Blog

Publikimi i të dhënave personale të mijërave qytetarëve, ekspertët: Është cënuar siguria kombëtare

Publikimi i të dhënave personale të mijërave qytetarëve, ekspertët: Është cënuar siguria kombëtare

Të dhënat personale të mijëra shtetasve shqiptarë ndonëse duhet të ishin sekret, ato janë shpërndarë. Megjithë hetimet e hapura nuk ka ende persona përgjegjës që duhet të dalin para drejtësisë, për të kuptuar se ku u siguruan këto të dhëna, përse u grumbulluan dhe çfarë përfaqësojnë personat e quajtur patronazhistë.

“Nuk ka votuar asnjëherë, nuk i dihet bindja, emigrant në Kanada, ka ndërruar jetë, është tepër plak nuk vjen të votojë, jemi të kënaqur nga qeveria Rama, do votojmë PS, por nuk kemi kohë dhe mundësi të aktivizohemi në fushatë, është zhvendosur te Bregu Lumit, jetojnë në pallatin 157 që do shembet ”. Këto janë vetëm disa nga komentet e patronazhistëve që kanë përshkruar detaje mbi 910 mijë qytetarë të Tiranës. Në listën e publikuar pak ditë më parë në media, ku përfshihen të dhënat konfidenciale të mijëra qytetarëve gjurmohet numri personal i kartës ID, numri i telefonit, vendi i punës, dhe më tej bindja politike.

SPAK bën të ditur se është regjistruar një procedim penal për publikimin e të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve shqiptarë, dhe po vijon hetimet për nxjerrje të sekretit vetjak. Por në hetim nuk specifikohen emra konkretë subjektesh, institucionesh apo qytetarësh të dyshuar që kanë “përndjekur” dhe vëzhguar shtetasit shqiptarë duke përftuar të dhënat e tyre për qëllime politike. Për të dhënat personale që u shpërndanë ngado në rrjetet sociale duke shpërthyer shqetësim në masë, dorëzoi kallzim edhe Partia Demokratike.

Në 13 Prill, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, reagoi duke thënë se po bëhen vlerësimet e nevojshme ligjore për administrimin zyrtar të dokumentacionit për shqyrtime administrative të rastit. Por se çfarë dokumentash po administroheshin dhe në cilin institucion nuk u dha asnjë detaj, ç’ka hedh dyshime se reagimi doli vetëm për të qetësuar qytetarët e prekur nga skandali.

Nga ana tjetër, burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, treguan se Departamenti i Krimit Kibernetik, u anashkalua nga veprimet hetimore që megjithë ditët që kanë kaluar ende nuk ka specifikuar se cili institucion është burimi i të dhënave personale të mijëra qytetarëve. Ndërkohë po i njëjti burim, tha se pas publikimit të të dhënave, problematikat janë qartazi prezente.

“Aty ku nevojitet për të deklaruar të dhëna mund të deklarohen të dhëna të këtyre personave që i kanë të dhënat tashmë publike, madje mund të falsifikohen ID dhe pasaporta, deri në momentin që të duhen vetëm për ta patur në xhep, jo për të kryer veprime në institucione ose të kalosh kufirin”, u shpreh eksperti i Policisë së Shtetit, që shton se efekti i nxjerrjes së të dhënave personale do të shihet pas një viti.

Një denoncim pranë komisionerit

“Unë vendosa ta bëj denoncimin te Komisioneri pasi në dijeninë time nuk di ti kem dhënë diku dhe aq më tepër për tu përpunuar, e tashmë me shumë mundësi ti ketë çdo shqiptar në dorë”, thotë Emanuela Zaimi, aktiviste e shoqërisë civile dhe themeluese e fondacionit “Down Syndrome Albania”.

Në fakt unë e kisha në plan për ta bërë këtë ankesë, por nuk e mora me urgjencë. Në momentin që dëgjova komisionerin në një emision televiziv të thoshte se deri tani, 5 ditë pas publikimit të të dhënave, nuk kishte asnjë ankesë, mu duk e tmerrshme, absurd dhe momentin e parë mendova se isha edhe unë fajtore që nuk isha pjesë e këtij ankimi, por në momentin e parë kisha menduar se do të kishte një dyndje me ankesa”, shprehet ajo, duke thënë se të nesërmen ka dorëzuar ankesën dhe shton se sado që të mos pajtohemi qoftë edhe me qëndrimet që mbajti Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave personale, ne si qytetarë kemi detyrë të përdorim ato mekanizma që kemi në rastet e tilla.

