Blog

Politikanët u shpëtojnë gjobave! Covid-i prek vetëm qytetarët dhe bizneset

Politikanët u shpëtojnë gjobave! Covid-i prek vetëm qytetarët dhe bizneset

Prej 30 vitesh, miti i politikanëve shqiptarë është ai i individëve të pandëshkueshëm. Edhe gjendja e pandemisë ekspozoi trajtimin e privilegjuar të tyre dhe në kushtet flagrante kur fletëprerja e një gjobe duhet të ishte po aq ndëshkuese dhe për ta. Ndonëse rezulton që shkelja e rregullave anticovid shpesh herë është bërë publike nga vetë politikanët përmes rrjeteve sociale, autoritetet aplikuan gjobë për tubime politike sporadike dhe jo për çdo rast të evidentuar.

Të dhënat zyrtare që iu vendosën në dispozicion Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, tregojnë se morën gjoba vetëm 7 protagonistë politikë.

Ndonëse në rrugë zyrtare Policia e Shtetit nuk i identifikon të gjobiturit, burimet e ACQJ, hedhin dritë mbi emrat e njerëzve të politikës që u përballën me forcat e rendit. Belind Këlliçi, Edmond Spaho me në krye kryetarin e opozitës Lulzim Basha i përkasin kampit të demokratëve që rezultojnë shkelës të masave anticovid dhe me masë administrative. Ndërkohë nga Partia Socialiste, është gjobitur vetëm Blendi Klosi, ministër i Mjedisit dhe Turizmit. Gjithashtu, një masë administrative prej 50 milionësh të vjetra ka marrë edhe Endrit Brahimllari, për organizimin e një grumbullimi në Maliq të Korçës. Në listën e të gjobiturve nga Policia e Shtetit eshtë edhe një përfaqësues i partisë “Lëvizja e Re”.

Këlliçi është gjobitur pas shfaqjes së pamjeve të takimit politik të zhvilluar në 15 shkurt dhe që u transmetua në një media online. Kjo shkelje e zbuluar virtualisht vërtetohet edhe në fletë gjobën që është plotësuar nga një efektiv i komisariatit Nr.6 në Tiranë. Por ky aktivitet që shfaq abuzimin me masat anticovid është zhvilluar në qytetin e Korçës dhe juridikisht një polic i kryeqytetit nuk ka kompetencë që të presë masë administrative jashtë territorit dhe zonës që ai mbulon.

(Gjoba e Belind Këlliçit)

Në një prononcim për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore, Këlliçi shprehet se gjoba është ende në fuqi. “Komisariati Nr. 6 ma la në fuqi, edhe drejtoria e Policise e kanë lënë në fuqi. Jam duke përgatitur dosjen për ta çuar në gjykatë. Jam gjobitur me urdhër politik të kamikazit të Edi Ramës, Ardi Veliu”, thotë ai duke mos kursyer akuzat politike. Por alibia juridike që pritet të përdorin avokatët në gjykatë është konkretisht mos kompetenca e një efektivi në Tiranë për një shkelje administrative në një qytet tjetër, çka e bën gjobën automatikisht të pavlefshme.

Ndërkohë për ish- deputetin demokrat, Edmond Spaho, gjoba ka rënë dhe ndaj tij nuk pati asnjë penalitet financiar. I pyetur për këtë çështje ai tha se: “E kam ankimuar dhe ma anuluan me argumentin se ishte arbitrare. Ishte gjobë me motive politike”.

Me 5 milionë lekë të reja është gjobitur edhe ish- deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Brahimllari, i cili shprehet i gatshëm për ta vijuar procesin deri në gjykatë. “Gjobën e kam ankimuar nëpërmjet avokatit tim. Nuk e di nëse është anuluar apo jo, por do ta ndjek çështjen deri në gjykatë nëse do të jetë nevoja dhe do të kërkoj edhe procedim penal për ata që e kanë urdhëruar, sepse është intimidim politik”.

Gjoba me vlerë 5 milionë lekë të reja duhet të rëndonte edhe për Ministrin e Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, i penalizuar për shkelje të masave anticovid. ACQJ kërkoi disa herë një qëndrim nga ministri Klosi, ose nga zyra e tij, por nuk pati asnjë koment. Nga ana tjetër, burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit konfirmojnë, se ministri e ka kundërshtuar gjobën me kërkesën për anulimin e saj. Por deri në momentet e botimit të shkrimit komisioni nuk ishte shprehur ende me një vendimmarrje.

Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë!

Më 25 mars, dy partitë më të mëdha ne vend, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, do të hapnin fushatën për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Imazhet që u trasmetuan, ishin shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Socialistët e çelën fushatën në sheshin “Skëndërbej” me distancim social, ndërkohë Demokratët në sheshin “Nënë Tereza” kishin të pranishëm qindra mbështetës së tyre, duke shkelur rregullat kufizuese për shmangien e grumbullimeve.

Por pavarësisht se ky moment kontrastues nga ngritja e siparit elektoral, që u përdor për batuta fushate, dhjetra kilometra larg kryeqendrës së vendit realiteti është krejt ndryshe. Kandidatët e forcave kryesore rezultojnë se përgjatë fushatave që mbajnë në zonat e tyre i shkelin pa drojë rregullat e vendosura për pandeminë. Referuar një vëzhgimi të ACQJ, po rendisim disa nga rastet më flagrante të shkeljes të rregullave anticovid që jo vetëm i kanë shpëtuar syrit të policisë, por edhe syrit të partive.

Në datën 30 Mars, Taulant Balla, numri dy i Partisë Socialiste, do të organizonte një takim elektoral, në Librazhd Qendër, ku do të merrnin pjesë dhjetra qytetarë. Rezulton se masat anticovid që ndalojnë grumbullimet nuk u respektuan. Po ashtu më 28 Mars, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste do të merrte pjesë në shpërndarjen e kartave të reja të anëtarësimit në Partinë Socialiste në Prrenjas, ku edhe pse maskat nuk mungonin, grumbullimi i qytetarëve ishte i dallueshëm.

Edhe pse i ndëshkuar njëherë për grumbullimet, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, ka vijuar fushatën ku sërisht nuk u frenuan grumbullimet mbi 10 persona.  Më 27 Mars, ministri ka zhvilluar një takim elektoral në mjedis të mbyllur në Dimal, në shkelje të masave anticovid që i la në fuqi dhe Gykata Kushtetuese. Ndërkohë ky takim është publikuar edhe në rrjetin social Facebook, në faqen e ministrit Klosi.

Ndërkohë edhe Ulsi Manja, në takimet elektorale që ka zhvilluar e ka harruar vendimin e komitetit të ekspertëve që e ndalon të grumbullojë qytetarë. Edhe për të nuk ka ende një masë administrative, pavarësisht shkeljes publike

Nga ana tjetër, edhe dy partitë më të mëdha opozitare, rregullat kufizuese të vendosura prej pandemisë së shkaktuar nga COVID- 19, i zbatojnë në mimimum ose aspak në rastin më ekstrem.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vetëm pak ditë pas hapjes së fushatës së PD për zgjedhjet e 25 prillit, ku ajo që ra në sy ishte shkelja e rregullave anti-covid, do të organizonte një tjetër takim. Më 30 Mars, në një takim elektoral në qytetin e Fierit, u grumbulluam një numër i madh njerëzish për të pritur zotin Basha, por që në asnjë moment nuk u respektua distanca fizike.

Si të tjerët, edhe Edi Paloka në takimet elektorale nuk i kushton shumë rëndësi rregullave anti- covid.  Më 27 Mars, zoti Edi Paloka do të merrte pjesë në një takim elektoral të zhvilluar për zonën e Manzës dhe atë të Ishmit, ku nga fotot e publikuara nga vet zoti Paloka në rrjetet sociale, duket qartësisht shkelja e rregullave anti-covid.

Gjithashtu ish-deputetët e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi si dhe Gazment Bardhi, do të shkelnin në 29 mars rregullat anti-covid. Ata morën pjesë në një takim me të rejat dhe të rinjtë e Elbasanit, ku përvec mungesës së distancës fizike do të mungonin edhe maskat.

As Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila është partia e tretë politike më e madhe në vend, nuk mbetet pas për shkeljen e rregullave anti-covid. Më 27 mars kryetarja e kësaj partie, zonja Monika Kryemadhi do të merrte pjesë në takime elektorale në Belsh dhe në Gramsh, ku grumbullimet e qytetarëve ishin të tilla sa dikush duhej të gjobitej.

