Blog

Shkencë dhe zbulim anticovid në Tiranë, Akademia mban mister se çfarë do të shpikë

Shkencë dhe zbulim anticovid në Tiranë, Akademia mban mister se çfarë do të shpikë

“Vendet që e kanë dobësuar shërbimin shëndetësor publik duke i ulur financimet ose duke ja deleguar atë kompanive private fitimprurëse, po e përballojnë me vështirësi këtë pandemi”, shpjegohet pak javë pas shpalljes së pandemisë në website-n e Akademisë së Shkencave, në një artikull që mban emrin e Prof. Dr. Genc Sulçebe, anëtari i Komisionit të Mjekësisë. Gjatë muajve që pasuan nën ‘thundrën’ e Sars-Cov-2, në vend u certifikuan si spitale provizore anticovid katër të tilla. Mes lëvizjeve për t’a mbajtur kuletën hapur, jo vetëm për blerjen e seteve mjekësore, por edhe për pajisjen e të gjitha institucioneve me dezinfektantë dhe barriera mbrojtëse, u pa që kësaj “bujarie” nuk i shpëtoi as Akademia e Shkencave. Krejt ndryshe nga çdo institucion tjetër, Akademia e Shkencave u ndihmua financiarisht për të thelluar kërkimet kundër virusit Covid-19.

Kjo vendimmarrje e 28 tetorit, erdhi në kohën kur përmes anëtarëve, Akademia kishte prezantuar ndërkohë këndvështrimin shkencor shqiptar anticovid, ku shprehej statistikisht jo vetëm për shkallën e përhapjes, por edhe për impaktin negativ që po shënjohej në ekonominë e vendit.

Shuma prej 4.6 milionë lekë që ju shtua buxhetit, ju akordua Akademisë së Shkencave si ‘shpenzime korrente’ pak përpara vitit që po përfundonte. Si argument për shtesën në buxhetin e 2020 ishte mbulimi i shpenzimeve për projektet studimore dhe kërkimore lidhur me Covid-19.

Në mbledhjen e qeverisë urdhërohet “Akademisë së Shkencave, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, i shtohet fondi prej 4 600 000 (katër milionë e gjashtëqind mijë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, për mbulimin e shpenzimeve për projektet studimore dhe kërkimore lidhur me Covid-19. Efekti financiar prej 4 600 000 (katër milionë e gjashtëqind mijë) lekësh përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.

Ku u shpenzuan 4.6 milionë lekë?

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, kontaktoi me Akademinë e Shkencave për tu informuar se ku do të përdorej ky fond shtesë i akorduar nga Qeveria shqiptare.

Në përgjigjen e Akademisë së Shkencave thuhet për ACQJ, se njësia e biotekonologjisë (pranë ASH) po bashkëvepron me komisionin e mjekësisë dhe grupin e punës të pandemisë Covid-19 për të kryer disa studime.

“Më i rëndësishmi është studimi për seroprevalencën SARS-CoV-2 në popullatën e Qytetit të Tiranës e cila është ndarë në tre faza. Faza e parë dhe e dytë kanë pasur një buxhet prej 494,404 lekësh dhe faza e tretë e cila kishte një buxhet prej 2.500.000 lekësh”.

Por se kur do të fillojë faza e tretë e studimit nuk dihet ende. Dy fazat e para janë mbyllur dhe i përkasin muajve maj dhe dhjetor 2020.

Ndërsa studimet e tjera sipas Akademisë kërkojnë kohë më të zgjatur nga 6 deri në 12 muaj.

Ajo çfarë bën përshtypje janë studimet e tjera që Akademia e Shkencave ka miratuar duke filluar që nga studimi për “përbërës me oksid grafeni kimikisht të ndryshuar me bioplastike të bazuar në amidon për film mbështjellës ushqimi me veti antibakteriale”, apo tek studimi “Nano-mbështjellja e sipërfaqeve me bazë çimento me veti antivirale”.

Duke folur në gjuhën e vlerave monetare, të gjitha këto studime do ti kushtojnë Akademisë së Shkencave plot 6,417,904 lekë.

Ndërkohë që vendet e tjera kanë filluar me vaksinimin e popullsisë, Akademia e Shkencave po studion ende format se si mund të mbrohesh nga infeksioni që ka mbërthyer globin, një çështje për të cilën sakaq mjekësia është shprehur.

Për çfarë do na shërbejnë këto studime?

“Rezultatet e projektit mbi Seroprevalencën Covid-19 i shërbejnë përmirësimit të politikave dhe masave që ndërmerr sistemi shëndetësor i vendit në përballimin e pandemisë Covid-19. Rezultatet e projekteve të nanoteknologjisë do të mund të përdoren nga institucionet shëndetësore, institucionet që merren me zhvillimin e infrastrukturës, dhe biznesi, për të ofruar zgjidhje më të mira në studimin e përhapjes të pandemise dhe marrjen e masave mbrojtëse”, thekson Akademia për ACQJ.