Zaimi tregon se plotësimi i formularit për ankim te komisoneri nuk ka qenë e thjeshtë, pasi kërkohej institucioni ndaj të cilit ngrihej kjo ankesë.

“Unë e vendosa se nuk e di, kjo është publike tashmë dhe pres që ta gjeni ju këtë gjë. Edhe pse shumë prej nesh pajtohen deri diku se kjo është databazë e Partisë Socialiste, por nga ana tjetër Partia Socialiste thotë që nuk është jona. Pjesa e dytë e vështirë është se kërkohej një dokument që të vërtetohej se të dhënat e mia ishin publikuar, unë mund të vendosja atë screenshoot që më kanë sjellë por aty mund të lindin pyetjet se ku e more? Unë e vendosa që nuk e di kush është kontrolluesi dhe unë di që të dhënat e mia janë publike. Vendosa që aty është edhe numri im austriak që se kam në asnjë institucion shtetëror, por që e kam përdorur para pak muajsh te e-Albania për një dokument”, thotë ajo.

Ekspertët ngrenë alarmin: Është thyer siguria kombëtare

Ekspertët e teknologjisë, prej publikimit të të dhënave personale, janë të alarmuar për rrezikun që ka sjellë grumbullimi i të dhënave të qytetarëve dhe më pas publikimi i tyre. Aq më tepër që asnjë institucion deri më tani nuk ka zbuluar zyrtarisht qëllimet, pavarësisht deklaratave se mbledhja e të dhënave është për qëllime politike për të llogaritur votat nga njëra anë por njëkohësisht dhe për nxitur votimin për interesa të caktuar. Ky dyshim është diskutuar vetëm publikisht duke hedhur dyshime ndaj mazhorancës, dhe ende nuk ka një version hetimor që do ta vërtetonte këtë gjë. Gent Progni,  programues në techzero1.com, radhit disa nga problemet kryesore që vijnë si pasojë e rrjedhjes së këtyre informacioneve. Ai tregohet i drejtëpërdrejtë dhe thotë se burimi i të dhënave personale është e-Albania.

“E- Albania duhet të ishte mbyllur në momentin që kanë dalë të dhënat deri sa të sqarohej situata, ose të ishin bllokuar për të gjithë përdoruesit e rinj që askush të mos bënte create user pa një kontroll të dyfishtë, një telefonatë nga një prej punonjësve ose diçka tjetër”, thotë ai duke shtuar se aktualisht në portalin e-Albania, me të dhënat e publikuara mund të krijohet një llogari për personat që nuk e kanë një të tillë. “E kemi bërë provë, kushdo që nuk është i regjistruar sot, mund të marri ato të dhëna, me një numër telefoni fiktiv, mund të krijojë llogari në e- Albania, për të gjithë ata që nuk janë të regjistruar, dhe mund t’ju shihet gjithçka, rroga, makinat, sigurime, nipt, çdo të dhënë tjetër”, thotë ai.

E ndërsa të dhënat personale të 910 mijë qytetarëve janë prej disa ditësh online, eksperti i teknologjisë Ergest Nako, e quan të patolerueshme egzistencën online të këtyre të dhënave.

Aktualisht ka disa faqe online që mundësojnë këdo të kërkoj për të dhëna personale të individëve që janë në atë bazë të dhënash dhe kjo është e patolerueshe. Është detyrë emergjente e subjekteve ligjzbatuese në Shqipëri të mbyllin këto shërbime nëpërmjet kanaleve zyrtare me kompanitë e ndryshme. Këto masa duhet të ishin marrë që në ditën e parë që u zbulua se databaza ishte publike”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Gent Progni e cilëson thyerje të sigurisë kombëtare publikimin e këtyre të dhënave. “Është thyer siguria kombëtare, pasi dublikimi i identitetit është krimi më i madh kibernetik që po bëhet sot”, thotë ai duke shtuar se ekziston një algoritëm i cili bën identifikimin e çdo personi në botë nëpërmjet të dhënave. “Dhe me këto të dhëna që kanë dalë identifikimi është 100% i saktë dhe ai mund të kuptojë edhe sjelljen e njerëzve dhe sjelljen e një personi vetëm nga këto të dhëna, pasi shikon kërkimet që ka bërë në google, mënyrën se si sillet në Facebook, etj”, thotë ai.

