “Digjen” zjarrfikëset, institucionet ja hedhin fajin njëri-tjetrit

Iu dhanë dekorata për tërmetin, por nuk u japin rrogën. “Digjen” zjarrfikëset, institucionet ja hedhin fajin njëri-tjetrit

Tymi vazhdon të shpërndahet dhe ngjitet duke pushtuar qiellin. Kjo gjë ndodh prej më tepër se një natë e një ditë dhe zjarri që ka dalë nga kontrolli përhapet përbindshëm nën tokë duke zotëruar gati 2 mijë metra magazinë. Poshtë grisë së qiellit nga shtëllungat e tymit, ndodhet qendra tregtare dhe makinat e zjarrfikësve ngjajnë mjaft të vogla për të vënë nën kontroll vatrën e zjarrit, i cili prej të mërkurës nisi me një shkëndijë. Zjarrfikësit hyjnë e dalin, por me gjithë shpejtësinë se si manovrojnë ata nuk ja kanë dalë ende të nxjerrin të riun që hyri në godinë për të vënë nën kontroll situatën. Disa qytetarë, ose banorë të zonës ose pronarë të bizneseve në qendër ndjekin heshtur dhe me duar në xhepa betejën shumë orëshe që ende nuk ka asnjë rezultat. Ndonjëherë edhe ata vihen në lëvizje dhe shpërndajnë ujë.

Zjarrfikësit gjatë aksionit pranë qendrës tregtare

Në ajrin e ngarkuar që e bën të vështirë frymëmarrjen, dëgjohet ulërima e babait të Arjan Salës, i cili akoma nuk është gjetur, dhe jo më të shpëtohej në kohë. Kërkojnë ndihmë. Akuzojnë. Dhe zjarrfikësit që kthehen të nxirë nga bloza, me kokë poshtë dhe supet e ngritura nuk mund t’ja lehtësojnë dhimbjen e një prindi.

Zjarri që ra në njërën nga magazinat e qendrës tregtare nxori dhe njëherë në dritë zbuluar problemet që ndesh shërbimi zjarrfikës. Kati nëntokësor është nën kontrollin e këtij zjarri dhe asfiksimi e bën të pamundur hyrjen. Aty hyri Arjan Sala, menjëherë pas konstatimit të shkëndijave dhe megjithë orët e stërgjatura që duket sikur ndeshen sekondë pas sekonde me flakët, nuk ka asnjë të re.

Babai i tij, Fadil Sala sillet rreth hyrjes së ndërtesës me lot në sy, herë ulet në një karrige, e herë mbahet për krahu nga të afërmit. Nganjeherë shtëllungat e mëdha të tymit e detyrojnë atë dhe të tjerët që të largohen nga hyrja e ndërtesës, por pak më vonë ai afrohet sërish. I nxirë nga mërzia më tepër se nga tymi i flakëve, rrëfen fjalët e fundit që Arjani i tha gjatë bisedës telefonikë të të mërkurës dhe ndërkohë ndjek me sy hyrje daljet e zjarrfikësve. I biri i tha “Mirë të gjetsha në darkë”.

Shkëputet nga frazat e të birit dhe akuzon zjarrfikësit që u vonuan ti nxjerrin në kohë të birin.

Përballë burrit shihen makinat e vjetra të zjarrfikësve që mbërrijnë e zbrazin autobotin, dallohen zjarrfikësit që kërkojnë bombla oksigjeni dhe kundragaz. Disa të tjerë presin që të marrin bombulat e oksigjenit të cilat mbarojnë shpejt për shkak të numrit të vogël të tyre dhe për tu zëvendësuar me kolegët e tyre ndërsa për ta hapur nga pjesa e lartme duhen pajisje që nuk janë në kapacitetet e shërbimit zjarrfikës. Edhe eskavatori që shërben për hapjet e pjesëve me beton apo ato metalike u shfaq pasditen e së enjtjes.

Pas 24 orësh edhe forcat zjarrfikëse janë dorëzuar dhe kanë kërkuar ndihmën e ushtrisë e cila ka dërguar dy grupe të specializuara për ndërhyrjet në rastet e zjarrit. Kjo tregon edhe njeherë mungesën e kapaciteteve dhe pajisjeve të këtij shërbimi zjarrfikës për ngjarje të cilët kanë nevojë për ndërhyrje të specializuara.

