Blog

Kur sistemi publik shëndetësor ‘sëmur’ dhe jo shëron

Kur sistemi publik shëndetësor ‘sëmur’ dhe jo shëron

Qeveria shqiptare jo pak herë ka marrë nota të ulëta dhe është kritikuar nga organizata ndërkombëtare shëndetësore në raporte të ndryshme për mungesën e infrastrukturës dhe investimeve përsa i përket sektorit të shëndetësisë. Qeveria aktuale e cilëson shëndetësinë një ndër sfidat më të mëdhaja e më të vështira, duke veçuar se Programi Rilindjes në Shëndetësi ka shifrën më të madhe të investimeve dhe një rritje të konsiderueshme pagash për përsonelin mjekesor. Spitali i Prrenjasit ka qenë objekt i premtimeve jo vetëm i qeverisë aktuale, por edhe i ekzekutivëve të mëparshëm. Edhe më parë, është raportuar se ky spital po përdor aparatura që kanë dalë në “pension”, por situata nuk ka ndryshuar aspak.

Pajisjet mbi 60-vjeçare të spitalit të Prrenjasit

Aparati angen i grafisë, përdoret që në 1953, pra plot 68-vjeçar. Edhe skaneri është i vjetëruar. Mjekë e fizikantë nga Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet , pohuan në anonimat (kjo edhe prej frikës së largimit në radhet e bluzave të bardha së fundmi) se aparaturat e vjetra shkaktojnë rreze të dëmshme e të parikuperueshme për shëndetin jo vetëm të pacientëve, por edhe të mjekëve që punojnë me to. Duke iu referuar protokolleve që përcaktojnë certifikimin periodik te grafive, disa prej fizikantëve të çertifikuar mohuan të kishin bërë/ apo të ishin në dijeni për një liçensim të grafisë së spitalit të Prrenjasit.

Foto te paisjeve brenda spitalit të Prrenjasit, fotot: Arlis Alikaj.

Sektori i radiografisë është vetëm maja e ajsbergut. Drejtori i Spitalit Prrenjas, Sami Agolli nuk pranoi të intervistohej nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, por jo zyrtarisht ai pranoi vjetërsinë e pajisjeve ne spital. Ai tha se skopia nuk bëhet prej kaq kohësh në këtë spital dhe se radiologu mungon, kjo pasi, nuk mund të ketë radiolog për një spital kaq të vogël. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore i dërgoi dy kërkesa për informacion Spitalit të Prrenjasit dhe dy Ministrisë së Shëndetësisë, lidhur me vjetërsinë e pajisjeve dhe investimet  në spitalin e Prrenjasit, por nuk pati përgjigje. Kërkesat u dërguan në datat 21 Dhjetor 2020 drejt Spitalit të Prrenjasit dhe 17 Dhjetor 2020 drejt Ministrisë së Shëndetësisë si dhe të rikujtuar për tejkalimin e afatit të përgjigjes më 8 Janar 2021.

Çfarë premtoi Ministria e Shëndetësisë dhe një përgjigje e munguar…

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu në 2018-ën, premtoi se brenda vitit do të niste rikonstruksioni i Poliklinikës së Prrenjasit, e cila i shërben 40 mijë banorëve të kësaj zone. Deklarata u bë nga gjatë një vizite në qarkun e Elbasanit, ku Ministrja pa nga afër infrastrukturën dhe kushtet e kësaj poliklinike.

“Për ne si Ministri dhe për Qeverinë Shqiptare është parësore ndërhyrja në infrastrukturën e qendrave të kujdesit shëndetësor për të garanatuar shërbim cilësor sa më pranë komunitetit. Besojmë se brenda vitit nis rikonstruksioni i plotë i kësaj poliklinike në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha ministrja afro tre vjet më parë.

Ne i drejtuam Ministrisë së Shëndetësisë një kërkesë zyrtare për informacion se kur është investuar për herë të fundit në pajisjet si Aparati angen (grafia), radiografi apo dhe pajisje të tjera të imazherisë në spitalin e Prrenjasit si dhe se sa ka qënë vlera e këtij investimi, por ende nuk kemi marr një përgjigje zyrtare për këtë gjë pavarësisht përpjekjeve tona prej dy kërkesash për informim në Dhjetor 2020 dhe Janar 2021.

Qytetarët pre e sorollatjes dhe ngërçit…

Sipas të dhënave të Regjistrit Civil, Bashkia Prrenjas ka 33,031 banorë ku së bashku me njësitë administrative përbërëse nga ndarja e re territoriale së bashku me fshatrat e Prrenjasit, ky numër është akoma më i madh, dhe nevoja është për një spital që ofron shërbime në kushte të mira dhe t’i përgjigjet nevojave të një komuniteti të madh.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore ishte pranë spitalit të Prrenjasit. Grupime pacientësh të cilët çdo të shtunë, kur ishte dita që bëhej skopi, niseshin për në Librazhd, për të bërë skopi për shkak se në Prrenjas mungon si pajisja e skopisë ashtu edhe pneumologu (specialisti).