Progni ngre gjithashtu alarmin për thyerjen e algoritmit të numrave personal ID.

Sot teknologjia ka arritur në atë nivel që mund të ç’kodojnë algoritmin për nxjerrjen e numrit të ID. Mund të gjendet ky algoritëm dhe të prodhohen edhe ID për personat të cilët nuk kanë lindur ende. Ka rënë komplet sistemi i numrave të ID”, shprehet ai duke shtuar se databaza nuk është vetëm ajo e bërë publike tashmë. “Aksesi ka qenë për 4.5 milionë persona sa është gjendja civile sot dhe i bie që të zgjidhjet kjo situatë, duhet që të ndërrohen të gjithë ID e shqiptarëve dhe dokumentat e identitetit”, përfundon ai.

Nga ana tjetër eksperti Ergest Nako thotë se qytetarët do të përballen me problematika të shumta, sidomos për personat e moshës së tretë.

Më së shumti do ndeshim tentativë për vjedhje identiteti dhe të dhënave personale, por nuk përjashtohet dhe tentativë që të përdoren në skema mashtrimi, sidomos në skema për marrje kredie. Në këtë pikë personat e moshave më të mëdha do jenë më të ekspozuar sepse ata kanë më shumë probleme me qasjen në teknologji”, shprehet Nako, duke shtuar se gjithashtu do të shohim tentativë të individëve për të vjedhur rrjetet sociale të personave duke përdorur numrin e telefonit por që ky proces do ketë vështirësitë e saj.

Juristët: Shteti vulnerabël ndaj padive

“Sigurisht që kemi të bëjmë me një thyerje të sigurisë kombëtare, aq më tepër kur kemi të bëjmë me të dhëna të cilat mund të cojnë në zbulimin e algoritmit të gjenerimit të numrave të ID për shtetas shqiptarë të cilët ende nuk kanë lindur”, kështu shprehet juristi Arbër Hoxha, për publikimin e të dhënave personale të 910 mijë qyetatarëve shqiptar. Gjithashtu Hoxha shton se duhet të ishte bllokuar portali e-Albania. “Portali e-Albania duhet të ishte i bllokuar. Duhet të ishin marrë masa për bllokimin e këtij portali me qëllim që askush mos të përdori të dhënat e tua e të mia me qëllime keqdashëse”.

Aktualisht Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka nisur hetimet. Ndërkohë burime thanë, se procedimi penal është ngritur për nenin 122 të Kodit Penal. I pyetur për këtë gjë, juristi Adriatik Lapaj, thotë se: “do duhet që nga ana e SPAK të veprohet me shpejtësi dhe në drejtim të e-albania dhe AKSHI-t. Kërkohet të zhvillohen hetime proactive duke i shkuar çështjes në themel. Zbardhja e dinamikës së ngjarjes do të mundësonte që qytetarët të dinin subjektin përgjegjës për keqpërdorimin e të dhënave të tyre (përtej medias që i publikoi e cila është në ushtrim të detyrës së vetë për transparencë) me qëllim për të inicuar proceset civile të shpërblimit të dëmit. Gjykoj se është me rëndësi vërtetimi i burimit të krijimit të këtij serveri të dhënash dhe nga i ka importuar këto të dhëna. Kjo do të qartësonte dhe subjektet ndaj kujt duhet të drejtohen proceset civile të shpërblimit të dëmit, nëse do të ketë qytetarë të interesuar në këtë drejtim”.

E ndërsa është ende herët për pasojat e publikimit të këtyre të dhënave, juristët të pyetur për mundësinë e ngritjes së padive thonë se çdo qytetar ka mundësi ti drejtohet gjykatës.