Sidoqoftë në pritje të kërkimeve shkencore dhe akademike të fazës së 3-të, përfundimet e fazës së dytë të seroprevalencës Covid-19, sollën si efekt kundërshtimin e pjesëtarëve të Komitetit Teknik të Ekspertëve apo edhe nga anëtarë të Akademisë së Shkencave.

Gjetjet e publikuara në 30 dhjetor 2020 nga akademikët Genc Sulçebe dhe Alban Ylli theksuan se në fazën e parë imuniteti i verifikuar rezultoi në kufijtë 6-7 përqind. “Në fazën e tanishme të dhënat çojnë në përfundimin se gjysma e popullatës së Tiranës, 50 për qind e saj, ka fituar imunitet. Por ka dallime të dukshme me rajonet e tjera të Shqipërisë”, citohet në studim.

Akademikët, Alban Ylli dhe Genc Sulçebe duke prezantuar gjetjet e studimit, Foto: Akademia e Shkencave

Pikërisht ky rezultat solli edhe reagime. Kundërshtimi i parë erdhi nga kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj i cili në një prononcim për A2CNN, këmbënguli se imunizimi nuk është më shumë se 20-25%.

“Mora një lajm 50% imunizim, po se ku u bë, sa ishin, numrin, me çfarë metodologjie dhe kush e kontrolloi nga ana shkencore? U tha nga Akademia e Shkencave. Mesa di, janë rreth 800 veta që u testuan dhe nuk mund të quhet studim dhe as bën një tregues për popullsinë. Unë mendoj se imunizimi nuk është më shumë se 20-25%”, thotë Brataj.

Me kalimin e ditëve, Skënder Brataj, i qëndron i patundur këtij qëndrimi edhe pasi pyetet nga ACQJ. “Nuk kam ndryshuar mendim nga ajo çfarë kam deklaruar”, pohon Brataj.

Akademiku i njohur Artan Fuga, anëtar i Akademisë së Shkencave nuk vonoi në reagimin e tij haptazi kundër studimit që e cilësoi të pambështetur. Vendi ku profesor Fuga foli ishte në rrjetin social facebook.

 

“Si anëtar i asaj Akademie Shkencash, deklaroj distancimin tim personal nga deklarimet në fjalë, duke i konsideruar ato të pambështetura mjaftueshëm për të qenë të besueshme, metodologjikisht të pa vërtetuara me transparencën e kërkuar dhe të deklaruara me nxitim, pa respektuar deontologjinë e kërkimit shkencor”, thekson Fuga në postimin e tij, i cili ka renditur edhe disa deklarata që ka bërë më parë Akademia e Shkencave dhe kanë rezultuar të gabuara.

I pyetur nga ACQJ, Fuga i ironizon gjetjet e ASH duke shtuar “Unë them se sipas një studimi tim në 2022 do të bjerë një tërmet. Studim quhet ky, vetëm se deklaroj? Kjo është shkenca? Përveç rezultatave, ku janë të tjerat. Studimi nuk janë rezultatet”, këmbëngul Fuga për Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore.

Pro dhe Kundër

Akademikët Genc Sulçebe dhe Alban Ylli që e prezantuan studimin në fund dhjetori, mbeten “avokatët” më të mirë të çështjes.

“Opinionet e dhëna në media janë nga individë jo eksperte të fushës së epidemiologjisë apo imunologjisë dhe pa eksperiencë në punë kërkimore. Ato opinione janë dhënë me hamendësi, në mënyrë emotive, pa njohur në detaje metodologjinë e studimit dhe pa kritere shkencore”, insiston për ACQJ doktori Sulçebe.

Ndërsa Ylli nuk pranoi të jepte një përgjigje dhe u shpreh se për këtë çështje është shprehur në njoftimin për shtyp të Akademisë.

Në intervistat e zhvilluara me dy akademikët, ajo çfarë bie në kontradiktë me njëri-tjetrin është fakti se me çfarë parash është financuar ky studim. Sipas Sulçebes, ky studim është financuar me mbështetjen financiare modeste të Akademisë së Shkencave dhe pjesërisht të dy kompanive private. Ndërsa i pyetur për emrin e dy kompanive, Sulçebe nuk dha detaje.

Ndërsa, ndryshe nga kolegu i tij në këtë studim, Ylli u shpreh se është përdorur një fond minimal për blerjen e kiteve laboratorike që është dhënë nga Akademia e Shkencave.

Të dy akademikët pretendojnë se shumë shpejt studimi i tyre do të jetë i aksesueshëm me të gjitha rezultatet dhe të gjitha detajet shkencore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka parë ende studimin

ACQJ kontaktoi edhe me përfaqësuesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri. Por pavarësisht zhurmës që shkaktoi në vend, studimi nuk i është vendosur ende në dispozicion OBSH.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka parë këtë studim dhe nuk është këshilluar. Prandaj, ne nuk mund të japim ndonjë përgjigje”, thuhet në përgjigjen zyrtare të OBSH-së në Shqipëri.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore kontaktoi sërish me Akademinë e Shkencave, për ta pyetur nëse është konsultuar ky studim me organizmat ndërkombëtare, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk mori asnjë përgjigje.

Shpërndaje