“Futu vetë dhe shikoje, muret janë me lagështi, të shkosh i ftohur merr pneumoni. Nuk është spital, por stallë derrash. Pa dritë dhe ngrohje”, thotë e revoltuar një zonjë e moshuar, teksa priste të merrte rekomandim për të shkuar në Librazhd dhe të bënte një kontroll më të specializuar.

Qaniu, një banor i Prrenjasit na tha se asnjëherë nuk ka mbaruar punë për vajzën e tij astmatike në spitalin e Prrenjasit. Ai ngriti shqetësimin se përveç aparaturave që janë të amortizuara, prej tre vitesh mungojnë dhe mjekët specialistë si pneumologu, radiologu apo alergologu. Ai detyrohet ta çoj vajzën e tij çdo muaj për vizitë periodike në spitalin e Librazhdit, dhe kur bëhet keq edhe drejt Elbasanit apo Tiranës, duke rritur kostot e shpenzimeve për të.

Foto të pajisjeve brenda spitalit të Prrenjasit, Fotot: Arlis Alikaj  

Pajisje të ndryshkura, kineze dhe jashtë cilësisë së kohës e pjesërisht në gjendje pune. Kjo situatë rëndon veçanërisht tek ata që përplasen shpesh në dyert e këtij spitali. Nënë Tixhja, e cila priste rekomandim për të shkuar në spitalin e Librazhdit, e sëmurë me azmë u ankua për spitalin e Prrenjasit: “Nja dy herë kam bërë me zor grafi dhe sëmundja akute që kam më ka agravuar prej rrezeve të këtyre aparaturave që janë jashtë kohe. Janë të kohës së kinezit. Nuk kam lekë të shkoj ecejake në Librazhd”, rrëfen ajo.  “Jam shumë i irrituar”, thotë I.M., banor që e takojmë në furgonat e linjës Prrenjas – Librazhd, “Ku shkojnë taksat tona?! Gjëja më minimale që të ofron një shtet është kujdesi shëndetësor. Ka shumë keqmenaxhime dhe këto pajisje nuk u blenë kurrë. Gjatë dimirit familja ime e përbërë prej 6 vetash, sëmuret 2-3 herë, ngelëm duke shkuar nga Rrajca në Librazhd. Pale kur bie borë e bllokohen rrugët. Shërohemi me çaj në shtëpi e nuk e dimë a na ka ikur ftohja”.

Gjendja e spitalit, është denoncuar edhe më parë nga bluza e bardha që punojnë në këtë institucion.

“Janë bërë investime vetëm për tarracën. Ngrohja bëhet me ngrohës elektrikë. Pjesa problematike është urgjenca e spitalit, ka vetëm dy dhoma. Ne jemi rrugë nacionale, aks i vështirë, ka mjaft aksidente. Kemi kapacitet prej 7-8 mijë të sëmurësh. Na kanë bërë premtime se situata do ndryshojë dhe jemi në pritje”, është shprehur më herët  Sami Agolli, shefi i shërbimit të Spitalit të Prrenjasit për emisionin Fiks Fare, dhe gjendja nuk ka ndryshuar edhe sot.

Në kuadër të këtij shkrimi, u interesuam për të bërë një grafi në këtë spital dhe mjeku i përshtatur për këtë gjë Dr. Bashkim Vasku i cili kryen eko pranë këtij spitali, nuk e rekomandoi grafinë në spital, duke thënë se pajisja nuk është shumë e mirë dhe nuk dalin rezultatet e qarta ashtu siç do të donte ai. Ai rekomandon grafi digjitale në Elbasan pasi grafia e spitalit nuk është cilësore.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore ju drejtua Bashkisë Prrenjas për të pyetur më shumë rreth investimeve për këtë spital dhe fondeve, por Bashkia na referoi tek spitali i Prrenjasit, “Spitali i qytetit Prrenjas nuk është në varësi të Bashkisë Prrenjas dhe ne nuk e disponojmë këtë informacion, për këtë arsye si dhe në zbatim të nenin 10 pika 2/d dhe nenit 12 pika 2 dhe 3 e ligjit nr.119/2014, Koordinatori për të Drejtën e Informimit ushtron  kompetencat e mëposhtme: d) dërgon kërkesën për informim te një autoritet tjetër publik”. Në këtë rast Bashkia Prrenjas ia ridërgoi kërkesën tonë për informacion Spitalit Prrenjas, por sërish nuk morëm përgjigje.