As numri dy i LSI, Petrit Vasili në takimet elektorale që ka zhvilluar, të cilat i ka pasqyruar në profilin e tij publik nuk ka zbatuar rregullat anti-covid Në një takim në një nga zyrat elektorale të LSI, më 27 mars, duket qartë se prezent janë më shumë se 10 persona dhe një pjesë e madhe e tyre pa maska.

Të gjitha rastet e përmendura më lart, janë raste për të risjell në vëmendje të strukturave përkatëse se rregullat anti-covid shkelen publikisht nga partitë politike, mjafton të monitorosh rrjetet e tyre sociale dhe ato të kandidatëve për të kuptuar se frika ndaj gjobës prej 50 milionë lekë të vjetra, nuk ka asnjë efekt ndaj tyre.

Masa anticovid dhe gjoba vetëm për qytetarët

Pas një viti në pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, shumë gjëra kanë ndryshuar për shoqërinë. Kontaktet me miq e shok janë reduktuar, ashtu si edhe takimet me prindërit për të shmangur rrezikun e një infektimi të mundshëm. Bizneset janë kufizuar në pjesën më të madhe të punojnë me orare të rekomanduara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

E ndërkohë që për politikën, përditshmëria në kohë fushate do të përshkruhej me shprehjen e famshme amerikane “bussines as usual”. E kur flet me shifra, e kupton qartë peshën që fjala politikan ka edhe për uniformat blu. Vetëm 10 gjoba kanë rënduar ndaj politikanëve të cilët kanë organizuar grumbullime në vende të mbyllura ose të hapura, edhe pse rastet e grumbullimeve të organizuar nga politikanë janë shumë më shumë, e madje janë vet ata që i kanë bërë publike.

Qytetarët e thjeshtë që janë konstatuar në rrugë pa maskë nuk kanë patur të njëjtin fat. Mesatarisht çdo ditë jo zyrtarisht policia pohon se gjobit 300 deri në 400 qytetarë pa barrierën mbrojtëse. 40 qytetarë u gjobitën për shkeljen e vetëkarantinimit të detyruar, 9617 qytetarë të tjerë u gjobitën për shkelje të orës së ndalim qarkullimit, e 45 të tjerë sepse kanë shëtitur në parqe dhe zona të gjelbërta kur ka qenë e ndaluar. Por nuk kanë munguar as rastet e bllokimit të automjeteve për qytetarët, ku 41 mjete janë bllokuar nga policia pasi kishin shkelur kufizimin e lëvizjes.

Ndërkohë 554 bare dhe restorante janë gjobitur për ushtrimin e aktivitetit në ambiente të mbyllura, në kohën kur ka qenë e ndaluar, ose nuk janë mbyllur në fashat orare të përcaktuara. 155 të tjera për mos mbyllje të muzikës pas orës 20:00 dhe plot 69 klube nate, disko dhe lounge-bare kanë marrë masë administrative pasi kanë vijuar aktivitetin edhe pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Por mungesa e barrierës mbrojtëse u ka kushtuar shqiptarëve më tepër financiarisht se çdo shkelje tjetër gjatë pandemisë. Me përjashtim të rasteve kur ata kanë qenë të grumbulluar përreth politikanëve dhe duket se kanë përfituar nga privilegji. Deri në momentet e botimit të artikullit, numri i qytetarëve të gjobitur pasi nuk kishin maskë anti-covid është 68,256 shtetas, ku kryesojnë kryeqytetasit me 30,408 masa administrative.

Zyrtarisht, Policia e Shtetit bën të ditur se këto gjoba i janë dërguar OSHEE-së që ka hasur vështirësi në vjeljen e një pjesë të madhe të tyre, pasi ka patur probleme në të dhëna ose të gjobiturit nuk kanë kontratë me OSHEE.

E pyetur në lidhje me numrin e gjobave që i janë kthyer policisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit sqaron se “nuk disponon një statistikë të saktë se sa gjoba janë kthyer mbrapa nga OSHEE-ja, për plotësim, pasi ky është një proces i përditshëm”.

Shpërndaje