Të njëjtat probleme

Por tragjedia që i tregoi në mënyrë direkte problemet dhe mungesën e investimeve në shërbimin zjarrfikës ishte tërmeti i 26 nëntorit. Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi vijon prej vitesh me pajisje të vjetëruara, që shpesh jo vetëm që nuk shpëton jetë njerëzish, por rrezikon edhe jetën e punonjësve. Pas tërmetit, pavarësisht sakrificës vetmohuese të zjarrfikësve që u detyruan të gërmonin me duar në gërmadhat e pallateve të shkatërruara për shkak të mungesës së pajisjeve bashkëkohore, nuk u desh shumë kohë që të kuptohej se në çfarë situate ndodhen realisht zjarrfikëset.

Të keqpaguar

Një prej këtyre punonjësve ishte Luan Kapaj i cili erdhi nga qyteti i Vlorës për të dhënë ndihmën e tij për nxjerrjen e njerëzve që ndodheshin nën rrënojat e pallateve të prishura në qytetin e Durrësit.

Për këtë punë të jashtëzakonshme dhe për ndihmesën e madhe që dha në shpëtimin e dy personave, babai i dy vajzave mori edhe një dekoratë nga Kryeministri Edi Rama. 70 vjeçari ka pothuajse 40 vite që punon si zjarrfikës dhe jeta dhe profesioni e ka përballur me shumë vështirësi, por vështirësia më e madhë është se pavarësisht gjithë përkushtimin që jep për këtë punë nuk paguhet ashtu siç e meriton.

Kryeministri Edi Rama duke dekoruar zjarrfikësin Luan Kapaj

Për Luanin nuk ka vlerë dekorata, nëse nuk paguhet për atë punë që ka zgjedhur ta ushtrojë gjatë gjithë jetës së tij.

Kapaj shprehet se ka që në vitin 2016 që nuk e merr pagen e plotë në bazë të përcaktimeve ligjore.

Pikërisht ky është një nga problemet më të mëdha që po hasin punonjësit e zjarrfikësve në të gjithë Shqipërinë.

Abuzime me Kodin e Punës

Mes listës së problemeve të mëdha që hasin zjarrfikësit, në ngërç vijon të mbetet edhe mos dhënia e pagesave në bazë të Kodit të Punës por edhe në bazë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave e datës 10 prill 2019.

Sindikata e pavarur e Zjarrfikësve shprehet se 1250 punonjësit e këtij sektori kanë disa vite që nuk marrin lejet e zakonshme që janë të përcaktuara sipas ligjit, por përveç këtyre ata nuk marrin as pagesat për këto leje. Por gjithashtu nuk marrin pagën në bazë të VKM-së të miratuar në vitin 2019.

Bledar Barjami, Kreu i Sindikatës së Pavarur së Zjarrfikësve

Të gjitha problematikat e zjarrfikësve i numëron kreu i kësaj Sindikate, Bledar Bajrami.

“Kemi disa vite që nuk jepen dhe nuk na paguhen lejet e zakonshme. Gjithashtu kemi disa vite që nuk pajisemi me veshjet e nevojshme, vetëm në Tiranë janë dhënë një herë rrobat, ndërsa ne rrethe këto mungojnë fare. Gjithashtu edhe pajisjet e duhura mungojnë”, shprehet Bajrami.

Sakaq Barjami ironizon faktin që edhe pse qëndruan për ditë më radhë për shpëtimin e njerëzve pas tërmetit të 26 nëntorit, qeveria u mjaftua me disa dekorata, por nuk dha asnjë shpërblim monetar për punën e palodhur dhe të stërgjatur të punonjësve të zjarrfikësve.

Dëshmitari që akuzon

ACQJ kontaktoi edhe me një punonjës zjarrfikës në Bashkinë e Lezhës i cili për shkak të frikës së heqjes nga puna rrëfen në anonimat se ka 3 vite që nuk e merr pagën në bazë të përcaktimeve ligjore. Ai flet drejtpërdrejt për mungesën e pajisjeve dhe veshjeve që vënë në rrezik jetën e secilit, sjellin shërbim të vonuar dhe shpesh sakrificë të punonjësve gjatë operacioneve të shpëtimit.

“Jam detyruar të marr një pajisje nga shtëpia ime pasi na duhej ndërhyrja në një aksident të rëndë”, kështu shprehet punonjësi i shërbimit zjarrfikës në Bashkinë e Lezhës.