I aksidentuari çohet në spital, por spitali i Prrenjasit s’ka drita…

Më 24 Janar të 2020-ës Ardian Vreto, 45-vjeç u aksidentua në Pishkash. Sot pas një viti ky aksident është ende në hetim e sipër nga organet kompetente. I vëllai i të ndjerit, Bujar Vreto thotë se në momentin kur ambulanca e spitali te Prrenjasit shkoi ne vendngjarje, ishte pa mjek. Megjithatë, 45-vjeçari u çua me urgjencë në spital, por e kthyen sapo arriti te dera, sepse spitali nuk kishte drita.

“Kjo është një çështje që po shqyrtohet në prokurorinë Elbasan dhe Korçë. Mjeku nuk ishte në ambulancë dhe ambulanca ishte e papajisur me ato që kërkon urgjenca jo vetëm ligji. Nuk kishte okisgjen, serumin, krevatin ortopedik me mbajtëse të palëvizshme kur je dëmtuar që mos lëvizësh pasi dëmtimet janë si thika e një lëvizje e vogël është fatale për jetën. Ditën e aksidentit spitali i Prrenjasit ka qënë pa drita. Mund të hapen dokumentat nga institucionet e energjisë elektrike. E kthyen pa e çuar në spital sepse nuk kishte drita. U nis për në Librazhd ku ishte e njëjta situatë dhe pastaj e dërguan drejt Elbasanit ku ai dhe humbi jetën”, sqaron Vreto.

 

Spitali Librazhdit, i tejmbushur me pacientët nga Prrenjasi…

Mjekët e pavionit të prenumologjisë në Librazhd thonë se e ndjejnë shumë lodhjen dhe ngarkesën sidomos nga pacientët që vijnë nga Prrenjasi. Përfaqësues nga spitali Librazhdit thonë se ka fluks të lartë për shkak të mungesës të grafisë dhe radioskopisë në spitalin e Prrenjasit.

Foto nga Dispanceria e mushkërive – Librazhd. Foto: Arlis Alikaj

Miranda Rira, ish kryetarja e Bashkisë Prrenjas dhe pedagoge në universitetin e Elbasanit tha për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore se gjendja në spitalin e Prrenjasit është një katastrofë. “Spitali Prrënjasit është një mizerje. Paisjet mjekësore janë që në kohën e Enverit që kur është ndërtuar spitali. Mbaje mend përpara disa vitesh kur unë isha kryetare ndodhi një aksident me një autobuz me 52 nxënës të cilët ishin nga Fieri në Qafë Thanë dhe ishte kohë e keqje dimri. Kishte disa të plagosur. Më erdhi shumë keq pasi nuk kishim ku t’i injektonim qoftë edhe një serum të thjeshtë. Spitali Prrenjasit shërben jo vetëm për qytetin e Prrenjasit që është 7-mijë banorë, jo vetëm për të gjithë bashkinë e madhe, por edhe për pjesën e Mokrës të Pogradecit meqë Prrenjasi është si urë kalimi. Është gjysëm ore Librazhdi, 1 orë Elbasani dhe me dhjetra jetë do ishin shpëtuar nga aksidentet në qoftë se spitali do ishte më i mirë. Shumë të moshuar të Prrenjasit marrin shërbimin e grafisë jo cilësor dhe gjysmak akoma dhe sot. Unë me kontaktet e mia kam pasur një mundësi nga ambasada Kuvajtjane për të ndërhyrë me një vlerë të caktuar rreth 500 milionë lekë rikonkstruksion. Mes keqdashësisë që ka ekzistuar atëherë midis pushtetit lokal dhe ministrisë së Shëndetësisë me justifikimin që unë nuk kisha të drejtë apo tagër për të vepruar pasi spitali varej nga ministria e Shëndetësisë”, thotë Rira.

Foto: Miranda Rira, Burimi: Youtube.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore ju drejtua institucionit të Kontrollit të Lartë të Drejtësisë për një Raport  Auditimi ushtruar për Spitalin e Prrenjasit për vitet 2019-2020. Sipas një përgjigje të zyrtare të marrë nga ky institucion rezultoi se Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk nuk ka ushtruar auditime për subjekin Spitali Prrenjasi në ato vite.

Megjithëse pasqyrimeve në media të problematikave të ndryshme, situata për këtë spital vazhdon të jetë e njëjtë duke i lënë banorët pa një spital të mirëfilltë funksional e gjithëpërfshirës. Sipas një përmbledhje jo-teknike të AKM, Agjensisë Kombëtarë të Mjedisit për Spitalin e Prrenjasit, në faqen 3 thuhet se “Ky, spital nuk mbulon plotësisht të gjitha shërbimet e përcaktuara në ligjin e sipërcituar, të cilat mbulohen nga Spitali i Librazhdit, duke qënë se kështu është konceptuar dhe realizuar organizimi i shërbimit spitalor për këtë rajon.’’ Gjithashtu raporti flet për rezerva përsa i përket teknologjisë së përdorur dhe sugjerime për ndotjejen në mjedis dhe mënyrën e trajtimit të mbetjeve spitalore. fq.(5,6,7).

Shpërndaje