“Çdo shtetas shqiptar mund të padisë Ministrinë e Punëve të Brendshme si organ të ngarkuar për ruajtjen e të dhënave, nëse ai provon në gjykatë se atij i është shkaktuar një dëm nga publikimi i këtyre të dhënave”, shprehet Hoxha.

Adriatik Lapaj shprehet se çdo subjekti që i janë keqpërdorur të dhënat në kundërshtim me ligjin, i lind e drejta për të kërkuar shpërblimin e dëmit. Por problematika qëndron e hapur vetëm për subjektin ndaj të cilit do të përpilohet akt padia.“ Në këtë pikë është me rëndësi që hetimi penal të qartësojë përgjegjësinë e institucioneve dhe nëse këto të dhëna kanë dalë nga databazat shtetërorë”, thotë Lapaj, që shton se:”Në çdo rast edhe nëse nuk vërtetohet përgjegjësia e institucioneve, qytetarët kanë të drejtë të dorëzojnë padi ndaj subjekteve privatë që e kanë bërë shkeljen bazuar në nenet 608 e vijues të Kodit Civil që bëjnë fjalë për përgjegjësinë jashtëkontraktore për shpërblimin e dëmit”.

Hetime për të parë nëse ka lidhje me ndikimin në zgjedhje

Një thirrje për një reagim të shpejtë në lidhje me publikimin e të dhënave personale të qindra mijërave qytetarëve ka ardhur edhe nga organizatat ndërkombëtare.

Autoritetet Shqiptare duhet të reagojnë pa asnjë vonesë të mëtejshme, për të përcaktuar nëse partia qeverisëse i ka marrë të dhënat personale të votuesve nga regjistrat qeveritarë. Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) duhet urgjentisht të hetojnë nëse partia në detyrë ka abuzuar me resurse shtetërore për të siguruar një fitore në zgjedhjet parlamentare të së dielës”, thuhet në deklaratën për mediat të Transparency International.

Ndërkohë Daniel Eriksson, Drejtuesi Ekzekutiv i Transparency International tha: “Në vitet e fundit ne kemi parë një trend alarmues të mbledhjes së të dhënave personale për të influencuar rezultatet e zgjedhjeve. Nëse provohen, akuzat se partia qeverisëse në Shqipëri ka mbajtur një databazë të dhënash personale dhe private të 910 mijë qytetarëve të marrë ilegalisht, do të përbënte jo vetëm një shkelje të të dhënave personale, por edhe një shkelje të besimit publik. Një hetim i paanshëm do të ishte në gjendje të përcaktonte shumë shpejt se nëse kjo parti i ka marrë të dhënat personale të qytetarëve nga burime qeveritare”.  Erikson e ka cilësuar si të pakuptueshme që zyrtarë qeveritarë kanë minimizuar rëndësinë e këtyre zbulimeve duke thënë se: “Dështimi për të hetuar dhe sanksionuar në mënyrë adekuate shkeljet, do të hedh hije mbi drejtësinë e zgjedhjeve të ardhshme”. Ai gjithashtu u bën thirrje vëzhguesve ndërkombëtarë të marrin parasysh këto çështje si pjesë e vlerësimit të tyre.

Kush të përndjek? Patronazhisti

E ndërkohë që reagimi është i fortë nga organziatat ndërkombëtare, në Shqipëri duket se çudia vazhdon të zgjasë tre ditë. Drejtuesi i partisë së akuzuar për zotërimin e kësaj databaze me qindra mijëra të dhëna personale të qytetarëve shqiptarë, kryeministri Edi Rama, e përdor termin patronazhist të gjendur në këtë databazë disa herë si term humori, e herë të tjera i falenderon për punën e palodhur që kanë bërë duke trokitur derë më derë.

Mesazhi im për ata që merren me patronazhistët, duke filluar nga Ilir Meta është: Patronazhistëve, t’iu merrni të keqen. Edhe mos harroni, mos e harroni asnjëherë, patronazhistët ju njohin kush jeni. As mos ta çoni nëpër mend se patronazhistëve tanë ja u fshini mendimet tuaja. Ne ju njohim kush jeni dhe po vijmë pas jush. Në 25 prill do ta shikoni sa mirë ju njohim”, u shpreh kryeministri, Edi Rama më 18 Prill.

Shpërndaje