Blog

Paratë publike shpërdorohen në fushatë elektorale, institucionet heshtin

Paratë publike shpërdorohen në fushatë elektorale, institucionet heshtin

Ndalimi i përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore në Shqipëri duket një mision i pamundur edhe në 2021. Me përfundimin e fushatës elektorale denoncimet për abuzim dhe favorizim nëpërmjet burimeve shtetërore ngrenë hije dyshimi sesi po zbatohet Kodi Zgjedhor.

Fillimisht eksponentë të opozitës publikisht kanë ngritur pretendimet e para për shpërdorimin e buxhetit dhe përdorimit të aseteve publike nga qeveria në fushatë.

Ligjërisht, përdorimi i administratës dhe buxhetit të shtetit nga qeveria gjatë 30 ditëve të fushatës për qëllime elektorale është i ndaluar dhe ndëshkohet me gjobë.

Legalizimi i banesave, përfitime subvencionesh, dëmshpërblime për tërmetin, rikonstruksione provizore rrugësh, punësime në administratë, janë disa nga mënyrat që janë përdorur për maksimalizimin e votave.

Presionet dhe shit-blerja e votave ka qenë të pranishme në proceset zgjedhore në këto 30 vite në Shqipëri, duke u bërë pengesë në standartizimin e procesit që do të lehtësonte rrugën drejt Bashkimit Europian. Apeli i vazhdueshëm i partnerëve Amerikanë dhe Europianë, duket se ende nuk është dëgjuar sa duhet.

Audiopërgjimi/ Presioni me legalizimet

Gazetari investigativ, Artan Hoxha publikoi një audio-përgjim flagrant ku drejtori i Kadastrës, Artan Lame udhëzon vartësit e tij në lidhje me procesin e legalizimeve një muaj përpara zgjedhjeve.

Lame iu shpjegon vartësve të tij se legalizimet mund të përdoren si premtim fushate, por në të vërtetë nuk janë të realizueshme.

“Këto 120 mijë objekte nuk mund të legalizohen për një sërë problematikash, por që kurrsesi, fjala “jo”, nuk duhet që t’ju thuhet qytetarëve. Një përgjigje negative për legalizimet, i çon ata në duart e Partisë Demokratike duke i shkaktuar humbje elektorale PS-së. Atëherë u ra dakort në këtë takim që llogjika është që ne do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur për këtë pjesë”, thotë Lame, i cili më tej thotë se vendimi është marrë me dijeni të kryeministrit Edi Rama.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK tha se do të verifikojë audiopërgjimin e publikuar nga gazetari Artan Hoxha ndërkohë Presidenti i Republikës Ilir Meta kërkoi zbardhje të menjëhershme të kësaj ngjarje.

Drejtori i Kadastrës Artan Lame deklaroi se biseda ka ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2017, dhe mohoi blerjen e votave me këto premtime. Lame më tej thotë se diskutimi po bëhej për trajtimin e objekteve që nuk mund të legalizoheshin.

“Fryhen” listat e të prekurve nga tërmeti

Procesi i rindërtimit pas tërmetit po vazhdon me vonesa të mëdha sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave. Procesi cilësohet si vepra më e madhe infrastrukturore e qeverisë nga eksponentët më të lartë socialistë, por as ky projekt nuk qëndroi larg përdorimit në fushatën elektorale.

Në muajin Mars 244 emra nga Bashkia e Vorës, u futën në kategorinë e të dëmtuarve nga tërmeti. Sipas Lëvizjes Socialiste për Integrim, lista është hartuar nga drejtuesit e PS në Bashki për tu dërguar në Institutin e Ndërtimit dhe në të gjithë rastet u jepet para në dorë për rregullim të dëmeve të tërmetit.

Fakti që një listë e tillë hartohet një vit e gjysëm pas tërmetit dhe u jep qytetarëve shpërblime, 30 ditë para zgjedhjeve ngre dyshime për përdorim të fondeve në fushatë elektorale.

Kandidati për deputet në qarkun e Tiranës Ervin Bushati, i pyetur për këto pretendime, ka mohuar informacionet duke i cilësuar akuza politike.

“Rindërtimi është projekti më i madh infrastrukturor i qeverisë shqiptare. Këta po mundohen të hedhin baltë. Vlerësimet e dëmeve janë bërë nga ekspertët në mënyrë transparente dhe të drejtë”, u shpreh Bushati.

Bashkia Vorë është pyetur për kriteret e dëmshpërblimit të këtyre familjeve 1 vit e gjysmë pas tërmetit, por institucioni nuk u përgjigj brenda afateve ligjore.

Asfalt elektoral 

Investimet e pjesshme në lagjet e qyteteve përgjatë javëve të fundit të fushatës elektorale janë denoncuar deri në SPAK nga eksponentë të opozitës.