Nga ana e tij, Bajrami e cilëson këtë si një shkelje kushtetuese pasi nuk zbatohet VKM-ja e firmosur nga qeveria për shkak të një sqarimi që u ka dërguar sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca, Bashkive në vitin 2019.

“Merret parasysh një sqarim i dalë nga Sekretari i përgjithshëm i cili nuk është i pari që duhet të zbatohet, sepse në bazë të ligjit në fillim zbatohet Kushtetuta, Kodet e ndryshme në këtë rast Kodi i Punës, apo vetë VKM-ja e miratuar më 10 prill 2019”, tregon i revoltuar Bajrami i cili gjithashtu është punonjës i këtij shërbimi në Tiranë.

Për shkak se nuk zbatohet ligji ashtu siç duhet apo edhe Kodi i Punës ose VKM-ja, mua më mungojnë çdo muaj 14 mijë lekë, pasi paga ime në bazë të pikave të sipërcituara duhet të ishte 52 mijë lekë të reja, ndërsa unë marr vetëm 38 mijë lekë të reja”, thotë kreu i sindikatës për ACQJ.

Sipas këtij vendimi të marrë nga kryeministri Rama thuhet se “punonjësi me gradë i shërbimit të MZSH-së, për orët shtesë të punës/shërbimit, që nuk janë kompensuar me pushim, përfiton një shtesë mbi pagë në masën:

  1. a) 25 % për çdo orë pune/shërbimi shtesë në ditë të zakonshme pune;
  2. b) 50 % për çdo orë pune/shërbimi shtesë të kryer gjatë pushimit javor;
  3. c) 25% për çdo orë pune në ditët e festave zyrtare;
  4. ç) 50% për çdo orë pune në ndërhyrje operacionale të kryer nga ora 22:00 deri në orën 06:00.

Shkeljet vërehen me shqetësim edhe nga Inspektoriati Shtetëtor i Punës.  Në një komunikim me Sindikatën ka pranuar se: “Qëndron fakti se nuk janë dhënë të plota lejet vjetore për punëmarrësit e shërbimit zjarrfikës me pretendimin se ka mungesë stafi”. Gjithashtu thuhet se “nga verifikimi i pasqyrës së përllogaritjes së pagës konstatojmë se nuk kompensohet me page, puna e kryer në turnin e dytë dhe turnin e tretë.”

Edhe pse Inspektoriati ka gjetur këto shkelje në Bashkinë e Tiranës, që prej prillit të 2019-s nuk ka pasur ndonjë vendim ndaj këtij institucioni për mos shlyerjen e pagesave të plota.

Kush e ka fajin?

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore kontaktoi me drejtorin për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe shpëtimit pranë Bashkisë së Tiranës Shkëlqim Goxhaj.

Sipas drejtorit Goxhaj, Bashkia paguan vetëm 30% të pagesës së punonjësve ndërsa pjesa tjetër i përket Ministrisë së Brendshme duke ia deleguar kështu përgjegjësitë këtij institucioni.

Sakaq ACQJ kontaktoi edhe me drejtorin e përgjithshëm të shërbimit zjarrfikës, Alfred Kristuli.

Kristuli ia hedh përgjegjësinë Bashkive duke u bërë pjesë e ping-pongut gjatë të cilit shmangia e përgjegjësive rëndon mbi shërbimin zjarrfikës dhe për pasojë edhe ndaj qytetarëve.

Zvarritjen sa në një institucion në tjetrin e thekson kreu i Sindikatës që dyshon se kjo është një mënyrë veprimi e qëllimshme nga institucionet.

Në pritje të lejimit të tubimeve me më shumë se 10 persona, Bajrami paralajmëron një protestë përpara Kryeministrisë si mënyrën e fundit që sheh për problemet e pagesave, pasi edhe pse ndodhet prej një 1 viti në gjyq për këtë çështje prapë nuk i ka sjellë asnjë ndryshim.

“E vetmja rrugë që na ka ngelur tani pasi kemi provuar të gjitha mënyrat e mundshme ligjore, na ka ngelur vetëm të organizojmë një protestë kombëtare përpara kryeministrisë që të arrijmë të gjejmë një zgjidhje për këtë problem që e kanë rreth 1300 familje”, e mbyll rrëfimin Bajrami.

Shpërndaje