Kandidatja për deputete e PD-së, Albana Vokshi paditi në SPAK Edi Ramën, Erion Veliajn, Ogerta Manstirliun dhe Ulsi Manjën për punime të paligjshme.

“Kodi Zgjedhor i ndalon punime të tilla (asfaltim) gjatë fushatës dhe për këtë arsye, ato kryhen pa tabela dhe natën. Asfaltime fshehtas janë bërë në njësinë 9 edhe në njësinë 11 nga kandidatët e PS”, u shpreh Vokshi.

*Asfalt në Krujë

                 

*Asfalt në njësinë 9 Tiranë

Parashikimi ligjor për burimet shtetërore

Analisti politik Enton Abilekaj thotë se mungesa e institucioneve të forta lënë hapësirë për abuzime me burimet shtetërore.

“Ligjet që ndalojnë përdorimin e mjeteve shtetërore në zgjedhje janë të më të forta se në Europë, janë të mjaftueshme për të shmangur abuzimin. Vullneti politik është i kundërt. Kemi parë në këtë fushatë se si vendimi i Kryekomisionerit për ndëshkimin e atyre që abuzojnë me mjetet shtetërore është hedhur poshtë nga insitucione të tjera. Një fakt që tregon se, jo vetëm mungesa e vullnetit politik, por edhe mungesa e institucioneve të forta dhe pushteteve të pavarura, që favorizojnë abuzimin e mjeteve shtetërore”, shprehet Abilekaj.

Neni 91 i Kodit Zgjedhor parashikon se fondet publike nuk mund të përdoren nga partitë politike:

 “Nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje, burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia”, thuhet në këtë ligj.

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut në një raport të ndërmjetëm të publikuar në 9 Prill 2021 saktësoi përgjegjësinë e KQZ për të shmangur përdorimin e burimeve shtetërore.

“KQZ-ja është gjithashtu e autorizuar të monitorojë të gjitha aktivitetet e kryera nga institucionet publike për të parë nëse ka shpërdorim të burimeve publike”, thuhet në raport.

Pas zhvillimit të zgjedhjeve, misioni i OSBE-ODIHR pranoi përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë, por kërkoi nga institucionet të zbardhin të gjitha pretendimet dhe faktet e depozituara.

Praktika zgjedhore kërkon që Këshilli i Ministrave të miratojë ngritjen e një Task Force për zgjedhjet, praktikë e ndjekur më 2013, 2015 dhe 2017. Më 2017 Task Force është ngritur 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve, me qëllim që të koordinojë institucionet, të përgatisë aktet dhe të bëjë monitorimin e reagimin për të gjitha të dhënat e mundshme për shkelje ligjore të shtetit/administratës në fushatë.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) deklaron se qeveria nuk publikoi as plan konkret për Task Forcën.

“ISP apeloi KQZ-në të nxisë qeverinë për ngritjen e Task Force për zgjedhjet, si dhe të investohet që i gjithë sistemi i monitorimit dhe i reagimit të jetë sa më i plotë, transparent dhe institucional”, thuhej në raport.

Monitorimet flasin, qeveria hesht

Në Raportin e tretë të Monitorimit të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore, i hartuar nga Akademia e Studimeve Politike evidentohen disa nga shkeljet.

Në gjetjet e monitorimit për periudhën 1-28 shkurt 2021 rezulton se ka akte ligjore të miratuara në shkelje të ndalimeve të parashikuara në periudhën 4 mujore para zgjedhjeve.

“Në shkelje të Kodit Zgjedhor janë miratuar 5 ligje, 2 VKM dhe 1 Vendim Këshilli bashkiak, të cilat sjellin përfitime apo masa lehtësuese për periudhën katër mujore para zgjedhjeve. Nga monitorimi i aktiviteteve të ministrave dhe kryetarëve të bashkive në shtatë qytete kryesore të vendit rezulton rritje e raportimeve, por njëherazi rritje e promovimeve të investimeve infrastrukturore”, thuhet në raport.

Koalicioni për Reforma, Integrim, dhe Institucione të Konsoliduara tha se në takimet elektorale është vërejtur një prani e konsiderueshme e zyrtarëve të lartë të administratës publike gjatë orarit të punës çka përbën shkelje të kuadrit ligjor zgjedhor dhe të statusit të nënpunësit publik. 

 “Përkrah fushatës elektorale, në vend gjatë kësaj periudhe u zhvillua edhe fushata e vaksinimit të popullatës nga virusi i Covid-19. Fushata e vaksinimit u përdor në mënyrë masive në funksion të fushatës elektorale, duke mos u ndarë dot në natyre si një fushatë institucionale, detyrim i institucioneve shëndetësorë dhe qeverisë së shtetit shqiptar për të vaksinuar dhe siguruar shëndetin e popullsisë”, thuhet në raportin e KRIIK.

Mesa duket edhe në këtë rast mbetemi në klishe-n, që ligjet i shkruajmë mirë, por nuk i respektojmë.

Shpërndaje